Rexhep Hida ne interviste per CMG
Profesor Rexhep Hida është përkthyes dhe botues i njohur. Ai ka punuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, fillimisht si përkthyes, më pas shef redaksie si dhe ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës për disa vite, për letërsi moderne. Më pas themeloi Shtëpinë Botuese “Fan Noli” e cila është shtëpia e parë botuese private në Shqipëri, e krijuar në maj të vitit 1991. Në një intervistë për Radio Ejani Profesor Hida flet rreth botimeve të librave kinezë të përkthyer në gjuhën shqipe si dhe na tregon për eksperiencën e tij kineze, gjatë udhëtimeve në Kinë.
Rexhep Hida ne Shtepine botuese Fan Noli
CMG: Profesor Hida, ju falenderoj që pranuat ftesën për në Radio Ejani.
Rexhep Hida: Kënaqësia është e imja që jam i ftuar në këtë radio, kaq të mirënjohur.
CMG: Këtë intervistë së bashku po e relizojmë në një ambient të rrethur me libra dhe që duket mjaft këndshëm. Nga kjo kuptohet që keni lidhje të ngushtë me librin.
Rexhep Hida: Unë jetën time e kam pas lidhur herët me librin. Pasi mbarova Universitetin u emërova profesor në Universitetin e Tiranës për lëndën e letërsisë moderne, më pas shkova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” ku dy vjet më vonë u bëra shef i redaksisë politike, detyrë që e mbajta për 12 vjet rresht. Kështu që gjithë jeta ime ka shkuar mes librave dhe vazhdon të jetë rreth librave. Tani është kënaqësi që duke pasur Shtëpinë Botuese “Fan Noli”, që është e para shtëpi botuese private në Shqipëri e hapur në maj të viti 1991, pra u mbushën 30 vjet nga krijimi i kësaj shtëpie botuese, unë mendova që portofolin e botimeve të shtëpive botuese që ishin në sistemin e mëparshëm, ta pasuroj duke sjellë tituj të rinj, që i mungonin letërsisë shqiptare. Mendoj se në njëfarë mënyre ja kam arritur, duke parë që këta tituj vlerësohen nga lexuesi shqiptar.
Botimet e librave kineze ne gjuhen shqipe
CMG: Në Shtëpinë Botuese “Fan Noli” janë botuar edhe shumë libra të autorëve kinezë, të përkthyer në gjuhën shqipe. Si erdhi ky bashkëpunim që ju të botonit këto libra?
Rexhep Hida: Shtëpia Botuese “Fan Noli” e nisi aktivitetin e saj duke botuar vepra të mëdha të letërsisë dhe filozofisë botërore, si “I huaji” që është romani i parë privat në Shqipëri i Albert Kamysë, vepra të tjera të Frojdit, po kështu kemi botuar vepra të Tolstoit, Çehovit etj. Por një shtëpi botuese që të jetë e plotë, është e pamundur që të mos përfshijë letërsinë dhe filozofinë më të madhe të të gjitha vendeve, përfshirë këtu dhe filozofinë lindore, siç është edhe filozofia dhe letërsia kineze.
Pra portofoli i botimeve të Shtëpisë Botuese “Fan Noli” do të ishte i pa plotë pa përkthyer dhe botuar në shqip autorët më të mëdhenj të filozofisë dhe letërsisë kineze. Kjo ishte arsyeja që unë e kisha planifikuar me kohë që duhet t’i drejtoj temat e veprimtarisë tonë në përkthimin dhe botimin e këtyre veprave shumë të rëndësishme.
Rexhep Hida ne Panairin e Pekinit
CMG: Cilat janë veprat më të fundit të autorëve të letërsisë kineze të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të botuara nga “Fan Noli”?
Rexhep Hida: Deri tani Shtëpia Botuese “Fan Noli” ka botuar mbi 5000 tituj librash të autorëve më të mëdhenj në botë, siç janë veprat të Kafkës, Kamysë, Dostojevskit etj. Por vepra më e rëndësishme dhe më me vlerë që ka sjellë kjo shtëpi botuese në gjuhën shqipe është libri “Qeverisja e Kinës” e Xi Jinping. Për përkthimin dhe botimin e kësaj vepre kaq të rëndësishme ne mobilizuam disa përkthyes, dy redaktorë dhe tre korrektorë, dhe sigurisht që gjithçka është bërë nën mbikqyrjen dhe redaktimin tim të përgjithshëm.
Mendoj se me punën e kujdesshme që është kryer nga përkthyesit dhe redaktorët si dhe vetë Shtëpia Botuese si dhe në bashkëpunim me shtëpinë botuese kineze në Pekin “Foreign Languages Press”, arritëm që të sjellim në shqip një kryevepër të filozofisë, të politikës siç është vepra e Xi Jinping. Kjo seri përmban rreth 14 vëllime, ne kemi sjellë vëllimin e parë dhe kemi bërë gati vëllimin e dytë, i cili akoma nuk është hedhur në qarkullim, por e kemi përfunduar. Në nëntor kemi vëllimin e tretë dhe shpresojmë që vëllimin e dytë dhe të tretë t’i hedhim përnjëherësh në qarkullim këtë vit osë në fillim të vitit tjetër.
Veç kësaj vepre ne kemi sjellë në shqip në bashkëpunim me këtë shtëpi botuese por dhe me shtëpi të tjera botuese, një sërë veprash sic janë “Duke studiuar mrekullinë”, “Beteja e humbur”, “Kina dhe Partia Komuniste e Kinës”, “Duke qeverisur Kinën”, “Në shërbim të popullit” apo dhe mjaft vepra të tjera.
Rexhep Hida në Kinë
CMG: Si ka qenë interesi te lexuesit shqiptar për këto botime?
Rexhep Hida: Mund të them se interes ka pasur dhe ju e dini që në përgjithësi interesi i lexuesit shqiptar për librin ka njëfarë rënie. Kështu që kërkesa për librat e autorëve kinezë është në nivelet normale, por këtu do veçoj dhe njëherë veprën “Qeverisja e Kinës”, për të cilën mund të them se brenda një dite janë marrë nga lexuesit 600 kopje, pra në ditën e prezantimit, e cila u organizua një ceremoni madhështore në Muzeun Historik Kombëtar. Veprat e tjera kanë pasur një ecuri të kënaqëshme si dhe impakti i tyre ka qenë shumë pozitiv.
Rexhep Hida me Ambasadorin e kines, Zhou Ding
CMG: Ju keni udhëtuar shpesh në Kinë, duke i prekur nga afër mrekullitë e saj. Çfarë kujtoni nga udhëtimet si dhe përshtypjet tuaja ?
Rexhep Hida: Me Kinën ne kemi qenë të lidhur herët shpirtërisht. Unë sikurse të gjithë njerëzit e brezit tim kemi jetuar me shpirtin kinez, letërsinë dhe filozofinë kineze. Madje unë në ato vite që kam qenë në shtëpinë botuese kam përkthyer dhe një vëllim me fjalime të zgjedhura të Kryetarit Mao Ce Dun për letërsinë dhe artin. Ky është kujtimi dhe kontakti im i parë me autorët kinezë.
Kurse gjatë vajtjes në Pekin për mua ishte një zbulim sepse kisha ëndërruar me kohë që të shkoja në Kinë dhe puna erdhi që unë mora një ftesë nga pala kineze për të shkuar në Panairin e librit të Pekinit, që zhvillohet zakonisht në ditët e fundit të gushtit. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme si dhe pritje madhështore, na pritën që në aeroport dhe na shoqëruan, siç ju takon atyre të shoqërojnë me shumë dashamirësi. Kjo dashamirësi shumëfishohet kur vjen puna për shqiptarët.
Gjatë kësaj vizite apo dhe vizitave të tjera që kanë qenë shumë të shpeshta pas vajtjes së parë, unë kam konstatuar një dashuri të rrallë dhe jashtëzakonshme të të gjithë popullit kinez ndaj popullit shqiptar. Unë mund të them se shumë filma dhe shumë këngë që këndohen në këto filma, ata i dinë më mirë se ne. Unë nuk e di nëse e teproj po të përmend që më ka bërë përshtypje që filmi shqiptar “I teti në bronz” apo “Ngadhnjim mbi vdekjen” njiheshin shumë mirë nga kinezët, dhe ata në çdo moment përmendin pasazhe nga këto filma, madje këndonin dhe këngë që këndohen në këto filma. Ndonjëherë ndjehesha i turpëruar ,që unë nuk i këndoja më mira se ata.
Rexhep Hida ne Kine
CMG: Gjatë udhëtimeve të shpeshta në Kinë keni pasur kohë të vizitoni Pekinin?
Rexhep Hida: Po vetë Kina është një mrekulli më vete dhe mund të them që ajo nga viti në vit ndryshon në mënyrë të jashtëzakonshme. Por ajo që më ka bërë përshtypje mua, përveç zhvillimit të madh ka qenë vizita që bëra te Qyteti i Ndaluar dhe aty ishte kurioziteti për ato që unë kisha dëgjuar dhe lexuar. Kur i prek nga afër aty kupton që ky popull ka një kulturë të lashtë dhe është një popull i madh jo vetëm si numër, por dhe në kulturë e në lashtësinë e tij. Pastaj në çdo hap që shoqëroja kinezët, të binte në sy që Shqipëria vërtetë është vend i vogël, por te populli kinez ajo është vend i madh, sepse dashuria e popullit kinez për popullin shqiptar është shumë e madhe.
CMG: Keni së afërmi ndonjë plan për të udhëtuar në Kinë?
Rexhep Hida: Shpresojmë që të shkojmë sepse kam një ftesë për në panairin e radhës që zhvillohet nga data 22 – 27 gusht dhe në rast se do të hapen rrugët besoj se do të shkoj.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani.
Rexhep Hida: Të gjithëve ju them të lexojnë sa më shumë librat e autorëve kinezë dhe të zbuloni mrekullinë, sepse duke lexuar gjithë këto libra, mrekullia është pranë jush.
Intervistoi: Gazmend Agaj