Mario Kokonozi: “Dua të rikthehem në Kinë”
Mario Kokonozi, i cili ka studiuar për master në Kinë në degën studime kineze, në një intervistë për Radio Ejani ai sjell mbresa e kujtime si dhe eksperiencën e tij kineze.
CMG: Mario faleminderit dhe mirë se erdhe në studion e Radio Ejani.
Mario Kokonozi: Faleminderit për ftesën
CMG: Si arrite të marrësh bursë dhe të studiosh në Kinë?
Mario Kokonozi: Gjithçka filloi me interesin tim, sepse isha interesuar për të shkuar në Kinë dhe për të studiuar atje, për ta njohur si botë dhe qytetërim. Në vazhdën e aplikimeve shikoja online që kishte plot mundësi për të aplikuar dhe zgjodha një degë, që besoj se më pëqente që quhet studime kineze dhe lidhej me marrëdhëniet ndërkmbëtare, ndaj unë mendova se ishte një fushë në të cilën mund të studioja. Duke kërkuar online pashë se shteti kinez ofronte edhe bursa dhe ndoqa procedurat për të aplikuar dhe për bursën e shtetit kinez. Më pas të gjitha aplikimet e mia i dërgova në ambasadën kineze në Tiranë dhe prita derisa më erdhi përgjigja dhe më ishin konfirmuar studimet në universitetin që kisha zgjedhur, pranë qytetit Hangzhou në jug të Kinës, si dhe aplikimi për bursë gjithashtu ishte i suksesshëm.
CMG: Çfarë emocionesh përjetove kur mbërrite në Kinë?
Mario Kokonozi: E thënë në një togfjalësh të shkurtër ishte një “shok kulturor”. Një vend shumë i madh dhe sapo dola nga aeroporti ngado që ktheja sytë kishte vetëm ndërtesa gjigante dhe që nuk mbaronin e numëroheshin. Kjo ishte ajo përballja e parë, më pas hipa në taksi që të shkoja në universitet dhe ishte një rrugëtim shumë i bukur, që nuk do ta harroj kurrë.
CMG: Kur u nise nga Shqipëria ishe vetëm në udhëtim, apo kishte dhe të tjerë?
Mari Kokonozi: Isha krejt i vetëm që në fluturim nga Tirana derisa kam shkelur në universitet. Kam qenë vetëm unë nga Shqipëria në atë rrugë që bëra drejt universitetit.
CMG: Si ishin ditët e para të studimit në universitet dhe njohja me shokë të tjerë aty?
Mario Kokonozi: Programi i masterit ishte i gjithi me studentë ndërkombëtarë dhe Universiteti ka ndërtuar kampusin special vetëm për studentë të huaj, i cili ndodhet në një qytezë afër Shangait. Ishte një kampus gjigant. Përballja me universitetin ishte shumë e këndshme, kam hasur një staf të mrekullueshëm ku të gjithë ishin ekselentë dhe shumë të mirë nga komunikimi, çdo gjë në anglisht dhe ishin shumë të hapur ndaj të huajve dhe neve. Gjithashtu të gjithë ata që kam patur në shkollë ishin shumë të mirë, duke filluar nga Amerika dhe pothuajse të gjitha vendet e Europës. Shumica ishin studentë që bënin një vit master në shtetin nga vinin dhe vitin e dytë e bënin aty, por kishte edhe si unë që kryenin të gjitha studimet master atje për dy vjet.
CMG: Si e kaloje kohën e lire ?
Mario Kokonozi: Qyteza ku ne jetonim ishte relativisht e vogël, kur flasim për termat e Kinës. Kishte 1 milion banorë dhe konsiderohet qytet i vogël. Ishte një qytet i lezetshëm do të thoja dhe i ndërtuar në dekadat e fundit, ishin si të thuash të ardhur nga të gjitha qytetet e mëdha dhe fshatrat dhe ishte krijuar ky qytet i vogël. Aty kishte disa qendra tregtare dhe disa restorante, klube nate ku ne si shoqëri shkonim dhe i frekuentonim dhe aty hasnim gjithmonë një habi të madhe nga qytetarët dhe personat që frekuentonin qoftë baret dhe qendrat tregtare që ç’ne një grup me të huaj hyjnë dhe dalin nga restoranti. Kjo ishte një gjë që na binte të gjithëve shumë në sy.
CMG: Po mikpritja e banorëve kinezë si ishte?
Mario Kokonozi: Mikëpritja ishte fantastike. sepse ka qenë shumë interesant në fakt që shumë persona ishin të interesuar dhe afroheshin vetë dhe pyesnin me atë anglishten e tyre mundoheshin që të kuptonin se kush jemi dhe pse kemi ardhur. Më kujtohet që gjithmonë në lokal vinin dhe uleshin pranë nesh, flisnin, qerasnin, pra ishin shumë të hapur dhe mikëpritës.
CMG: Cilët qytete të tjera të Kinës keni vizituar dhe çfarë ju ka lënë më tepër mbresa?
Mario Kokonozi: Shangain e kam vizituar shpesh së bashku me Hangzhoun, por qyteti i Shangait më ka mbetur shumë në mendje sepse ishte një qytet gjigant, gati 25 milion banorë dhe nuk mbaronte. Ndërtesa, trena ku duheshin orë të tëra për të vajtur nga një vend në një vend tjetër. Kuptohet çdo gjë nën tokë dhe një qytet që gëlonte nga jeta dhe sigurisht mbaj mend atë pjesën ku ndodhen të gjitha ndëresat e mëdha ku njëra prej tyre është e dyta në botë për nga madhësia dhe që ishte një pamje fantastike, që të jepte dhe pak atë natyrën europiane të qytetit.
Pastaj Hangzhou ishte një qytet tipik kinez, i cili ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm. Ishte si të thuash pjesa teknologjike së bashku me Shenzhenin, të dy kishin komplekse gjigante të mediave, të kompanive të teknologjisë dhe gjithë truri i Kinës thithej nga qytete si Hangzhou. Gjithashtu dua të veçoj dhe liqenin që është një pikë turistike shumë e madhe e Hangzhou-t, që ishte shumë i bukur dhe me shumë turistë nga të gjitha anët.
CMG: Mario tani jeton në Tiranë. Do të kishe dëshirë të riktheheshe në Kinë për të jetuar për një periudhë kohe, apo dhe për të punuar atje?
Mario Kokonozi: Nga eksperienca që pata dua të kthehem përsëri në Kinë sepse ishte një vend shumë i bukur dhe të ofronte mundësi të mëdha dhe pse jo në të ardhmen në qoftë se më krijohet një mundësi do të shkoja patjetër për të punuar disa vite e për të marrë më të mirën.
CMG: Ruani akoma kontakte me miqtë që njohët kur ishin në Kinë?
Mario Kokonozi: Kam krijuar miqësi me disa miq kinezë, me të cilët komunikoj nëpëmjet rrjeteve sociale dhe janë gjithmonë të hapur dhe pyesin se kur do të vish, por nga ana tjetër më thonë se kur të na krijohet mundësisa duam ta vizitojmë Shqipërinë.
CMG: Gjatë periudhës gjashtë mujore të qëndrimit tuaj në Kinë arrite të mësosh ndopak kinezishten?
Mario Kokonozi: Gjuhën kineze e kisha që në fillim me shumë dëshirë dhe ndiqja mësimin ku mundohesha që të flisja me shokët e mi kinezë, por më pas ngaqë u ktheva nga pandemia dhe e vazhdoj masterin online dhe jam shkëputur pak nga gjuha. sepse është një gjuhë e vështirë dhe ta mësosh online bëhet pak e vështirë. Në qoftë se do të isha në Kinë në një ambient stimulues do ta mësoja patjetër.
CMG: Cili është angazhimi yt këtu në Tiranë?
Mario Kokonozi: Momentalisht ndjek një praktikë në një institucion privat, që merret me studime dhe quhet “Cooperation for Development Institute”.
CMG: Degën për të cilën studiove në Kinë e zgjodhe vetë, sepse duket vërtetë e veçantë?
Mario Kokonozi: Kjo ishte një degë shumë e preferuar në programet anglisht dhe është një fushë që të lejon të fokusohesh në shumë pika. Masteri ndahej në disa elemente siç ishte ana kulturore dhe ajo politike, apo ana ekonomike dhe ajo ligjore. Pra gjithë kompleksiteti i masterit ishte i përbërë nga shumë lëndë të këtyre katër fushave dhe studentët mund të zgjidhnin më tej lëndë të tjera për t’u thelluar, në rastin tim në aspektin politik të Kinës.
CMG: Mario të falenderoj për këtë bisedë të këndshme dhe së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Mario Kokonozi: Në radhë të parë të falenderoj shumë për ftesën dhe ishte kënaqësi, përshëndes dhe të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj