Ajo sot është një kantautore shumë e njohur, por rrugën e artit e nisi me prezantimet në festivalet e fëmijëve. Ajo është Mariza Ikonomi. Mariza ka filluar të këndojë që e vogël, duke u aktivizuar në Qëndrën Kulturore të Fëmijëve dhe që aty duke marrë pjesë në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe Shkodër. Më pas me një hap vigan Mariza u ngjit në skenën e Festivalit të madh kombëtar në moshën 12 vjeç. Nga këngëtarët e Qëndrës së fëmijëve ajo u përzgjodh nga Françesk Radi i cili është një nga kantautorët më të mirë në Shqipëri. Mariza është këngëtarja e parë që u ngjit në këtë skenë në një moshë kaq të vogël. Kënga e tyre fitoi çmimin e telespektatorit që për atë vit ishte një çmim mjaft i rëndësishëm. Më pas çmime të tjera vërshuan për Marizën. Në festivalin e Fëmijëve mori çmimin e parë me këngën 'Mëmëdheu'. Po me këtë këngë fitoi përsëri çmimin e parë në Festivalin Ballkanik të Fëmijëve. Me këto dy këngë Mariza u bë shumë e dashur jo vetëm për femijët, por edhe për të rriturit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera ku këndonte.
Në Maqedoni Mariza fitoi çmimin e tretë në një festival mbarëkombëtar me këngën “Le të ketë gjithmonë pranverë”, ndërsa publiku i Kosovës që para pak kohësh e mbante mend ende të vogël e me size, e duartrokiti me zjarr si Mariza Ikonomi 17 vjeç, por me një zë të pjekur e shumë profesional. Pas disa koncerteve në Zvicër, Francë dhe me grupin “Ilirianët” në Hollandë dhe Kosovë, Mariza si pjesëtare e këtij grupi u mirëprit në festivalin e madh me këngët “Ti më fal” dhe “Dashuri dhe lot”, si dhe me albumin e tyre “Vegim Qiellor”, ku këngët kanë frymë mistike sepse edhe pjesetarët e grupit janë besimtarë. Pas kësaj përvoje, Mariza Ikonomi rifilloi të këndojë vetëm, por duke u mbështetur nga grupi me këngë tepër të suksesshme si “S'do qaj” etj.
Kjo këngë u kompozua nga vetë Mariza dhe publiku i Kosovës dhe Maqedonise e priti shumë mirë. Në Festivalin e pranverës me këtë këngë Mariza u vlerësua me çmimin interpretuesja më e mirë “Mikrofoni i Artë” dhe tek “Kënga Magjike” doli përsëri interpretuesja më e mirë më këngën “S'e di”. Këto kohë Mariza ka realizuar dy videoklipe të këngëve “Kur vjen e diela”, që është sigla hapëse e një show televiziv dhe të këngës “S'e di”.
Në vitin 1994, Mariza Ikonomi mori pjesë në Festivalin e 32-të Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër me këngën "Falmë ca lule"me tekst nga Irma Kurti dhe muzikë nga Edmond Rrapi.
Ndërsa në dhjetor të vitit 1994, Mariza Ikonomi dhe kantautori Francesk Radi morën pjesë në Festivalin e 33-të të këngës në RTSH me këngën "Telefonatë Zemrash". Ky duet u prit mjaft mirë nga publiku. Që nga ky moment dhe deri më sot, pjesëmarrjet e saj në festival kanë qenë të shumta, por dhe duetet gjithashtu, madje duke u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme.
Mariza Ikonomi është këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Ka perfunduar studimet ne Liceun Artistik "Jordan Misja" e më pas ka përfunduar studimet në Akademinë e Lartë të Arteve, dega kanto. Ajo ka patur bashkëpunim me këngëtarë e autorë të ndryshëm, sepse mund të këndoje çdo lloj zhanri muzikor, duke filluar nga ai popullor e deri tek ai alternativ e heavy metal. Këngetarët e saj të preferuar janë Celine Dion, Alanise Marisete, Guns'n Roses, Cranberryes etj.
Përgatiti Sava Lena