Sidrit Tako ka kryer studimet e larta në Universitetin Ndërkombëtar të Biznesit dhe Ekonomisë në Pekin. Pasi ka studiuar dhe jetuar në Kinë për 8 vjet, Sidriti është rikthyer në Shqipëri, duke mbajtur disa pozicione në administratën publike si këshilltar i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe së fundi është Drejtor në Drejtorinë Tregtare dhe Rregullatore pranë shoqërisë Albgaz. Në një intervistë për Radio Ejani ai na tregon për eksperiencën e tij kineze si dhe kujtimet nga vendi aziatik.

CMG: Z. Tako faleminderit që jeni i pranishëm në valët e Radio Ejani.

Sidrit Tako: Faleminderit shumë për ftesën.

CMG: Ju keni studiuar në Pekin. Si erdhi mundësia për të studiuar në Kinë? A ishte kjo zgjedhja juaj?

Sidrit Tako: Unë kam studiuar në Kinë në periudhën 2007-2008 ku kam kryer mësimin e gjuhës kineze dhe në periudhën 2008-2012 kam ndjekur për katër vite studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë. Kjo ka qenë një zgjedhje e imja, por e mbështetur nga babai im që asokohe ishte në marrëdhënie pune dhe tregtie me Kinën.

CMG: Pra keni pasur një lidhje të hershme me Kinën nga babai juaj?

Sidrit Tako: Është e vërtetë. Ishte një shtysë prej tij e cila zgjoi kureshtjen dhe interesin tim për të studiuar dhe më pas për të punuar në një shtet të mrekullueshëm si Kina.

CMG: Na flisni pak për emocionet që ju keni përjetuar në ditët e para pas mbërritjes në Pekin?

Sidrit Tako: Ishte një impakt i imi i parë me një qytet aq të madh sa Pekini, vështirësitë ishin të ndryshme, ku do të cilësoja në veçanti mënyrën e ushqimit dhe kulturën kineze, që ndryshonin thelbësisht nga ajo shqiptare.

CMG: U ambientuat lehtë me jetën në Pekin?

Sidrit Tako: Falë miqve të mi kinezë, që pata fatin t’i njihja që në ditët e para të mbëritjes time në Kinë, mu bë më e lehtë dhe më e këndshme përshtatja ime me qytetin e Pekint dhe me kulturën kineze në përgjithësi.

CMG: Çfarë kujtimesh ruani nga periudha juaj e gjatë e qëndrimit në Kinë?

Sidrit Tako: Unë kam studiuar për pesë vjet në Pekin dhe pas studimeve universitare kam punuar pranë Korporatës Kineze të Metalurgjisë për gati tre vjet. Kujtimet janë mbresëlënëse, unë kam udhëtuar shumë thuajse në të gjithë territorin e Kinës, nga ku kam mbresa më të bukura si nga vendet që kam vizituar, nga kultura, miqtë dhe kolegët e mi në Kinë.

CMG: Duke ditur se keni qëndruar gati 8 vjet në Kinë, arritët ta mësonit gjuhën kineze dhe ta ruani akoma edhe sot?

Sidrit Tako: Në vitin 2008 ishte kriter pranimi në Universitetin Ndërkombëtar të Biznesit dhe Ekonomisë niveli 3 i HSK-së të provimit shtetëror që Kina ka për studentët e huaj, të cilët duan të studiojnë dhe integrohen në universitetet kineze. Kësisoj unë arrita nivelin HSK3. Në përfundim të sudimeve universitare në vitin 2012, unë arrita të marr nivelin 5 të gjuhës kineze, pra nivelin maksimal për studentët e huaj. Vazhdoj edhe sot e kësaj dite ta ruaj dhe kultivoj këtë gjuhë që është unike dhe e rrallë. Kështu që e flas, e shkruaj dhe kuptoj shumë mirë.

CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj këtu në Tiranë, pas kthimit nga Kina?

Sidrit Tako: Praktikisht në vitin 2015 unë jam kthyer në Shqipëri, nga ku fillimisht u angazhova në sektorin privat, vazhdova të ndiqja marrëdhëniet e import-eksportit me disa kompani kineze. Më vonë nëpërmjet një konkursi arrita të fitoja një pozicion pune në kabinetin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, pra si këshilltar i ministrit në këtë ministri. Në vitin 2018 kam filluar dhe vazhdoj aktualisht të mbaj pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë Tregtare dhe Rregullatore në Albgaz. Gjithashtu, paralelisht si punë të pjesshme unë jap edhe mësimin e gjuhës dhe kulturës kineze pranë Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës.

CMG: Si është interesi nga shqiptarët për të mësuar gjuhën kineze?

Sidrit Tako: Nuk u çudita fare kur u bëra pjesë e Institutit Konfuci. Ishin disa klasa nga niveli fillestar deri në nivelin 5 të gjuhës kineze të mbushura me të reja e të rinj shqiptarë, që kanë dëshirë të mësojnë gjuhën kineze. Sigurisht që kjo gjuhë përbën gjithmonë interes për popuj të ndryshëm. ku dhe shqiptarët nuk bëjnë përjashtim nga këto raste për të mësuar kulturën dhe gjuhën kineze dhe ku ka një interes të shtuar ndër vite. Siç më ka komunikuar dhe drejtori i institutit që dëshira dhe kërkesa për ta mësuar këtë gjuhë ka çuar në shtimin e klasave dhe mësuesëve të kësaj gjuhe në Tiranë.

CMG: Përveç mësimëdhënies së gjuhës kineze, ju keni bërë edhe disa përkthime nga kjo gjuhë.

Sidrit Tako: Përgjatë qëndrimit tim në Pekin unë kam dhënë një kontribut në Institutin Konfuci pranë selisë qendrore Hanban në Pekin, ku kam përkthyer nga gjuha kineze në gjuhën shqipe “Programin Mësimor Ndërkombëtar për Mësimin e Gjuhës Kineze”. Gjithashtu, kam redaktuar dhe një fjalor të vogël praktik xhepi, që quhet “Njohuritë Themelore të Gjuhës Kineze”.

CMG: Mbani akoma kontakte me miqtë tuaj kinezë edhe pse keni vite që jeni larguar nga Kina?

Sidrit Tako: Patjetër që po. Ato janë një aset që unë i ruaj dhe kultivoj me shumë dashamirësi. Gjejmë gjithmonë rastin qoftë në komunikimet në WeChat, qoftë dhe gjatë vizitave të mia jo më aq të shpeshta në Kinë, ne takohemi dhe këmbejmë eksperiencat tona pas periudhës së studimeve në Kinë, sigurisht dhe të eksperiencave të atyre që vazhdojnë në Kinë. Kështu që është një aset që unë do ta ruaj për gjithë jetën time miqësinë me shokë dhe shoqe, që kemi mbaruar bashkë universitetin dhe kemi jetuar për gati 8 vite në Pekin.

CMG: Gjatë vizitave tuaja të fundit në Kinë, çfarë emocionesh keni përjetuar, duke ditur se atje keni jetuar shumë vite më përpara?

Sidrit Tako: Unë ndjej mall kur jam në Shqipëri dhe realisht ndjehem shumë mirë kur takoj këta miq dhe kur vizitoj qytetin tim të dytë Pekinin, qytet në të cilin unë u rrita. Ndjehem si në shtëpinë time dhe shumë komod dhe herë - herë mërzitem kur lë Pekinin për t’u rikthyer në angazhimet e mia dhe jetën time në Tiranë.

CMG: Jemi në prag të pushimeve, ju keni planifikuar se ku do t’i kaloni pushimet verore?

Sidrit Tako: Faktitkisht nuk e kam menduar akoma. Ka qenë një vit i çuditshëm dhe i vështirë për të gjithë botën. Besoj diku në bregdet dhe uroj që të kalojmë pushime të qeta dhe të mbara dhe larg këtyre streseve që na kanë ngarkuar gjatë këtij viti të pandemisë.

CMG: Z.Tako ju falenderoj për këtë intervistë dhe së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Sidrit Tako: Faleminderit ju Gazi që na krijove mundësinë të shprehemi për këtë eksperiencë të mrekullueshme, që kemi nga periudha e jetës tonë në Kinë. Ju uroj të gjithë miqve të Radio Ejani, pushime të mbara meqenëse jemi në prag pushimesh dhe ta dëgjoni dhe frekuentoni sa më shumë këtë radio, sepse është realisht një radio që kemi shumë për të mësuar të gjithë.

Intervistoi: Gazmend Agaj