Armand Plaka ne interviste per CMG

Armand Plaka ne interviste per CMG

Armand Plaka është gazetar dhe përkthyes i njohur, i cili në periudha të ndryshme kohore ka drejtuar suplemente gazetash si dhe sektorët e lajmeve nga bota në disa nga të përditshmet shqiptare. Ai gjithashtu është njohës i mirë i kulturës dhe politikës së vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për Radio Ejani ai sjell kujtime dhe mbresa nga vizita e tij në Kinë.

Armand Plaka me ish ambasadoren e Kinës në Tiranë, zonjën Jiang Yu

Armand Plaka me ish ambasadoren e Kinës në Tiranë, zonjën Jiang Yu

CMG: Përshëndetje Armand dhe faleminderit për pjesëmarrjen në rubrikën “Kujtoj”.

Armand Plaka: Së pari ju falenderoj për ftesën, sepse lidhet me një kujtim apo stacion shumë të bukur të jetës time, të cilin tashmë e kujtoj me notalgji dhe pse kanë kaluar 5-6 vite.

CMG: Ju keni qenë në Kinë për të marrë pjesë në një aktivitet të rëndësishëm dhe keni vizituar shumë vende gjatë qëndrimit tuaj atje. Çfarë kujtoni nga ajo vizitë?

Armand Plaka: Sigurisht, ky kthim në kohë më bën të reflektoj për atë udhëtim, i cili në shumë aspekte nuk ishte aspak i zakonshëm. Kur ftesa më erdhi në fillim, përtej gëzimit momental mendova që ky është një rast i jashtëzakonshëm të cilin ti duhet ta shfrytëzosh sepse në Kinë, jo thjesht si destinacion i largët nuk besoj se do të bjerë rast tjetër në jetë. Ky ishte mendimi i parë që më shkojë në mendje. Menjëherë i thashë bashkëshortes se kam një ftesë për t’u nisur shumë shpejt për në Republikën Popullore të Kinës për të cilën në fakt si gjithkush tjetër, por aq më shumë unë si gazetar që jam marrë me suplemente dhe i interesuar për historinë, gjeografinë dhe politikën, kisha raportuar në mënyrat e mia shpesh, duke iu referuar edhe mediave apo njohurive të mia në gjuhë të tjera.

Kisha arritur që në gazetën ku punoja të shfaqja profilin e Republikës Popullore të Kinës, për të cilën sigurisht edhe më parë kisha shumë dijeni dhe tashmë mbetej ajo që quhej rikonjucioni në terren. Pra gjithçka që unë kisha në kokë për Kinën dhe kinezët do të duhej ta verifikoja në terren, dhe ky ishte një rast i papërsëritshëm. Pa mëdyshje pranova menjëherë ftesën dhe e konfirmova të nesërmen te zyrtari i ambasadës kineze dhe sëbashku me dy kolegë të tjerë të nderuar të RTSH-së, gazetarin e mirënjohur Marash Mirashi dhe Alfons Zeneli u nisëm në një udhëtim të gjatë dhe të paharrueshëm drejt Shangait.

Armand Plaka gjate konferences ne Kine

Armand Plaka gjate konferences ne Kine

CMG: Çfarë kujtoni nga ditët e para pas mbërritjes në Shangai?

Armand Plaka: Ajo që duhet të kujtoj është ajo shija e mirë e udhëtimit të kilometrave pafund me linjat e brendshme kineze ajrore, por dhe me autobuz. Janë qytetet më të rëndësishme të Kinës, që mbartin atë aromën e vërtetë të zhvillimit siç është stacioni i parë që shkuam atë mbrëmje, Shangai, Shenzheni dhe qytete të tjera të bregut lindor apo juglindor të Kinës. Po kështu dhe disa pjesë të brendshme të Kinës, siç ishte vizita në provincën e Henanit për t’u mbyllur në fund me vizitën në vendet historike, kulturore dhe institucionet politike e shtetërore më të rëndësishme të kryeqytetit të Kinës, Pekinit.

CMG: Si ishte mikëpritja kineze gjatë gjithë qëndrimit tuaj në Kinë?

Armand Plaka: Në fakt përtej kuriozitetit, kisha besim që kur u nisa se mikëpritja do të ishte në nivelin më të lartë, sikurse dhe më rezultoi. E pashë që kishim të bënim me një popull që kishte shumë afërsi në mentalitet me popullin shqiptar, përsa i përket nivelit të mikëpritjes, gjë që u pa që në mbrritjen e delegacioneve tona.

Ne ishim në fakt shumë delegacione me kolegët tanë nga Europa Juglindore. Trajtimi ishte jo vetëm i barabartë, por ata ishin kujdesur që të ishte në mënyrë proporcional. Ajo që më bërë përshtypje ishte se delegacioni i Shqipërisë, një vend i vogël me më pak se tre milion banorë ishte pothuajse i njëjtë me atë të Polonisë, një vend me 40 milion banorë, apo dhe me një vend tjetër më të madh sesa Shqipëria. Gjatë 10 ditëve të qëndrimit tone, sikurse e thashë në mënyrë të pandërprerë, përkujdesja për të gjithë anëtarët e delegacioneve ishte e nivelit që na impresionoi.

Armand Plaka me kolege të seksionit shqip të CMG në Pekin

Armand Plaka me kolege të seksionit shqip të CMG në Pekin

CMG: Keni vizituar Shangain modern dhe Pekinin tradicional. Cilat janë përshtypjet tuaja për këto dy qytete gjigante të Kinës?

Armand Plaka: Jo vetëm ndryshimi midis Shangait dhe Pekinit, por ndoshta dhe midis Shangait dhe pjesës së brendshme të Kinës, siç është provinca Henan më bënë përshtypje. Duket që agjenda jonë ishte kuruar në mënyrë të tillë që ne të merrnim vërtetë një pamje sa më realiste, vertikale dhe horizontale të Kinës. Unë si i dhënë pas historisë nuk mund të rrija pa parë pjesën historike të Kinës, popullin me shumë tradita, me shumë histori, nga i cili mbetesh shumë i impresionuar.

Në Shangai pamë atë aromën sikurse njihet në të gjithë botën, të një metropoli të jashtëzakonshëm dhe shumë të zhvilluar. Vetja mu duk absolutisht pa kurrëfarë ndryshimi sikur të isha në një vend europian të zakonshëm, për shembull unë meqë më lidh shumë me Gjermaninë, sikurse të isha në Frankfurt. Ndërkohë që pjesa e brendshme e Kinës ishte vëtetë ajo që mendoja dhe shërbeu si një eksperiencë e mirë për të më përmbushur ambiciet e mia në lidhje me historinë kineze dhe pjesën e religjionit.

Mos të harrojmë këtu se përtej vizitave në shumë vende ekologjike apo institucione, nuk mund të linim pas dore atë që mendohet se është edhe simbol i Kinës, artet marciale. Kështu që për delegacionet tona u rezervua një takim shumë i bukur dhe një shfaqje shumë speciale në një shkollë shumë të njohur të arteve marciale ku pamë një performacë dhe na u tha që kjo shfaqje u rezervohet autoriteteve shumë të larta. Jo shumë larg asaj shkolle të arteve marciale pamë dhe tempujt budist, sikurse përshtypje të madhe na bëri vizita në disa pjesë të Lumit të Verdhë dhe në kokë më shkonin shumëçka kisha lexuar që nga fëmijëria për Kinën dhe çka më kishte treguar im atë, apo çka kisha parë qoftë dhe në televizor, sepse kjo ishte mundësia e vetme për ta parë me sy realitetin.

Akoma më impresionante ishte një shfaqje me një super skenë, e cila për mua është e papërsëritshme dhe nuk besoj se do kem mundësi tjetër gjatë gjithë jetës time. Ishte sikur ne që jemi tani këtu në Tiranë dhe të ndjekim skenën me performancat e artistëve ku vetë skena ishte faqja e malit dhe kjo ishte jo thjesht madhështore, por shumë e çuditëshme. Jemi ndjerë vërtetë shumë të respektuar dhe sikur ju thashë unë mendoj se është e papërsëritshme ajo që pashë atje.

Armand Plaka ne Kine

Armand Plaka ne Kine

CMG: Faleminderit për këtë bisedë mjaft interesante me këto kujtime shumë të bukura nga Kina. Ju uroj shëndet dhe suksese në punën tuaj.

Armand Plaka: Faleminderit, suksese dhe ju në punë tuaj.

Intervistoi: Gazmend Agaj