Webinari midis Qendrës së Hapjes dhe Dialogut dhe BFSU

Webinari midis Qendrës së Hapjes dhe Dialogut dhe BFSU

Qendra për Hapje dhe Dialog në Tiranë realizoi para pak ditësh një webinar në vijimësi të ciklit “Gjuha shqipe në universitetet e botës”. Kësaj radhe në qendër të konferencës online ishte Katedra e Gjuhës Shqipe në Pekin, e cila u përfaqësua nga profesoreshat Chen Funghua (Moza) dhe Ma Sai ( Bora). Ky webinar përkoi me dy përvjetorë të rëndësishëm të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BSFU): 80-vjetori i themelimit të universitetit dhe me 60-vjetorin e themelimit të katedrës së shqipes në këtë universitet.

Nga pala shqiptare pjesmarrës ishin lektorët nga Universiteti “Ismail Qemali”, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, si dhe studentë. Drejtuesja e webinarit njëherësh dhe e Qendrës Për Hapje dhe Dialog Milena Selimi kërkoi nga drejtorja e katedrës së gjuhës shqipe dhe Qendrës së Studimeve Shqiptare në Universitetin e Gjuhëve të Huaja, Pekin (BFSU) Chen Fenghua, të sillte një panoramë të përgjithshme të veprimtarisë së katedrës.

Pjesmareset nga katedra e gjuhës shqipe e BFSU

Pjesmareset nga katedra e gjuhës shqipe e BFSU

Pedagogia Chen tha se “Katedra e gjuhës shqipe u themelua në vitin 1961, duke filluar programin Bachelor. Pastaj në vitin 2001 ne kemi filluar pranimin e studentëve për Master dhe në vitin 2014 ka filluar programi i Doktoraturës. Në vitin 2017 u krijua Qendra e Studimeve Albanologjike. Gjatë zhvillimit 60 vjeçar katedra është bërë modeli kinez në mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe studimin e saj. Me këtë katedër, BFSU është bërë i pari universitet ku jepet gjuha shqipe në Kinë dhe i vetmi universitet me tri nivele të plota në kualifikimin e specialistëve të gjuhës Shqipe. Historikisht universiteti me përgatitjen e shumë talenteve diplomatikë, është njohur si “Djepi i diplomatëve” në Kinë.

Për këtë arësye BFSU i ka kushtuar shumë vemendje katedrës së gjuhës shqipe. Pedagogët veteranë si Yin Changliang, Xia Zhen, Jin Bing, Zhang Linhui, Xiao Guifen dhe ekspertët shqiptarë të ndjerë Agron Fico, Ruzhdi Stringa kanë krijuar një bazë të shëndoshë të kësaj katedre. Studentët tanë e studjojnë gjuhën shqipe me zell. Deri tani në katedër janë të diplomuar 173 studentë në bachelor, 6 master dhe 3 doktorant. Në katedër kemi 4 pedagoge kineze dhe një eksperte shqiptare, që ju e keni ftuar sot në takim, Eranda Allmetaj, prandaj ajo është e jona” tha profesoresha Chen Fenghua.

Pjesmarrësit në webinar

Pjesmarrësit në webinar

Prof. dr. Nexhip Mërkuri - Zëvendësdekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës shprehu interesim për shtimin e bashkëpunimit me katedrën e gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të huaja të Pekinit

“Shikoj që ju kini mjaft studentë dhe në nivelin e pare. Unë ju uroj për atë reformë që keni zgjedhur dhe keni sistemin 3+1, që është shumë i mire. Keni arritur që të keni dhe 3 doktoratura dhe më vjen mire që e quani “djep për përgatitjen e diplomatëve”. Uroj që katedra juaj dhe Qendra e Studimeve Albanologjike të ketë më shumë pjesmarrës në doktoraturë . Unë ju ofroj që mund të udhëheq dy studentë tuajët në doktoraturë, në ato fusha që ata kanë interes”, u shpreh prof.dr. Nexhip Mërkuri.

Ndërsa Prof. as. dr. Spiridhula Poçi - Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Edukimit dhe të Shkencave Shoqërore, në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës vlerësoi veprimtarinë e katedrës së gjuhës shqipe në BFSU

“Ky është një takim që rivendos një lidhje, që në fakt është nënshkruar që në vitin 2017, siç tha dhe kolegia, pasi janë nënshkruar marrëveshje kuadër dhe sot është një rikujtim i saj. Më bëhet qejfi që pandemia po shkon drejt hapjes dhe mund të rivendosim kontaktet. I përgëzoj për sukseset që kanë, për kurrikulat, për të gjithë punën e tyre, për veprat në gjuhën shqipe që kanë arritur të botojnë”, tha prof.asc. dr. Poçi.

Prof. Merkuri dhe prof. Poçi e panë këtë takim si një mundësi për të rinisur një marrëveshje të mëparshme ndëruniversitare, e cila ekziston si një kontratë kuadër, e cila ka nevojë të çohet më tej.

Eranda Allmetaj

Eranda Allmetaj

Pjesmarrëse në takim ishte dhe Eranda Allmetaj, Eksperte e Gjuhës Shqipe dhe Pedagoge në BFSU, e cila e ka kryer doktoraturën e saj pranë kësaj katedre dhe tashmë jep kontributin e vet si eksperte e gjuhës shqipe në këtë universitet. Cilat janë përshtypjet e saj për këtë webinar?

“Mendoj që takimi shkoi shumë mire dhe përmbushi me sukses qëllimin e tij, i cili ishte jo vetëm promovimi i katedrës së gjuhës shqipe në Pekin, por gjithashtu dhe ngritja në nivel diskutimi e disa çeshtjeve që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me punën në katedër. Duke përmendur punën në katedër nuk mund të fokusohemi vetëm në gjërat që bëhen aktualisht, por dhe për një të ardhme, se si do të vijojë e ardhmja e studimeve shkencore pranë këtij institucioni. Ndaj vlen të theksohet që diskutimet që u bënë gjatë këtij takimi kishin një rëndësi shumë të madhe për të ndërtuar disa nga hapat ose pikat kryesore midis të cilave mund të ngrihen marrëveshje ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, sa i përket shkëmbimit institucional arsimor. Fakti që në takim ishin përfaqësues në nivel drejtues, por dhe akademik dhe studentor bën të mendohet që diskutimi kishte fokus të gjerë dhe mendohet që gjithçka që u diskutua aty do të jetë në të mire të bashkëpunimit që mund të ndërtohet në të ardhmen ndërmjet institucioneve përkatëse, duke hedhur dhe hapa të sigurtë bashkëpunimi”, tha pedagogia Eralda Allmetaj.

Në vijim e mori fjalën Dr. Ma Sai, (Mai Sai – Bora) - Pedagoge e Katedrës së Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Ajo u ndal në punën e bërë në fushën albanologjike, duke përmendur sidomos punën për hartimin e teksteve dhe fjalorëve.

Edhe studentët në konferencë shprehën interesim për bashkëpunim të mëtejshëm me katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU)

Eda Merepeza