Tryeza e rrumbullakët kino-shqiptare
"Urat e partneritetit dhe mundësitë për promovimin e tregtisë në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës” ishte tema e konferencës së zhvilluar në platformën online Zoom të mërkurën.Konferenca u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri dhe Zyra e Tregtisë e Bashkisë Ningbo Në panelin e konferencës Radio Ejani u përfaqësua nga gazetari Gazmend Agaj, me të cilin komentojmë këtë konferencë.
Pala kineze në konferencë
CMG: Mendimi yt Gazmend për konferencën kino-shqiptare, që e ndoqe online?
Gazmend Agaj: Ishte një konferencë e rëndësishme, e cila edhe pse u zhvillua online për shkak të pandemisë por me një efekt të madh sepse trajtoi bashkëpunimin midis Shqipërisë në fushën e tregtisë së prodhimeve bujqësore. Edhe pjesmarrësit që ndoqën këtë webinar ishin shumë të interesuar nga të dyja palët.
CMG: Tema e konferencës ishte “Urat e partneritetit dhe mundësitë për promovimin e tregtisë në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës”
Gazmend Agaj: Po dhe të pranishëm ishin ambasadori i Kinës në Tiranë si dhe përfaqësues të pales kineze si dhe asaj shqiptare, të cilët folën për këtë bashkëpunim që tashmë ka nisur, sa i përket shkëmbimit dypalësh në fushën e tregtisë së prodhimeve bujqësore.
CMG: Fjalën përshëndetëse në konferencë e mbajti ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding. Të ndalemi te fjala e tij.
Gazmend Agaj: Në fjalën e hapjes ambasadori kinez theksoi se “bazuar në parimin tradicional të miqësisë bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis dy vendeve tona po thellohet. Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Ambasada jonë ka punuar me zell në lehtësimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve midis nesh. Ne kemi shënuar progres por ka ende një potencial të madh që duhet të shfrytëzohet, veçanërisht në tregtimin e produkteve bujqësore” Ndër të tjera ambasadori Zhou Ding tha se pavarësisht pandemisë, importi i produkteve shqiptare në Kinë vazhdoi të rritet.
CMG: Përsa i përket pales shqiptare dhe ajo ka patur përfaqësim në konferencë, si Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë. Gjithashtu në konferencë morën pjesë përfaqësues të pales kineze, ku pjesën më të madhe e përbënte province kineze Ningbo, e njohur për zhvillimin e panaireve të import-eksportit. Duke u ndalur te të dhënat eksportet shqiptare vitet e fundit janë dyfishuar, ndërsa të ardhurat nga eksportet kanë shënuar një shifër treshifrore në vitin 2020. Sa i përket eksporteve shqiptare në Kinë ato mbeten të pakta, duke përmendur mjaltin “Morava” apo vajin e ullirit, por synimet janë për rritjen e tyre.
Gazmend Agaj: Edha gjatë prezantimit të produkteve shqiptare gjatë këtij webinari, dua të përmend që përveç mjaltit “Morava” u prezantuan dhe prodhimet e kompanisë së bulmetrave “Lufra”. Kompania prezantoi disa prodhime që nga dhalli, kosi, qumështi dhe djathrat, ata u shprehën në konferencë se duan pika kontakti në Kinë për të patur bashkëpunime dhe më pas për të dërguar prodhimet e tyre në Kinë. Unë pashë dhe interesimin e pales kineze, të cilët u treguan kompanive shqiptare se si mund të aplikonin apo të kërkonin partnerë tregtarë në Kinë, për të krijuar më pas një urë bashkëpunimi.
Prezantimi i mjaltit Morava në Kinë
CMG: Një rol të rëndësishëm në shkëmbime luan Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Si u përfaqësua ajo në këtë konferencë?
Gazmend Agaj: Ishte i pranishëm drejtori i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Bujqësi, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Pjerin Shoshi. Ai teksoi se “Kina është një ndër ekonomitë më të fuqishme të botës dhe një partner i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë”
CMG: Me rëndësi për sektorin e bujqësisë në Shqipëri është dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Kishte interesim për konferencën nga kjo Agjenci?
Gazmend Agaj: Ishte e pranishme drejtorja e përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca. Ajo u ndal te prodhimet bujqësore dhe ushqimore shqiptare që pëlqehen nga konsumatori kinez, duke veçuar mjaltin. Ajo vuri në dukje ndihmën që u jepet fermerëve shqiptarë për të sjellë në treg prodhime sa më cilësore.
Mjalti Morava në një panair në Kinë
CMG: Po nga pala kineze pati pjesmarrës të tregtimit të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore?
Gazmend Agaj: Përfaqësuesja e palës kineze Chen Lizhen i njohu të pranishmit me arritjet e ekonomisë kineze të vitit të fundit, duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh ekonomiko-tregtar. Ajo bëri thirrje për shtimin e bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Prodhimet e kompanisë Lufra
CMG: Ka patur përfaqësues të tjerë nga pala shqiptare në konferencë?
Gazmend Agaj: Ishin dy përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Dua të ndalem te fjala e sekretares së përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Albana Laknori. Ajo theksoi se Shqipëria duhet të krijojë një klimë të mirë për investimet kineze. Ajo tha se pritet që në të ardhmen Shqipëria të zgjerojë gamën e eksportit të prodhimeve agro-ushqimore, si mjalti dhe mishi, drejt Kinës.
Duke ndjekur konferencën pashë se përveç përfaqësuesve të institucioneve përkatëse shqiptare dhe kineze ishin dhe vetë prodhuesit e kompanitë. Kjo është një gjë e mire sepse në një tryezë të rrumbullakët ata mund të vendosin urat e bashkëpunimit.
Në përfundim të veprimtarisë, kompanitë shqiptare, të mjaltit “Morava” dhe bulmeteve “Lufra”, i njohën të pranishmit me prodhimet e tyre, duke shprehur interesimin për gjetjen e partnerëve tregtarë nga Kina. Nuk munguan as prezantimet e kompanive kineze të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore.
Intervistoi Eda Merepeza