Zhani Ciko duke dirigjuar
Muzikanti i njohur dhe ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Maestro Zhani Ciko në një intervistë për Radio Ejani sjell kujtimet dhe mbresat e tij gjatë vizitës në Kinë si dhe bashkëpunimet në fushën e artit midis Shqipërisë dhe Kinës.
CMG: Maestro Ciko faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në Radio Ejani.
Zhani Ciko: Të falenderoj Gazi sepse më ke futur në një botë që për mua është shumë e afërt dhe shumë e dashur, por për shkak të viteve që kanë kaluar sigurisht që sjellja në mendje e kujtimeve është një ngjarje që të pëlqen, sepse i rishikon ngjarjet që ty të kanë lënë mbresa dhe kur flitet për Kinën, për këtë shtet të stërmadh dhe të një kulture sa të lashtë kaq edhe moderne sot, sigurisht që është kënaqësi të shprehësh mendimet e tua.
CMG: Ju vërtetë keni kujtime të bukura me Kinën edhe në njohjet tuaja në fushën e muzikës qoftë asaj kineze, por edhe në bashkëpunimet në këtë fushë kur ju ishit drejtues i TKOB-it.
Zhani Ciko: Po është e vërtetë, pavarësisht se fillimisht njeriu ka mbresa të cilat më vonë i ke verifikuar në kontaktet direkte. Unë kam kënaqësinë që të shpreh mbresat e mia në kontaktet më të hershme me muzikën kineze, me artistët kinezë dhe pastaj gjatë qëndrimit tim mbi dy muaj në Republikën Popullore të Kinës dhe më vonë me kontaktet që vazhduan deri vitet e fundit, kur unë kam qenë drejtues i Teatrit të Operas, por edhe mbas asaj sepse festat e Kinës gjithmonë i kemi festuar këtu edhe nëpërmjet rolit pozitiv që ka luajtur Ambasada e Kinës gjithmonë për t’i mbajtur njerëzit afër saj në ditë festimesh.
Zhani Ciko ne interviste per CMG
CMG: Z.Ciko ju gjatë vizitës në Kinë keni qëndruar gjatë atje dhe besoj se keni parë shumë gjëra që do na i sillni në këtë intervistë.
Zhani Ciko: Vizita në Kinë ishte një vizitë shumë e mirëpritur prej meje sepse Kina ishte vend i madh dhe i një kulture të stërlashtë nga e cila ka përfituar gjithë njerëzimi edhe shtetet shumë më të zhvilluara që janë sot, gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të lashta. Mjafton të kujtoj Marko Polon dhe influencën e kulturës kineze, të traditive të tyre të lashta në gjithë zhvillimin deri në vende të tilla të mëdha si Italia dhe shteteve të tjera të mbarë Europës, plus asaj edhe në Shqipëri është dëgjuar emri i Kinës me kohë.
Më kujtohet që në shtëpinë tonë te gjyshja ime ne kishim një çift filxhanësh kafeje të cilët kishin ardhur nga Kina por shumë të vjetra, mund të ishin 100 vjeçare ose më tepër. Këto ishin kontaktet e para me Kinën. Më pas më kujtohet konkretisht me muzikën kineze që kisha dëgjuar ndonjë fragment në radio ose mbi muzikën popullore të Kinës dhe ajo që më mahniste ishin orkestrat e tyre me instrumentat popullorë kinezë, por që luanin vepra madje dhe të muzikës klasike në stilin e tyre. Kështu që ajo gjë e veçantë ishte se kur isha student violinist në konservatorin e Tiranës atje një ditë profesori im Sofokli Paparisto më solli një libër dhe më tha këtë libër ma kanë dhënë nga ambasada e Kinës dhe janë me pjesë violinistike dhe më tha të shikoja ndonjë dhe ta luaja në një koncert. Unë zgjodha një pjesë që mua mu duk si më interesante dhe ishte vërtetë një pjesë e bukur të cilën për herë të parë e luajta në një koncert që zhvillohej atëhere në kuadrin e miqësisë shqiptaro-Kineze. Ishte njohja e parë me muzikën kineze dhe më pas ngjarje të tjera evoluan. Më kujtohet që atëhere erdhi një seri e madhe pianosh nga Kina dhuratë për studion e konservatorit tonë të Tiranës, të cilat jo vetëm që plotësonin nevojat e shkollës në atë kohë por një pjesë e tyre iu ndanë edhe kompozitorëve më të mirë shqiptarë. Pianot kishin një emër të tyre Nieer që për ne në atë momentin e parë nuk tregonte ndonjë gjë, por unë u interesova menjëherë dhe mora vesh që Nieer është kompozitor kinez dhe i zhvillimit të muzikës së kultivuar në Kinë.
Kjo më tërhoqi shumë ku më pas gjatë vizitës sime në Kinë pata rastin ta njoh krijimtarinë e tij, të më dhurojnë dhe disqe me muzikën e tij dhe shoh që ishte një kompozitor shumë i kultivuar si dhe njohës i madh i traditave botërore të muzikës, të cilat ai me intonacionet e pentagonit kinez dhe të motiveve kombëtare kishte krijuar vepra të cilat krahasoheshin edhe me të kompozitorëve të mëdhenj klasikë të Europës.
Zhani Ciko
CMG: Çfarë vizituat tjetër në Kinë dhe cilat gjëra ju kanë bërë më shumë përshtypje?
Zhani Ciko: Gjithashtu vizituam edhe disa akademi të artit figurativ në Hangzhou, një akademi që ja paraqisnin të gjithë miqve. Atje pamë se si ishin përshtatur edhe rrymat e ndryshme të pikturës dhe të skulpturës me traditat kineze, siç e njohin sot disa nga pianistët më të mëdhenj të botës. Kishte edhe instrumentistë jashtëzakonisht të mire, ku një nga këta ishte professor Chen Pingyuan i cili ishte një njohës shumë i mirë dhe komunikues, një tip sportiv që i pëlqente dhe alpinizmi. Pata kënaqësinë që gjatë qëndrimit tim në opera mbas 20 vitesh unë ta ftoj dhe ai erdhi në moshë pak të avancuar, por me kënaqësi shumë të madhe ku u takuam me studentët e tij dhe organizuam edhe një koncert të tij në sallën e operas dhe këmbyem kujtime.
Gjatë qëndrimit tim në Kinë e kam takuar dhe kemi ndenjur bashkë ku na organizoi edhe një eksursion në Pekin në vendet që ne nuk i kishim parë siç ishin disa tempuj të vjetër. Në fund më dha dhe një film me gjithë këto vende ku kishim qenë bashkë të fotografuara nga ai. Unë atë filmin kur erdha në Shqipëri e zhvillova dhe ja dhurova të gjithë shokëve tanë, që ishim në kujtimet e tij nëpërmjet fotografive. Kur ai erdhi këtu dhurata ime për atë ishte që ja ktheva në një album të gjitha ato foto që ai na i kishte bërë në Kinë.
CMG: Kur ju ishit Drejtor i TKOB-së një grup artistësh të folklorit kinez dhanë një koncert në sallën e operas. duke interpretuar me mjeshtëri vallet tona popullore tradicionale.
Zhani Ciko: Po është e vërtetë që u organizua me shumë dashuri ky aktivitet. Unë me gjithë këto mbresa që pata për faktin se kisha pritur edhe një delegacion në vitet 70-të kur isha herën e parë në opera. që erdhën këtu te ne gjithë trupa e operas dhe baletit të Pekinit me filarmininë e tyre, me koncerte për piano e orkestër dhe me orkestrën e madhe simfonike dhe me baletet kineze. Dy shfaqje operistike u dhanë këtu dhe pregatitëm vajtjen e baletit tonë “Cuca e maleve” në Kinë në atë kohë.
Ndërsa herën e fundit ishte një kënaqësi shumë e madhe kur do të vinte këtu trupa e baletit kinez. E pritëm me kënaqësinë më të madhe dhe u përpoqëm ta organizonim me perfeksion shfaqjen e tyre ku salla ishte e mbushur plot me miqtë e Kinës dhe të kulturës kineze. Ata mbetën shumë të kënaqur dhe na dhuruan disa dhurata sepse u hap dhe një ekspozitë e artizanatit kinez në hollin e operas. Akoma sot në shtëpinë time unë kam disa kujtime nga prodhimet e jashtëzakonshme të artizanatit kinez, të cilat i kisha njohur dhe shijuar vetë që në vizitën time të parë në Kinë.
Zhani Ciko
CMG: Ju jeni gjithmonë i ftuar në pritjet e Ambasadës kineze në Tiranë në raste festash të Kinës, pra keni rastin të shijoni ushqimet tradicionale kineze po pse jo të takoni dhe miqtë tuaj.
Zhani Ciko: Më pëlqen kuzhina kineze dhe sidomos në shumë turne të miat në Europë unë kam vizituar disa herë restorante kineze, dhe këtu jam mik me disa restorante që janë hapur edhe më pëlqen ushqimi. Sigurisht në pritjet zyrtare në Kinë me banketet e mëdha të cilat zhvilloheshin në sallën e asamblesë së tyre, atje kemi shijuar kuzhinën e vërtetë kineze që ishte pak e fortë për ne, ndërsa kjo që është pak e përpunuar na përshtatet më shumë.
Vlerësoj shumë aspektin shëndetësor të kuzhinës kineze ashtu siç më pëlqen dhe erboristika e barnave kineze që janë natyrale bio, të çajrave kineze megjithëse janë të gjitha këto gjëra që nganjëherë për ne mbeten koma të rralla. Gjithmonë sa herë jam ftuar kam shkuar me kënaqësi në pritjet e ambasadës kineze. Kështu ka mbetur miqësia jonë e paharrueshme, sepse në fund të fundit artistët siç thotë dhe Bethoveni i madh, janë të gjithë vëllezër dhe njerëzit janë vëllezër.
CMG: Nëse do t’ju jepet mundësia këtë periudhë ta vizitoni shërish Kinën çfarë do të kishit dëshirë të shikonit?
Zhani Ciko: Unë po të shkoja sërish do të kisha dëshirë të vizitoja sigurisht aspektet moderne që ka një interes, por edhe të shoh sesi bëhen ekspozitat e Kinës. Shoh disa salla që më kanë lënë mbresa si për shembull sallën e Operas së Pekinit ku kemi parë disa shfaqje ose të filarmonisë, por dhe një sallë tjetër të veçantë që ishte në Kanton, e cila ishte një sallë koncertesh e gjitha prej bambuje dhe kishte një akustikë të cilën nuk e kam dëgjuar në asnjë vend tjetër, kudo që kam qenë, të butë dhe atje kishin luajtur artistët më të mëdhenj nga shtete të tjera. Gjithashtu të jem i pranishëm në periudhën kur bëhen ato panairet e jashtëzakonshme të Shangait ku atje kam njohur prodhimin e violinave kineze që ishte shumë kualitativ dhe të cilat janë përhapur në të gjithë botën si instrumenta me vlerë. Edhe në Shqipëri patën ardhur një kontigjent që kishte një kualitet shumë të lartë.
CMG: Unë ju falenderoj shumë për këtë bisedë interesante duke ju uruar të keni shëndet dhe suksese!
Zhani Ciko: Faleminderit dhe juve!
Intervistoi: Gazmend Agaj