Një nga traditat e kuzhinës kineze është speci djegës, madje shumë kinezë hedhin poshtë teorinë se ai e ka origjinën nga Amerika Latine.
Kina është prodhuesi dhe konsumuesi më i madh i specit djegës, me një rritje prej 50- 60 milionë ton, ose 46 % të prodhimit botëror të tij.
Sipas historiografisë përdorimi i specit djegës nga njerëzit ka nisur para 10 mijë vjetësh, por zyrtarisht njihet sjellja e farave të specit djegës nga Kolombi në shekullin e 15-të nga Toka e Re në Europë, që shënoi më pas dhe turin e tyre në mbarë botën. Speci djegës arriti në Kinë nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, ose nëpërmjet Rrugës Detare të Mëndafshit, nga Ngushtica e Malagës në Spanjë në jug të Kinës.
Përdorimi i kësaj bime të kuqe shënoi një ndryshim rrënjësor në kuzhinën kineze.
Nëse i referohemi një artikulli të historianit kinez Ho Ping, botuar në vitin 1955 me titull "Hyrja e bimëve amerikane në Kinë", mësojmë se në mesin e shekullit të 16-të me karvanët e tregtarëve që udhëtonin nga Lumi Gang, në Mianmar e deri në Perëndim të Kinës mbërriti speci djegës në Sichuan të provincës Hunan
Para arritjes në Kinë, speci djegës kishte hyrë në Europë dhe Japoni, por ende nuk dokumentohet koha e saktë të mbërritjes së bimës djegëse në Kinë. Ka shkrime që dokumentojnë ekzistencën e specit djegës në Kinë që në kohën e dinastisë Ming. Në vitin 1591 dokumentohen shkrime për specin e kuq dhe njihej me emrin "Fanjiao". Por interesant është fakti se specat djegës nuk përdoreshin atëkohë për gatim por si bimë dekorative. Tang Xianzu, një dramaturg dhe shkrimtar i njohur i dinastisë Ming në krijimet e tij shkruante plot admirim për specat e kuq, madje i quante ëmbëlsira e dimrit apo bimë plot hijeshi.
Mendohej se për herë të parë në Kinë specat e kuq djegës hynë në provincën Zhejiang, përgjatë brigjeve të Detit Lindor. Një konfirmim për këtë vjet në një document të vitit 1671 ku ndër të tjera shkruhet se " laqie", emërtesa për specin e kuq djegës mund të zëvendësojë erëzat kineze të gatimit.
Me shpejtësi speci djegës u përhap në provinca të tjera kineze si Hunan, Guizhou, Hebei dhe Liaoning, të ndjekura më pas nga provincat Shanxi dhe Shandong, në kohën kur në vend sundonte perandori Yongzheng. Më vonë speci i kuq u përhap dhe në provincat Sichuan, Fujian dhe Anhui, gjatë sundimit të perandorit Qianlong për të mbuluar në vitet në vijim gjithë territorin e Kinës.
Kinezët e pëlqyen shumë këtë bimë të kuqe dhe përdorimi i saj u përhap aq sa shumë prej tyre këmbëngulin se ajo e ka vendlindjen në Kinë. Madje përhapja e specit të kuq mund të vërtetohet fare thjeshtë nëse i referohemi shifrave, pasi vetëm në vitin 2002, në Kinë numëroheshin 2,119 lloje speci djegës.
Krahas kuzhinave të ndryshme të Kinës, ajo e Sichuanit është e njohur për përdorimin e gjerë të specit djegës. Përpara ardhjes së specit djegës në Kinë përdorej një tjetër erëz picante, që njihej si "hiri djegës", ashtu siç kishte përdorim të gjerë dhe mustarda e xhenxhefili.
Para specit djegës kinezët përdornin bimën picante të njohur si Shizhuyu, ose Yuejiao, e cila kultivohej në juglindje të Kinës, në Tajvan por edhe në Azinë juglindore dhe Japoni. Dokumentet historike tregojnë se shizhuyu përdorej në Sichuan për të hequr erën e rëndë të mishit të viçit gjatë gatimit, por edhe të derrit apo qengjit. Në fund të dinastisë Ming, shizhuyu u zëvendësua tërësisht nga speci djegës.
Recetat e para të gatimit ku përshkuhej përdorimi i specit djegës u shfaqën gjatë sundimit të perandorit Guanxu në vitet 1875 -1908 dhe kufizoheshin në përdorimin vetëm në gatimin e fasuleve apo të sojës.
Përse kinezët e pëlqejnë kaq shumë ushqimin pikant? Për këtë ka teori të ndryshme.
Së pari, kjo bimë përshtatet mjaft mirë me klimën e disa krahinave të Kinës
Së dyti, ndikon në luftimin e disa sëmundjeve dhe në shtimin e oreksit.
Së treti, ka disa teori që gatimet me spec djegës janë më të përhapura në zonat e varfra të Kinës, gjë që ka rritur popullaritetin e tij.
Së katërti, lëvizja migratore brenda vendit ndikoi në përhapjen e gatimeve me spec djegës, kryesisht gjatë dinastisë Qing.
Pavarësisht hamendësive përdorimi i specit djegës në gatimet e disa krahinave kineze është një element i rëndësishëm i tryezës, kryesisht në hotpot, ku familjarë e miq mblidhen në një atmosferë të ngrohtë e të gëzuar.
Mes ushqimeve të stinës është "vaksina" kundër sëmundjeve të të ftohtit: përveçse energjik, ndihmon tretjen dhe nxit sekretimin e lëngjeve të stomakut.
Hapi i parë për t'u mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme stinore, e sidomos gjatë dimrit është ushqyerja në mënyrën e duhur dhe të shëndetshme. Erëzat, e sidomos speci djegës janë elementë energjikë kundër të ftohtit. Duke e përzierë me ushqime ose me vaj ulliri, speci djegës ndihmon në tretjen e ushqimeve falë veprimit nxitës të lëngjeve të stomakut. Por jo vetëm kaq: sipas disa studimeve, duke konsumuar rregullisht spec djegës ndihmoni trurin të çlirojë endorfinën, hormoni që jep ndjesinë e mirëqenies dhe ka efekt analgjezik. Për këto karakteristika, speci djegës këshillohet në parandalimin e artritit dhe reumatizmit.
Bonifikues dhe energjik, sipas mjekësisë indiane është i jashtëzakonshëm për të përballuar të ftohtin e dimrit. Dhe kjo nuk është e gjitha: duke qenë se është i pasur me vitaminë C, speci djegës rekomandohet edhe si forcues i mbrojtjeve dhe si antioksidant, ndërsa kapsaicina, substanca që i jep shijen karakteristike pikante, ndihmon në rregullimin e tensionit dhe për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak. Përveç kësaj, speci djegës këshillohet si masazhues (spec djegës me vaj ulliri) në rast dhimbjesh muskulore. Duke e përdorur çdo ditë kuroni dhimbjet e mesit dhe artritin.
Gazmend Agaj