Ermal Vaka ne interviste per CMG

Ermal Vaka ne interviste per CMG

Ermal Vaka ka studiuar për shkenca komunikimi dhe ka disa vite që ushtron profesionin e gazetarit në disa media. Gazetaria dhe aktrimi janë dy pasionet e tij dhe synon që në të ardhmen të ketë dhe programin e tij në televizion si moderator. Në një intervistë për CMG Ermali na tregon për rrugëtimin e tij në media, vështirësitë e profesionit si dhe projektet për të ardhmen.

CMG: Ermal përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në “Autostradë”

Ermal Vaka:Gazi të falenderoj shumë për ftesën.

CMG: Prej disa vitesh punoni në televizion dhe keni studiuar për shkenca komunkimi. Televizioni mbetet pasoni juaj në fushën e gazetarisë?

Ermal Vaka: Pasioni im real dhe më i madh ka qenë për ekranin dhe ky pasion i madh më bëri që unë të futem si pjesë e medias. Dëshira e madhe kur unë isha fëmijë ishte që unë të bëhesha aktor, e shikonim gjithmonë televizionin si diçka shumë të bukur dhe unë thoja se një ditë unë do jem atje. Në vitin 2017 unë nisa studimet për shkenca komunikimi dhe më vonë pjesa e medias erdhi rrjedhimisht nga studimet dhe kontaktet që krijohen gjithmonë në universitete.


Ermal Vaka ne studio

Ermal Vaka ne studio

CMG: Pak më parë thatë që kishit dëshirë të bëheshit actor. Në fakt ju e keni realizuar këtë ëndërr, duke marrë pjesë në një serial filmi.

Ermal Vaka: Ndonjëherë dëshirat dhe ëndrrat e mëdha nuk mbeten pa u plotësuar dhe unë e kam prekur pjesërisht në dy projektet e para të serialit “Lokomotiva”, por që besoj do të kemi shumë projekte të tjera të reja, që do i realizojmë së shpejti.

CMG: Ka qenë e vështirë për ju fusha e medias duke parë se shumë të rinj mbarojnë universitetin, por jo të gjithë punësohen në fushën që studiojnë për të plotësuar ëndrrën e tyre.

Ermal Vaka: Si gjithmonë për çdokënd fillimi është shumë i vështirë edhe kjo gjë ka ndodhur edhe tek unë ku fillimi ka qenë i vëshirë, por unë mendoj që kam pasur edhe shumë fat përtej shumë që kam bërë. Unë e kam nisur eksperiencën në media që në vitin e parë të universitetit. Kjo gjë më ndihmoi shumë dhe më përshtati shumë shpejt me ekranin dhe ishte diçka që më dha shumë favor. Pastaj në vitin e dytë unë jam marrë me projektin e vox popeve që e realizoja në emisionin E-Show dhe brenda një viti unë fillova të kisha dy emisionet e mia në moderim.

CMG: Të pëlqen më tepër të jesh në terren si gazetar, apo moderator në studio?

Ermal Vaka: Për mendimin tim të dyja janë shumë të bukura, terreni ka një emocion të madh dhe të jep gjatë gjithë kohës kontakt me njerëzit. Terreni të pregatit shumë, sepse ti bëhesh një psikolog, sidomos me pjesën e vox popeve unë e kam nisur që para tre viteve siç thashë dhe tashmë unë kam marrë një projekt të ri prej tre muajsh në ABC news.al. Terreni është shumë i bukur, por studio ka atë emocionin e vet ku të jep një lloj energjie tjetër dhe eksperiencat që unë kam pasur nëpër studio të ndryshme kanë qenë goxha të mira. Pra nuk mund t’i ndaj, sepse terreni të jep një emocion, ndërsa studio është e papërshkrueshme.


Ermal Vaka ne studion e Top Channel

Ermal Vaka ne studion e Top Channel

CMG: Keni pasur ndonjë moment të vështirë gjatë realizimit të programit tuaj sepse jo të gjithë njerëzit kanë dëshirë të flasin përpara kameras?

Ermal Vaka: Duke qenë se unë kam tre vite që e bëj këtë gjë, jam mësuar me njerëzit dhe arrij t’i dalloj ato që duan të japin intervistë dhe njerëzit që nuk duan të flasin, pra t’i bësh psikologun njerëzve. Ka pasur gjithmonë reagime që nuk duan të dalin para kameras, por ne jemi gazetarë dhe profesioni na e lejon që të mësohemi me disa gjëra që janë vështirësitë e terrenit që e quajmë ne, por që tani jemi mësuar dhe nuk na bën përshtypje.

CMG: Cila është pika më e lartë që mund të arrish në fushën profesionale, pra cili është synimi juaj në të ardhmen?

Ermal Vaka: Unë jam person që nuk ngopem kurrë me gjërat që bëj, gjithmonë kam ambicje për të arritur diçka më lart. Mendoj që kjo lloj fushe nuk ka kurrë fund, gjithmonë ka diçka të re dhe prandaj më pëlqen sepse nuk është monotone. Për momentin unë po bëj rubrikën time të vox popeve, por që kemi dhe projekte të reja që do jenë në moderimin tim. Që të kesh një emision tëndin besoj që për çdo person që e ka qejf ekranin është pika më e lartë ose ëndrra e çdokujt dhe besoj se kjo do jetë në synimet e mia më të afërta.

CMG: Të kemi parë dhe në disa programe televizive si protagonist në debate politike te Top Cahnnel. Do synosh në të ardhmen t’i futesh dhe politikës?

Ermal Vaka: Unë në shkurt bëra një audicion për të hyrë në emisionin “Lunatikët” në Top Channel dhe isha shumë i sigurtë që ditën e parë të audicioneve që do pranohesha. Unë kam vazhduar dy muaj në këtë emision dhe më kanë vlerësuar si një ndër konkurentët më të mire, qoftë publiku por dhe produksioni vetë, por që në fund jam shkëputur për arsye të projektit të ri që mora në ABC news, i cili ishte një projekt i imi dhe ishte një mundësi shumë më e madhe. Emisioni “Lunatikët” më futi shumë në pjesën e politikës.


Ermal Vaka si gazetar ne terren

Ermal Vaka si gazetar ne terren

CMG: Mendoni se është dhe fati që ju ka ndihmuar në rrugëtimin tuaj mediatik?

Ermal Vaka: Unë e kam thënë dhe do e rithem gjithmonë që përveçse shumë punë të duhet dhe shumë fat. Ndonjëherë këto të dyja janë të lidhura me njëra- tjetrën, sepse ti mund të jesh shumë i aftë, por nuk ke mundësi që ta shfaqësh aftësinë tënde dhe detyrimisht mbetesh pa gjë. Ndonjëherë nuk je shumë i aftë por ke shumë fat, por unë mendoj që sot duhet shumë punë, fat dhe kontakte.

CMG: Keni menduar ndonjëherë që të largoheni nga Shqipëria, apo nuk e le dot profesionin?

Ermal Vaka: Momentin që unë kam mbaruar gjimnazin kam menduar që të largohem nga Shqipëria para se të nisja studimet, madje jam larguar tre muaj nga Shqipëria. Nuk kam punuar jashtë, por kam shkuar për të parë një jetesë ndryshe nga se bëhej këtu. Më ka pëlqyer realisht, por ishim mësuar me zhurmën e Tiranës sepse unë jam rritur në Tiranë pavarësisht se origjinën e kam nga Mati. Në atë kohë e mendoja shumë që të ikja, por gjithmonë kur je jashtë ke një mall të jashtëzakonshëm për vendin tënd. Në këtë moment nuk e mendoj fare largimin, mendoj që Shqipëria është një vend shumë i bukur për të jetuar, pavarësisht se ka shumë vështirësi. Në rast se je i aftë dhe punon shumë dhe kërkon shumë nga vetja, mendoj se mund të sigurosh një jetesë shumë të mirë edhe këtu.

CMG: Shkoni shpesh për ta vizituar Matin dhe kur shkon atje ju shikojnë si një personazh publik. Si janë reagimet e banorëve dhe miqve tuaj atje?

Ermal Vaka: Fshati im është shumë i bukur. Ndodhet në rrethin e Matit dhe kufizohet me fshatrat e Tiranës. Më përpara rruga shkonte 3 deri në 4 orë, por tashmë me fillimin e Rrugës së Arbërit, pavarësisht se nuk ka përfunduar rruga është shkurtuar shumë dhe unë nga shtëpia ime në Tiranë dhe deri në fshat shkoj për një orë. Unë atje shkoj dy herë në muaj, sidomos gjatë verës ka raste që mund të shkoj më shpesh. Pavarësisht se jam rritur në Tiranë, origjina të jep gjithmonë një emocion të papërshkrueshëm. Unë atje ndjehem vërtetë në shtëpinë time, pavarësisht se jam larguar në moshën dy vjeçare. Atje ndjehesh sikur je në folenë tënde. Reagimi i banorëve të zonës atje është shumë i mirë, të gjithë thonë ky që del në televizor është djali jonë, pavarësisht se nuk kam kaluar një pjesë të jetës time me ato banorë, por kam një afrimitet të madh. Fshati im quhet Shkallë i Matit dhe banorët janë shumë të mirë dhe tepër miqësorë dhe të vlerësojnë shumë.

CMG: Ka qenë familja një mbështetje për ju gjatë studimeve dhe tani që keni dalë në rrugën e jetës dhe po punoni vetë?

Ermal Vaka: Familja padyshim që është mbështetja më e madhe. Unë kam pasur fatin të kem dy prindër të mrekullueshëm dhe një motër më të vogël. Prindërit e mi kanë qenë këmbëngulësit më të mëdhenj që unë të jetoj në Shqipëri dhe gjithmonë më kanë mbështetur edhe në momentin që unë nuk kisha asnjë lloj shprese, më kanë suportuar gjithmonë që të punoj në vendin tim dhe ta bëj vendin tim. Familja besoj se ndikon te çdokush prej nesh që të largohemi apo të qëndrojmë. Pavarësisht vështirësive të pafundme që familja ime ka pasur më kanë mbështetur gjithmonë që unë të rri këtu. Kjo besoj është arsyeja më kryesore që unë sot jam në Shqipëri sepse në moshën 18 vjeçare që unë ika jashtë mund të rrija dhe atje përfundimisht, sepse në atë moment ashtu është këndvështrimi yt për jetën.

CMG: Ermal faleminderit për këtë bsedë interesante dhe suksese!

Ermal Vaka: Faleminderit Gazi për këtë intervistë!

Intervistoi: Gazmend Agaj