Liliana Cingu duke kercyer
Liliana Cingu “Nderi i Kombit”, valltarja me portretin fisnik, e cila ndër vite nuk ka reshtur së mahnituri publikun shqiptar me elegancën e saj skenike. Ajo është “Mbretëresha e valles folklorike shqiptare” dhe shquhet si një ndër individualitetet më të spikatura që i ka dhënë hov ndër vite Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore edhe përtej kufijve. Karriera e saj numëron dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, “Çmimi i Republikës", Urdhri "Naim Frashëri”, "Disku i Artë", "Artiste e Merituar", “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, Medalje në Dizhon të Francës, Medalje në Itali, Turqi, etj., vlerësime këto të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore. Sot, Liliana Cingu vazhdon të ketë të njëjtin pasion për skenën dhe me mjaft dinamizëm e ushtron profesionin në shumë evente kombëtare e ndërkombëtare. Vallja për të është gjithçka dhe këtë dashuri të madhe ia lexon qartë ne sy. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani Liliana Cingu sjell kujtime nga turneu i saj në Kinë në vitin 1973, por edhe emocionet dhe sukseset gjatë karrierës së gjatë atistike.
Liliana Cingu ne interviste per CMG
CMG: Znj.Cingu faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në rubrikën Kujtoj në valët e Radio Ejani.
Liliana Cingu: Faleminderit për këtë intervistë që ju po zhvilloni sot dhe është privilegj për ne që të japim këto intervista, sepse edhe jeta më ka shkuar vetëm intervista, medalje, lule dhe lot njerëzish nga spektatori, që i prekim me vallet tona të bukura.
CMG: Ju vazhdoni të kërceni akoma në skenat shqiptare dhe ato ndërkombëtare, duke prezantuar vallet e bukura shqiptare që edhe brezi i ri t’i njohë vallet shqiptare dhe të mësojë nga profesionalizmi juaj.
Liliana Cingu: Ajo varet edhe nga talenti, por edhe nga pasioni që unë e kam pasur për tërë jetën që në fillimiet e mia dhe pasioni im ka qenë vallja. Unë ia kushtova jetën valles time, duke e ngritur ne pediestal, në fakt koreografët por edhe unë në kërcimin tim. Jam e ftuar në aktivitete të rëndësishme sepse nuk më kanë lënë akoma këmbët, prapë lëviz. Është kënaqësi të kërcesh, është kënaqësi të japësh artin tënd shqiptar kudo në botë.
Liliana Cingu
CMG: Gjatë gjithë karrierës suaj jeni vlerësuar me shumë çmime dhe medalje ku më i fundit ishte “Nderi i Kombit”.
Liliana Cingu: Duke qenë se jam e vlerësuar me shumë medalje, siç e thatë edhe ju, duke filluar që nga urdhërat “Naim Frashëri”, në shumë koncerte jam vlerësuar me çmime të para si valltarja më e mirë. Kam një valixhe të mbushur me këto medalje, por më e rëndësishmja është kur populli të duartroket, spektatori të jep atë satisfaksionin që ti të vazhdosh dhe të jesh dikushi në skenë dhe këtë e kam kërkuar me insistim, gjersa arrita dhe mora dhe titullin “Nderi i Kombit”. Të jesh nder për vendin tënd, për njerëzit dhe kombin tënd është vlerësimi më i lartë për çdo individ.
CMG: Keni udhëtuar në shumë vende të botës, duke u vlerësuar edhe nga publiku i huaj. Kush ka qenë vendi që ju ka pritur më mirë dhe që ju jeni emocionuar më shumë?
Liliana Cingu: Duke qenë se po më prek për koncertet në të gjithë botën, të them të drejtën pak shtete më kanë mbetur pa i vizituar me koncertet tona, por një nga koncertet më madhështore që ne kemi patur dhe nuk është se është një sepse kemi shumë dhe janë panumërt koncertet. Më e bukura për mua ka qenë vajtja për herë të parë në vitin 1971 në Kosovë te njerëzit e babait tim, që digjeshin xhaketat dhe çadrat në stadiume futbolli, ajo ishte madhështore.
Liliana Cingu ne Kine
CMG: Ndalemi pak te një udhëtim i largët që ju keni bërë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1973 në Kinë. Ju keni qëndruar një muaj atje, duke dhënë disa koncerte në qytete të ndryshme të Kinës. Cilat janë mbresat tuaja nga ky turne?
Liliana Cingu: Udhëtimi jonë në Kinë në vitin 1973 ishte i veçantë ku na pritën jashtëzakonisht bukur dhe patëm sukses të madh. Ai muaj kaloi shumë shpejt dhe thonim aman të rrimë akoma, sepse qenka bukur sepse e kishim pritjen shumë madhështore. Skenat ku jepnim shfaqje ishin shumë të mëdha dhe spektatori ishte pafund, ku deshën që të jepnim dhe nga dy apo tre shfaqje në ditë dhe ne kemi dhënë edhe nga dy shfaqje në ditë. Me të vërtetë ishte një turne shumë i bukur për ansamblin tonë.
Ansambli i Kengeve dhe Valleve popullore ne Kine viti 1973
CMG: Në cilët qytete të Kinës dhatë shfaqje?
Liliana Cingu: Qyteti kryesor për ne ishte Pekini me ato bukuritë e veta dhe atë arkitekturën e jashtëzakonshme, që na mahniti të them të drejtën. Pavarësisht se unë isha në fillimet e mia, sepse kisha pesë vjet që kisha filluar punë, por ajo pamje e asaj arkitekture sikur të linte pa mend me ato ndërtesat e bukura kineze. Pak i rëndë për ne ishte ushqimi, sepse nuk ishim mësuar me llojin e ushqimit të tyre. Por po të më thuash sot Lili a të pëlqejnë ushqimet kineze, them se me të vëretë janë shumë të mira dhe shumë të ushqyeshme për jetëgjatësinë e njeriut. Pastaj shkuam në Shangai dhe disa qytete të tjera, ku me shumë sukses dhe një përkushtim të shtetit kinez që na pritën në hotele dhe restorante madhështore, ku dhe publiku ishte pafund dhe na emocionuan me pritjen e tyre.
Liliana Cingu ne Kine ne vitin 1973
CMG: Po shikonim bashkë disa foto të bukura badhë e zi nga turneu i Kinës. Të sjellin nostalgji kur i shikoni këto fotografi?
Liliana Cingu: Të them të drejtën është kjo koha e pandemisë dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë dhe hapim fotot për qejfin tone, duke i shfletuar dhe shikuar. Kur erdhi ky moment thashë këto pamjet e Kinës sikur ti shikoj dhe njëherë dhe i pashë të gjitha, duke më ngjallur një nostalgji të them të drejtën, sepse aty njerëzit kur ecnim rrugës kishin respekt për një të huaj dhe të gjithë të përshëndesnin. Këto foto i ruaj sepse me të vërtetë janë një arkivë e imja e viteve të turneve tona dhe aq më tepër që ne kemi ndenjur një muaj në Kinë.
Liliana Cingu gjate turneut ne Kine
CMG: Cila është gjëja që të ka bërë më shumë përshtypje nga bukuritë e Pekinit në atë kohë?
Liliana Cingu: Qendra e Pekinit është një madhështi dhe nuk kam fjalë se çfarë të them se me të vërtete ishte një arkitekturë që të linte pa mend. Mbase tani ka shumë vite dhe mund të kenë bërë ndërtesa të tjera, por megjithatë unë ruaj në mendjen time ndërtesat e vjetra të Pekinit. Një nga kryeveprat dhe që është në shtatë mrekullitë e botës Muri i Madh kinez, ku kemi bërë një guidë të bukur sa që thamë na u bënë këmbët gjak, sepse ishte aq i madh dhe diçka madhështore.
Liliana Cingu bashke me Besim Zekthin dhe Rexhep Celikun
CMG: Ju cilësoheni si Legjenda dhe Mbretëresha e valles shqiptare dhe keni kërcyer me dy kolosët e valles sonë, me artistët e mëdhenj Besim Zekthi dhe Rexhep Çeliku, të cilët janë ndarë nga jeta. Çfarë kujtimesh dhe vlerësimesh keni për këto dy ikona të valles?
Liliana Cingu: Kjo është një pyetje që të fut pak në nostalgji dhe emocionet e largimit e dy kolosëve, siç e thatë dhe ju sepse ata kanë qenë krahu i majtë dhe krahu i djathtë në kërcimet e mia. Me Besim Zekthin them ishte krahu i djathtë dhe një nga krahët e shqiponjës që u shkëput, por edhe Rexhepi ishte krahu i majtë, shqiponja tjetër legjendë që edhe ky u shkëput dhe unë trupi shqiponjë ngeca, por them që vazhdimi i artit është i bukur sepse ata kanë lënë amanet që arti të mbetet siç është. Unë them që me Rexhep Çelikun dhe Besim Zekthin vallja do qëndrojë e bukur, ashtu siç është. Ata fluturojnë lart dhe janë dy shqiponja që nuk ndalen, duke parë bukuritë e valleve shqiptare, të cilat nuk duhet të preken dhe të deformohen nga asnjë.
Liliana Cingu ne skene me Rexhep Celiku
CMG: Cilat janë planet tuaja artistike kur të mbarojë pandemia, duke ditur se ju jeni shumë e angazhuar nëpër evente të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit?
Liliana Cingu: Për momentin na ka bllokuar pandemia, por vjet unë kisha një festival në Florida bashkë me grupin e koreografit Ramazan Këllëzi, ku ka qenë e ftuar dhe Merita Halili bashkë me Raif Hysenin. Pandemia nuk na la që ne ta vazhdonim atë turne. Megjithatë e kishim edhe sivjet në muajin prill, por nuk u realizua dhe nga qershori unë do të jem në Kanada dhe mund të bëjmë aktivitete të tjera. Shpresojmë të na largohet kjo pandemi sepse jemi ngushtuar shumë duke besuar se aktivitetet do të vazhdojnë të jenë shumë më të forta.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Liliana Cingu: Për të gjithë stafin tuaj që realizoni këtë emision kaq të bukur për dëgjuesit që të informohen për çdo artist ju uroj njëherë për muajin e Ramazanit të gjithë atyre që agjërojnë sepse është një muaj për shëndet, mbarësi dhe dashuri dhe të falim sa më shumë zemër. Të gjithëve ju uroj jetë të gjatë dhe sa më shpejt pandemia të na iki.
CMG: Faleminderit dhe ju urojmë shëndet dhe suksese në vazhdim.
Liliana Cingu: Shumë faleminderit dhe nga ju Gazi!
Intervistoi: Gazmend Agaj