Flutura Xhabija

Flutura Xhabija

Flutura Xhabija, gruaja në biznes e cila drejton një nga shoqatat në mbrojtje të gruas sipërmarrëse na tregon për udhëtimin e saj në Kinë në vitin 1995, si dhe eksperiencën e saj kineze.

CMG: Faleminderit Znj.Xhabija për pjesëmarrjën tuaj në rubrikën Kujtoj në valët e Radio Ejani.

Flutura Xhabija: Kurse unë ju falenderoj që historinë e ndiqni këmba -këmbës dhe kështu duhet ta ndiqni, sepse për të mbajtur vendin gjithmonë ka njerëz të cilët kanë kontribuar për këtë vend. Duhet pak nga pak të mblidhni ato vlera që kanë qenë dhe të shtoni dhe vlerat që janë sot.

CMG: Dimë që ju keni udhëtuar në shumë vende, por sot do të ndalemi te udhëtimi juaj bashkë me disa gra të tjera në vitin 1995 në Kinë, ku keni marrë pjesë në një konferencë të rëndësishme ndërkombëtare të gruas.

Flutura Xhabija: Vajtja ime në Kinë nuk ka qenë ndonjë çudi e rallë, sepse unë e kam përjetuar në moshën 6 vjeçe kur nëna ime ka qenë një ndër përfaqësueset e grave dhe së bashku me ish kryetaren e grave Vito Kapo, e cila ka ndërruar jetë dhe bashkë me nënën time që ishte drejtuesja e grave në Shkodër shkuan në Kinë. Kjo ka qenë një vizitë shumë e bukur për nënën time, por edhe për ne që dëgjonim fjalën e parë Kinë dhe e dinim që Kina është shumë larg. Kur nëna u kthye na shpjegonte se si janë kinezët dhe ato fotot e bukura me gra të të gjithë botës. Këto ishin disa kujtime të bukura të nënës, por dhe tonat dhe nuk e dija kurrë që në vitin 1995 unë do të zgjidhesha nga OKB që të shkoja bashkë me 10 veta nga e gjithë Shqipëria. 4 veta kemi pasur një udhëtim shumë të bukur me trenin ekspres “të Hrushovit” i thoshin, por që i binte nga Siberia.

Flutura Xhabija ne Kine

Flutura Xhabija ne Kine

CMG: Shumë interesante udhëtimi me tren deri në Kinë. Si shkoi udhëtimi?

Flutura Xhabija: Përfaqësueset e OKB-së që ishin disa luftëtare të të drejtave të grave dhe vazhdojnë edhe sot dhe që në atë kohë bisedonim për mjedisin. Nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë për ruajtjen e ambientit dhe përpara se të bërtisnin për politikanët bërtisnin për ruajtjen e ambientit dhe ruajtëset më të mira të ambientit janë vërtetë gratë. Kishte një rregull të jashtëzakonshëm, u zgjodhën 200 veta nga e gjithë bota dhe fillimet e udhëtimit me tren i kishim nga Varshava deri në Mongoli me trenin rus të Siberisë dhe aty kemi ndaluar dhe kemi marrë trenin kinez. Prej kufirit të Mongolisë deri në Pekin ne kemi udhëtuar me trenin kinez.

CMG: Si ju pritën kur mbërritët në Pekin dhe si ishte organizimi i konferencës së grave?

Flutura Xhabija: Ne ishim 4 veta ku bashkë me Eleni Laperin një personalitet shqiptar, një piktore, ne e menduam para se të niseshim dhe në zyrën e shoqatës ne vendosëm një beze, që ju mund ta shihni dhe mund ta fotografoni. E kemi ndarë përgjysëm me Elenin bezen 6 metërshe me bojra dhe lapsa, ku gratë njoftoheshin se në muajin gusht do të bëhej konferenca e katërt botërore, ku morën pjesë 60 mijë vetë. Kurse në Pekin u zhvillua konferenca shtetërore nga përfaqësuesit botëror të grave, por edhe përfaqësuesit e shteteve që ishin në OKB.

Ne morëm me vete edhe kostume popullore. Eleni mori kostumin e Tiranës, kurse unë mora kostumin e Lumës dhe në çdo stacion ne visheshim menjëherë dhe dilnim. Të gjithë pjesëmarrëset na pyesnin se nga ishim ne dhe nga bexhi shihnin që ishim nga Shqipëria, por kënaqeshin me veshjet e bukura. Kjo ishte një risi që vërtetë ne krenohemi me këtë. Sapo mbërritëm në Pekin sigurisht na priti kryetarja e bashkisë së Pekinit, por që nuk kam foto. Ne ishim me aparate fotografike, por blemë edhe një kamera që ta regjistronim, por ishte hera e parë që merrnim pjesë në një konferencë të atij niveli. Mbasi u sistemuam në hotel ku OKB-ja e kishte organizuar shumë mirë dhe na kishte dhënë edhe dieta që ne të hanim edhe drekën, darkën e gjithçka. Ne filluam të marrim pjesë në të gjitha aktivitetet për 10 ditë rresht.

Ajo ka qenë një përvojë e mrekullueshme dhe kinezët na drejtonin shumë mirë, vajza dhe djem të rinj që ishin studentë na orientonin në atë vend aq të madh, që nuk humbje asnjëherë, sepse na u dha edhe një libër që ne të orientoheshim në atë vend të madh. Kishim dhe fat sepse unë kisha dy miq nga Shqipëria që merreshin me tregti dhe i takova, ku mora edhe informacione të tjera sesi po ecën Kina, por njëkohësisht shëtitëm edhe në sheshin Tiananmen, që është i njohur.

Flutura Xhabija, Kine 1995

Flutura Xhabija, Kine 1995

CMG: Si u përshtatët me ushqimet tradicionale kineze?

Flutura Xhabija: Kina ka të ushqyerit të veçantë të cilën nuk mundesh ta mësosh për pak kohë, por atje kishte të gjitha llojet e ushqimit dhe evropiane, italiane dhe franceze, kështu që nuk kemi pasur problem për këtë sepse aty na vinte çdo gjë me shënime, ku dhe menuja ishte e qartë. Problemi ishte që të mësonim dhe të përfitonim sa më shumë.

Ne e dimë që Kina është e madhe, e dimë që Kina ka njerëz nga më punëtorët në botë, e dimë që ka një filozofi të mrekullueshme të jetës si dhe një maturi në marrëdhëniet me të huajt, por dhe me njëri- tjetrin. Pra e gjitha kjo ne na bëri që të përfitonim sa më shumë. E kush nuk ka qejf me pa Murin e Madh kinez! Ne shkuam dhe e pamë Murin e madh.

Kush nuk ka qejf me pa shtëpinë e perandorëve, që është një kujtim i mrekullueshëm, që nuk mund të përthithet në qoftë se nuk ke kufjet në gjuhë të huaj, por të mbash edhe shënime. Duhet të shkosh disa herë atje që të mbash shënim gjithçka, që kishim parë nëpër filma dhe kishim lexuar në libra. Kina është e pambaruar, pra Kina gjithmonë të befason me gjithçka, kurse në fushën e tregtisë sigurisht ajo është e mrekullueshme. Ne shqiptarët duhet t’i kthejmë sytë edhe andej. Radio juaj mund të jetë një nga monitorueset dhe ndjekëse e marrëdhënieve që duhet të kemi me gratë sipërmarrëse kineze.

Flutura Xhabija dhe Eleni Laperi ne Murin e Madh Kinez

Flutura Xhabija dhe Eleni Laperi ne Murin e Madh Kinez

CMG: Ju si grua në biznes do të kishit dëshirë të kishit një marrëdhënie biznesi me palën kineze, në vazhdim?

Flutura Xhabija: Gratë kineze sipërmarrëse janë mjaft të përgatitura dhe elaborojnë vendin e vet në mënyrë të jashtëzakonshme. Vijnë të përgatitura,janë shumë të kujdesshme që të të respektojnë deri në fund, por ama janë edhe sipërmarrëse që të tërheqin në mallrat e tyre, të cilat janë shumë të forta dhe që jetojnë gjatë.

CMG: Së fundi një mesazh për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.

Flutura Xhabija: Unë falendroj shumë Radio Ejani dhe mendoj se është një pararojë e zhvillimit global. Unë mendoj se ne duhet të përfitojmë sa më shumë nga Kina, nga kultura e tyre, nga dëshira për ta dhënë se ka që dhe nuk ta japin trashëgiminë, por zakonisht të mëdhenjtë janë më të hapur se sa të vegjëlit. Kombi ynë mendoj se është adapt për çdo lloj kulture, aq më tepër të Kinës, pavarësisht se është shumë më e madhe se ne. Unë shpresoj që në të ardhmen, ndoshta edhe Radio juaj mund të na ndihmojë që ne t’i vijojmë marrëdhëniet në fushën ekonomike, artit, turizmit dhe në fushën e agroturizmit. Me Kinën kemi traditë të jashtëzakonshme.


Intervistoi: Gazmend Agaj