Iris Bega ne interviste per CMG

Iris Bega ne interviste per CMG

Iris Bega është soliste pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në vitin 2010 Ansambli udhëtoi për të dytën herë në Kinë në aktivitetin e Expo Shangait, ku dhe Shqipëria merrte pjesë për të promovuar vlerat e saj kulturore. Në një intervistë për Radio Ejani Irisi sjell kutjtimet e saj të këtij udhëtimi si dhe eksperiencën kineze.

CMG: Kënaqësi Iris që të kem të ftuar në valët e Radio Ejani, për të na sjellë kujtimet tuaja nga vizita në Kinë.

Iris Bega: Gazi faleminderit ju dhe është kënaqësi për mua të jem me ty sot.

CMG: Para disa vitesh ju së bashku me pjesëtarë të tjerë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Populllore keni qenë në një turne në Kinë. Si ishte kjo eksperiencë për ju?

Iris Bega: Ka qenë vërtetë një eksperiencë shumë e bukur dhe pritja atje ishte e jashtëzakonshme, sepse ishte hera e dytë që AKVP shkonte në Kinë. Ky turne ishte në kuadrin e Expo Shangait për promovimin e kulturës tonë, ishte një rrugë që kishte emocion dhe kulturë brenda.


Iris Bega ne foto kujtime nga Kina

Iris Bega ne foto kujtime nga Kina

CMG: Duke ditur se ju keni udhëtuar në disa vende nëpër botë, besoj se udhëtimi në Kinë ka qenë i veçantë për ju dhe e keni pritur me emocion.

Iris Bega: Po ishte i veçantë sepse të veçantë e bënë edhe ata, mënyra se si na pritën që në momentin që zbritëm në aeroport. Ishte një pritje madhështore me flamuj e lule nëpër duar, pra pritnin me shumë mall Shqipërinë, sepse ishin të përgatitur që do vinim ne dhe ishin në dijeni për kulturën tonë se çfarë ne do të performonim apo këndonim, kostumet dhe çdo gjë duke na pritur me padurim.

CMG: Sa ditë qëndruat në Shangai për promovimin vlerave kulturore të Shqipërisë?

Iris Bega: Ne qëndruam 10 ditë atje dhe ishte eksperiencë e bukur, përveç ditës së pavionit të Shqipërisë që u zhvillua më datën 5 maj, e cila ishte dhe dita e parë e këtij pavioni kombëtar të Expo Shangait. Natyrisht që ne tërhoqëm një vëmendje shumë të madhe atje sepse që nga hapja e ceremonisë u pritëm me ngritjen e flamurit tone, që ishte respekti ndaj nesh. Hapja ishte ekskluzive duke u ekzekutuar himni kombëtar i Shqipërisë dhe ne ishim të veshur me kostumet tona popullore në hapjen e promovimit tonë.

CMG: Ju çfarë kostumi kishit të veshur gjatë prezantimit në këtë event të Ekspo Shangait?

Iris Bega: Unë kisha kostumin e Shqipërisë së mesme dhe me atë kostum jam përfaqësuar gjithmonë. Ishin edhe vallëtarët apo orkestrantët me kostumet tradicionale të Shqipërisë së mesme, jugut e veriut dhe publiku aty u mahnit pas nesh.


Ansambli ne Expo Shangai

Ansambli ne Expo Shangai

CMG: Si ishte pritja e publikut kinez dhe a ksihte nga ata që u afronin për të bërë fotografi me ju?

Iris Bega: Ato të gjithë kishin një disiplinë të madhe ku rrinin në radhë, sepse atje çdo gjë ishte me rregull dhe merrnin leje si dhe prisnin me padurim të buzëqeshur që të bënin foto me ne. Ata ishin njohës të muzikës tonë dhe të filmave shqiptarë.

CMG: Gjatë shfaqjes suaj në këtë event kishte nga publiku kinez, që kërcenin kur ju debutonit në skenë?

Iris Bega: Ata ndoshta donin të kërcenin, por kishin atë qëndrimin strikt të tyre dhe e ndiqnin koncertin me shumë kuriozitet, por gjatë një koncerti në një qytet tjetër kur na pritën, pamë dy kinezë që këndonin me ne. Unë mbaj mend që këndova një fragment shumë të vogël të një potpurie të Shqipërisë së mesme, duke e shoqëruar me “Qenke veshur me të bardha” dhe “Buzëqesh goca” ku te kjo këngë dëgjova të këndonin, lake lake, lake bubulake, pra lëviznin gojën me ritmin e këngëve. Ndoshta kishte dhe nga ata që e njihnin këngën, përveç filmave shqiptarë që ne dëgjuam se ato ishin të pasionuar.

CMG: Na tregoni rreth Expo Shangait dhe aktivitetit tuaj atje

Iris Bega: Nëpërmjet pavionit tonë të Expo Shangait vizitorët kishin rastin të njihnin nga afër historinë, kulturën e lashtë të vendit të shqiponjave sepse ne kështu e quajtëm dhe atje aktivitetin tonë me atë panoramën e bukur bregdetare dhe mesdhetare, me doket dhe traditat e veçanta si dhe ndryshimet që kishte bërë Shqipëria dita - ditës. Atje vumë re nga vizita e qytetaëve të Shangait që kishte një përshtypje të pashlyeshme. Siç duket miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë vazhdon me një dashuri të madhe, sidomos për vlerat tona ishin shumë të preokupur për ta parë qytetin në fotot tona.


Pjesetare te Ansamblit ne Kine në takim m ish ambasadorin M. Peka

Pjesetare te Ansamblit ne Kine në takim m ish ambasadorin M. Peka

CMG: Gjatë këtyre 10 ditëve qëndrimi në Shangai kishit kohë të lirë për të vizituar qytetin?

Iris Bega: Ata kishin organizuar edhe disa vizita në vendet më të bukura të Shangait dhe që mbetëm vërtetë pa fjalë nga bukuritë e këtij qyteti. Kishte zhvillim, ishte shumë bukur, vendet kulturore ku ata na çuan ishin vërtetë të bukura.

CMG: Iris do të kishe dëshirë të riktheheshe në Kinë pas kaq vitesh në një aktivitet të tillë?

Iris Bega: Pse jo! Do të ishte shumë bukur, do të doja sinqerisht të rikthehesha dhe njëherë në atë ditën e Expo Botërore të Shangait, sepse ishte vërtetë bukur dhe ja vlente.


Iris Bega ne Shangai

Iris Bega ne Shangai

CMG: A ishte për ju një nga eksperiencat më të veçanta kjo e Kinës nga të gjitha udhëtimet tuaja në vende të tjera?

Iris Bega: Ishte vërtetë e veçantë nga të gjitha vendet që unë kam shkuar sepse kam shëtitur shumë me Ansamblin dhe kjo kishte veçantinë e vet. Siç e përmenda që në fillim, mënyra se si na pritnin dhe se si ne duhet të komunikonim me ta. Pra kishin rregullat e veta sepse gjëja e parë që na bënë sapo zbritëm na treguan rregullat. Ne vërtetë u kënaqëm me disiplinën dhe rregullin e tyre, pra gjithçka ishte mbresëlënëse.

CMG: Kjo ishte hera e dytë që Ansambli shkonte në Kinë, pasi ka qenë dhe në vitin 1973. Kishte nga ata që e kujtonin Ansamblin e atyre viteve?

Iris Bega: Që atëherë dhe deri në vitin 2010 që ne bëmë këtë udhëtim, ata kishin foto dhe kujtime nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Kishin të solistëve tanë, Rexhepit dhe Lilit si dhe këngëtarëve dhe i ruanin me nostalgji. Te pritja e parë që ata na bënë na thanë që kanë qenë dhe këta dhe ja ku erdhët dhe ju përsëri. Pra i bashkangjitën ata kujtimet, duke i ruajtur me nostalgji dhe i kujtonin në mënyrën më perfekte.

Intervistoi: Gazmend Agaj