Katër të madhërishëm ka në Univers

Dhe njeri mes tyre është Njeriu

Njeriu respekton ligjet e Tokës

Toka respekton ligjet e Qiellit

Qielli respekton ligjet e Taos

Dhe Tao thjesht respekton ligjet e natyrës

Laozi

“Tao Te Ching” ose “Laozi” Rruga drejt virtytit është një ndër veprat më të reja në tregun shqiptar të librit të huaj. Sinologu shqiptar Iljaz Spahiu e ka sjellë nga origjinali në kinezisht në gjuhën shqipe. Për të gjithë të interesuarit dhe të pasionuarit pas taoizmit dhe filozofit më të madh të Kinës antike Lao Zi vjen kjo “Filozofi poetike” e përkthyer rreth 250 herë. Ky është libri kulturor më i përkthyer dhe botuar në gjuhë të huaja pas Biblës.


Sinologu Iljaz Spahiu ne interviste per CMG

Sinologu Iljaz Spahiu ne interviste per CMG

CMG: Z. Spahiu përgëzime për këtë përkthim, një kontribut me vlerë në fondin e përkthimeve nga origjinali në kinezisht në gjuhën shqipe. Nuk ka munguar as përgëzimi i Ambasadës Kineze në Shqipëri, permes një njoftimi për shtyp si dhe vëmendja e seksionit shqip të gjuhës shqipe pranë Grupit Mediatik të Kinës (CMG) për këtë përkthim tuajin.

Si lindi ideja e sjelljes së Laozi në shqip?

Iljaz Spahiu: Jam shumë i gëzuar që kam rastin të ndaj me ju disa mendime për këtë libër, të cilin unë e quaj një arritje të madhe dhe për lexuesin shqiptar. Në fakt, gjithmonë më ka ngacmuar idea që të përktheja diçka nga librat filozofikë kinezë, qoftë nga Laozi, qoftë nga Zhuangzi (Konfuci ). Për fat një nga librat që përfshihej në programin e përkthimeve reciproke ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, ishte dhe libri Laozi Tao Te Ching. Nga shtëpia botuese por dhe nga pala kineze fillimisht u mendua që ky libër të përkthehej nga gjuha angleze. Unë pata mundësinë që para se të shkonte për botim nga shtëpia botuese ta shoh përkthimin nga gjuha angleze dhe të them të drejtën nuk më pëlqeu. Kështu që fola me shtëpinë botuese dhe partnerët tanë kinezë dhe vendosa që ta merrja vetë përsipër përkthimin e këtij libri, megjithëse e dija se është një ndërmarrje shumë e vështirë.

Para se t’i hyja përkthimit u konsultova me Laozi në origjinal dhe me variantet e përkthimit të tij në gjuhën angleze, pasi duhet thënë që ky libër gati 2500 vjeçar ka disa variante në gjuhën angleze dhe është përkthyer, siç e the dhe ti, mbi 250 herë. Unë gjeta variantin më të përshtatshëm në gjuhën kineze dhe fillova ta përktheja, në fillim paksa i ndrojtur dhe jo shumë i bindur, por dalëngadalë gjatë përkthimit e shijova shumë.

Që në fillim më pëlqeu jo vetëm për idetë që përcjell Laozi, interpretimin filozofik që përcjell ai, por them që diçka kam arritur.


Laozi Rruga drejt virtutit

Laozi Rruga drejt virtutit

CMG: Tashmë emri juaj si përkthyes në shqip është i lidhur ngushtë me vepra nga letërsia, politika dhe filozofia kineze është i lidhur ngushtë. I sati përkthim në shqip është ky për ju?

Iljaz Spahiu: Duhet të jenë mbi dhjetë libra dhe saktësisht janë trembëdhjetë libra që unë kam përkthyer nga gjuha kineze në shqip qysh nga 2013. Në vitin 2014 kam nxjerrë të parin, “Bretkocat” nga Mo Yan dhe pastaj kam vazhduar, falë dhe programit të përkthimeve. Kam përkthyer nga letërsia dhe i fundit përkthim duhet të dale ndoshta këtë javë. Është libri “Të jetosh” i Yu Hua, një shkrimtar mjaft i njohur në Kinë. Gjithashtu kam përkthyer nga ekonomia, politika, nga filozofia, sepse përveç Laozi kam përkthyer dhe një seri librash mjaft interesantë “Konceptet bazë të mendimit dhe të kulturës kineze”. Kam përkthyer katër volume të këtij libri dhe do të vazhdoj deri në volumin e nëntë, që gjithashtu është mjaft interesant.

CMG: Si është pritur deri tani libri nga dashamirësit shqiptarë, pavarësisht se i përket një lexuesi elitar, sepse kemi të bëjmë me taoizëm dhe filozofi ?

Iljaz Spahiu: Në dijeninë time libri është pritur mjaft mire. Unë kam pasur kontakte me shtëpinë botuese, por duhet patur parasysh se tani fillon periudha e pushimeve dhe siç e the dhe ti, duke qenë një libër elitar ka një numër të posaçëm lexuesish, sepse jo çdokush mund ta blejë Laozi dhe ta kuptojë gjithashtu. Për librin është botuar një shkrim dhe në gazetën “Exlibris”, një gazetë mjaft e mire në fushën e letërsisë.

Ne kemi në plan bashkë me shtëpinë botuese, por dhe me një profesor filozofie, Gjergj Sinani, i cili ka shkruar parathënien e librit, që këtë libër ta promovojmë në universitete, në degën e filozofisë jo vetëm në Tiranë, por dhe nëpër rrethe. Sigurisht që presim nga shtatori, tetori që të fillojë viti akademik

Qëllimi ynë bashkë me profesorët e filozofisë është që ky libër të bëhet pjesë e kurrikulës së filozofisë, bashkë me filozofë të tjerë remake, grekë etj. Pritet gjithashtu të dale shumë shpejt libri “Analet e Konfucit” , i cili është përkthyer nga anglishtja, por është një përkthim mjaft i mire. Të dyja këto vepra do t’i promovojmë në universitete në mënyrë që të përfshihen në kurrikula. Nga bisedat që kam pasur me profesorë të filozofisë të universiteteve tona edhe ata e ndjejnë mungesën e filozofëve kinezë në literature akademike.

CMG: Keni një lidhje gati gjysmëshekullore me Kinën dhe kinezishten. Tashmë kontributi juaj në promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze po jepet edhe nëpërmjet programeve “Mësojmë kinezisht” të transmetuara nga Radio Ejani. Le të flasim për drejtimin nga ju të këtij programi.

Iljaz Spahiu: Ishte një ide mjaft e mire e redaksisë suaj për të iniciuar një program të tillë. Mua kur ma thane më pëlqeu menjëherë dhe isha shumë i gatshëm e me shumë dëshirë sepse mendova që Kina duke qenë një vend i madh dhe gjuha kineze një ndër gjuhët kryesore në botë për shqiptarët do të jetë diçka shumë e mire që të mësojnë disa fjalë nga gjuha kineze, por nëpërmjet gjuhës të mësojnë diçka nga Kina, civilizimi kinez dhe kultura e këtij vendi.

Sapo kemi filluar këtë program. Është transmetuar emisioni i pare në radio.


CMG: Ashtu siç e thatë dhe ju nuk është një program me mësim klasik të gjuhës, por merret shumë njohuri përsa i përket Kinës, kulturës, traditave të saj dhe dëgjuesit mund ta ndjekin në 106 FM në orën 16.00 çdo të shtunë, të ritransmetuar të dielën në të njejtën orë. Do të vazhdoni në këtë format programi?

Iljaz Spahiu: Do të vazhdojmë në këtë format fillimisht në audio dhe presim të kalojmë në video. Shpresoj që ky program të jetë një ndihmë e mire për dëgjuesit, për të rinjtë që studjojnë kinezisht, ata që merren me biznes me Kinën, por dhe ata që kanë interes të njohin Kinën dhe të udhëtojnë në këtë vend. Do t’ju shërbejë për të njohur zakonet e kinezëve, traditën, kulturën. Me siguri nëse do të dëgjojnë këtë emision me kujdes do të jenë të suksesshëm në Kinë, pasi do të dine të komunikojnë më mire me kinezët.

Intervistoi Eda Merepeza