Kristaqi duke shpejguar ne klase
Mësuesi i biologji-kimisë Kristaq Viso pavarësisht formimit të gjithanshëm dhe sipërmarrjeve të shumta që ai parapëlqen të marrë, të veçantë e bën diçka tjetër. Ai mund të shkruajë me të dyja duart në të njëjtën kohë. Dhuntia e mësuesit i le të gjithë pa fjalë. Madje edhe kolegët habiten sesi ai ia del të shpjegojë e të shkruajë në të njëjtën kohë me dy duar. Kristaqi ka lindur me këtë dhunti, por dëshirën për të punuar me dy duar në të njëjtën kohë e ka zhvilluar me kohën. Në një intervistë për CMG ai na tregon për këtë dhunti si dhe arritjet që ka në fusha të tjera të jetës.
CMG: Z.Viso përshëndetjë dhe faleminderit për pjesëmarrejn tuaj në Radio Ejani
Kristaq Viso: Faleminderit për ftesën dhe ju përshëndes të gjithëve.
Kristaq Viso me familjen e tij
CMG: Ju jeni bërë i njohur në disa fusha, por në cilat prej tyre keni pasur më shumë sukses?
Kristaq Viso: Është e vërtetë që unë kam arritur suksese në shumë fusha, në fushën profesionale si mësues. Unë kam mbaruar për biologji-kimi dhe jam mjeshtër në profesionin e mësuesit. Suksesi më i madh që unë kam arritur është ai i rekordeve botërore Guiness ku unë jam anëtar që prej vitit 2002. Jam i vetmi njeri në botë që shkruaj njëkohësisht me të dyja duart në të njëjtën kohë si në shkrim, ekuacione matematikore dhe gjithashtu edhe në vizatim.
CMG: Kjo është një dhunti e juaja apo e keni trashëguar nga dikush në familje?
Kristaq Viso: Siç më ka treguar mamaja ime unë i kam ngjarë gjyshes, sepse dhe ajo i përdorte të dyja duart. Këtë dhunti e ka trashëguar dhe djali im i dytë, që shkruan njësoj si unë me të dyja duart.
CMG: Kjo dhunti e të shkruarit njëkohësisht me të dyja duart ju ka ndihmuar në fushën e mësimdhënies?
Kristaq Viso: Sigurisht që më ka ndihmuar sepse kur shkruaj në dërrasë ka momente që mund të shkruaj njëkohësisht me të dyja duart në zgjidhjen e ushtrimeve të kimisë, ose kur bëj vizatime në lëndën e biologjisë.
CMG: Gjatë jetës suaj jeni marrë me sport dhe muzikë. Këto janë dy pasione të tjera tuajat?
Kristaq Viso: Pikërisht. Hapat e mia të para kanë qenë në atletikë nga klasa e pestë deri në të tetën ku kam qenë kampion në 6 garësh. Pastaj vjen basketbolli me të rinjtë e ekipit të “Skënderbeut” edhe me të rriturit ku kam shkëlqyer sepse gjuaja me të dyja duart dhe isha shumë i rrezikshëm për kundërshtarin.
Kristaqi duke zgjedhur ekuacion matematikor me te dyja duart
CMG: Cila nga duart kishte më sukses, kur gjuaje topin në kosh?
Kristaq Viso: Me dorën e majtë kam pasur sukses në distancë dhe brenda zonës gjuaja me të dyja duart.
CMG: Po muzika si erdhi në jetën tuaj?
Kristaq Viso: Çdo korçar në vetvete përmban tingujt e muzikës korçare, sepse jemi rritur me ato këngë që këndoheshin te kodrat e qytetit dhe ne gjithmonë dëgjonim nga dritaret ose ballkonet e shtëpive këngët, që këndoheshin çdo natë. Por unë kam një veçanti, sepse babai im ka kënduar shumë bukur dhe motra ime është aktivizuar me ndërmarrjen e trikotazhit në Korçë dhe ka kënduar solo. Unë kam kënduar që i vogël me grupet e shkollës edhe si solist, por dhe në korin e shkollës.
Kristaq Viso ne klase
CMG: Deri tani folëm për arritjet tuaja në disa fusha, por a keni hasur në vëshirësi për të arritur këto suksese?
Kristaq Viso: Sigurisht që rruga për të arritur suksesin nuk është autostradë që fillon e mbaron në fund, por ka dhe ato rrotullimet dhe rrethet që ka autostrada ose ato kalimet majtas e djathtas, rëniet dhe ngritjet. Por mua këto më kanë forcuar më shumë. Unë arrita të nxjerr dhe një album muzikor në vitin 2005, duke e promovuar në Tiranë dhe dy nga këngët ia kam dedikuar bashkëshortes sime.
Kristaq Viso ne interviste pe CMG
CMG: Para disa vitesh u larguat nga Shqipëria për në Gjermani dhe jetuat atje 2 vite. Si ishte jeta juaj atje?
Kristaq Viso: Për mendim tim dalja jashtë shtetit duhet provuar nga çdo njeri sepse është tjetër jetë nga vendi ku ne jetojmë. Njeriu nga një fshat në fshatin tjetër të kalojë dhe mëson zakone dhe tradita të reja, jo më të kalosh nga një shtet në një shtet tjetër, që është shumë i fuqishëm. Unë jo se kisha dëshirë të ikja vetë, por mu dha mundësia që të kaloj dy vjet në Gjermani. Për këtë jam shumë i kënaqur sepse kam përfituar shumë duke mësuar dhe mbrojtur gjuhën gjermane, por kam njohur edhe njerëz të rinj atje.
Kristaq Viso ne ambientet e shkolles
CMG: Përveç gjuës gjermane ju zotëroni dhe atë angleze dhe zhvilloni dhe kurse në këto dy gjuhë. Si arrini ti menaxhoni të gjitha këto gjëra?
Kristaq Viso: Faktori kryesor për çdo njeri është koha. Kush di ta administrojë kohën çdo gjë arrihet dhe unë jam mik me kohën dhe eci përpara. Unë në shkollën 8 vjeçare dhe të mesme kam bërë gjuhën ruse, por në atë kohë nuk kishim ndonjë shpresë për të ikur në Rusi. Mbas vitit 1990 kur u hapën rrugët unë kam mbrojtur gjuhën angleze dhe kam dhënë anglisht në shkolla të ndryshme. Edhe kur erdha në Tiranë kam dhënë anglisht në shkollën “Kongresi i Lushnjes” dhe më vonë kalova në shkollën “Dhora Leka” ku jepja lëndët kimi -biologji dhe anglisht. Gjuhët e huaja janë një dritare e hapur për çdo njeri ku sa më shumë gjuhë të huaja të dish aq më tepër komunikon me botën, merr informacione të reja dhe ndjehesh mirë.
Intervistoi: Gazmend Agaj