Konferenca kino-shqiptare online
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar me Kinën po synon jo vetëm rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, por edhe një interes në rritje të bizneseve private. Në një konferencë “online” zhvilluar disa ditë më parë më shumë se 60 biznese shqiptare shprehën nevojën për bashkëpunim e shkëmbim të ndërsjellë me kompani kineze. Bëhet fjalë për sektorë si industria, përfshirë elektronikën dhe pajisjet elektrike, pajisjet e ndriçimit, automjetet, makineri, pajisje fizike kompjuterash, energji, materialet e ndërtimit, pajisje mjekësore deri edhe produkte shëndetësore, ushqim, këpucë, tekstile dhe veshje.
Bizneset shqiptare diskutuan me autoritetet, përfshirë përfaqësuesit e Ambasadës së Kinës në Tiranë, por edhe organizatorët e konferencës të Qendrës së Tregtisë së Jashmte të Kinës dhe të edicionit të 129-të të Panairit Kanton. Një nga pjesmarrëset në konferencën online është dhe Drita Avdyli Kryetare e Dhomës Kombëtare Shqiptare të Ndërmjetësuesve.
Drita Avdyli gjatë intervistës për CMG
CMG: Ju falenderoj zonja Avdyli që na krijuat mundësinë të flasim për këtë konferencë në Radio Ejani.
Drita Avdyli: Ju falenderoj ju për ftesën. Është kënaqësi të jem në radion tuaj. Ishte gjithashtu një kënaqësi pjesmarrja ime në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare, midis shumë partnerëve dhe investitorëve kinezë dhe atyre shqiptarë.
CMG:Keni marrë pjesë në konferencën online të Qendrës së Tregtisë së Jashtme të Kinës dhe edicionit të 129-të të Panairit të eksport-importit të Kantonit. Si e vlerësoni pjesmarrjen tuaj në këtë konferencë?
Drita Avdyli: Isha folësja e fundit e kësaj konference ndërkombëtare dhe falenderova panelistët dhe organizatorët që më bënë pjesë të kësaj konference të rëndësishme. Unë isha në konferencë si kryetare e Dhomës së Ndërmjetësimit për t’u thënë pjesmarrësve se në zhvillimet e fundit të tregtisë dhe të investimeve ndërkufitare, jam aty për të ofruar gjithë ndihmën ligjore dhe për të hequr të gjitha pengesat apo mosmarrëveshjet që mund të kenë midis palëve, midis investitorëve kinezë dhe atyre shqiptarë, si dhe me Drejtorinë shqiptare të Doganave apo të Tatimeve, pasi ligji i ndërmjetësimit ndërmjetëson në mënyrë shumë të shpejtë dhe bën procese jashtëgjyqësore por në mënyrë të ligjshme jo vetëm midis bizneseve private, por midis bizneseve dhe enteve publike.
CMG: Ndalemi në temën që ju keni trajtuar në konferencë për rolin e ndërmjetësimit në rezolutën e mosmarrëveshjeve në tregti dhe investime. Na flisni për fjalën që keni mbajtur në këtë panel të rëndësishëm.
Drita Avdyli: U tregova të gjithë pjesmarrësve por pse jo dhe qytetarëve kinezë dhe shqiptarë si dhe investitorëve se ndërmjetësimi është një proces shumë i shpejtë midis dy ose më shumë palëve në mosmarrëveshje që kërkojnë një zgjidhje ligjore, konsensuale, jashtë gjykate. Sigurisht që kjo arrihet nëpërmjet një personi të tretë, që është shumë i kualifikuar dhe i paanshëm, i zgjedhur nga vetë palët dhe jo na shorti që të bie në gjykatë dhe shumë konkurrues, apo i lirë në pagesë.
Sigurisht kjo palë e tretë është një ndërmjetës i licensuar, që është dhe anëtar i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve. Jemi shumë fleksibël, të arsyeshëm, të justifikueshëm dhe i çojmë palët drejt zgjidhjes së konfliktit.
Në këtë konferencë bëra thirrje që personat që kanë mosmarrëveshje të drejtohen tek ne, por u garantova për një paketë ligjore që do të ndihmonte çdo investitor kinez në Shqipëri, apo investitorë tanët gjatë shkëmbimeve tregtare jashtë. Ndërsa për investitorët dhe tregtarët kinezë jam këtu për të hequr çdo barrierë ligjore, për t’i çuar ata drejt zonave të lira të tregtisë.
Më bëhet qejfi që i kemi rifilluar këto marrëveshje dhe isha pjesë e konferencës sepse kisha dhe një nostalgji. Babai im ka qenë në Shangai për të marrë eksperiencën kineze për mbjelljen e orizit dhe e ka realizuar këtë për herë të parë në tokat bujqësore të rrethit të Durrësit.
Drita Avdyli Kryetare e DHKN gjatë konferencës
CMG: Si mundësohet ndërmjetësimi kur njera palë është shqiptare dhe tjetra e huaj?
Drita Avdyli: Kjo duhet të jetë parësore që në lidhjen e kontratës. Pra dy investitorë ndërkufitarë shqiptarë dhe kinezë që në momentin kur vendosin të lidhin marrëdhënie midis tyre ata duhet të shënojnë që në rast konflikti apo mosmarrëveshjeje më parë duhet t’i drejtohen ndërmjetësit, arbitrazhit para se t’i drejtohen procesit gjyqësor. Kjo pasi procesi gjyqësor është i tejzgjatur, burokratik dhe kërkon shumë dokumente, ndërsa ndërmjetësuesi është lehtësues, që çon palët jo vetëm drejt zgjidhjes por rregullon dhe marrëdhëniet mes tyre.
CMG: Po nëse ndodh me kahje të kundërt? Nëse një investitor apo biznesmen shqiptar mund të ketë probleme në tregtinë ndërkufitare me palën kineze, ju mund ta ushtroni aktivitetin tuaj?
Drita Avdyli: Patjetër. Ne krijojmë kontakt dhe tashmë platformat online bëjnë që të lidhemi me investitorin kudo qoftë ai, ndoshta dhe në Pekin, ashtu siç lidhemi dhe me investitorët evropianë që kanë lidhje tregtie apo konflikte me investitorët shqiptarë. Nëpërmjet platformës Zoom apo platformave të tjera diskutojmë me palët për të ulur tensionet dhe për të gjetur rrugët e zgjidhjes.
CMG: Prej afro një viti për shkak të pandemisë punohet në kushte të reja. Me sa duket ky model i ri pune do të na shoqërojë për një kohë të gjatë. Si ka vijuar veprimtaria e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit e drejtuar nga ju, në kohë pandemie?
Drita Avdyli: Në fakt, puna jonë nuk ka ndalur. Nëse si sot një vit gjykatat kanë filluar të pezullojnë punën e tyre, si çdo pjesë e ekonomisë shqiptare, ndërmjetësimi nuk e pezulloi aktivitetin. Në një çeshtje midis dy personave në distancë mund të përdoren platformat online Skype, Zoom, Whatsap për ndërmjetësim dhe ne jemi trajnuar për këtë. Tashmë online kemi patur shumë zgjidhje të konflikteve jashtë gjyqësisë. Kemi trajtuar konflikte të dhunës në familje, mosmarrëveshje të bizneseve apo konflikte të pronës. Puna jonë nuk ka ndaluar. Sigurisht që nuk kemi patur pikun e punës, por kemi vijuar punën pa u ndaluar. Ndryshe nga seancat gjyqësore, seancat e ndërmjetësimit bëhen në çdo orë, në fundjavë. Ato mund të bëhen në zyrën e ndërmjetësuesit, apo në ambjentet e biznesit, por do të preferonim ta bënim përmes platformës Zoom. Bizneset janë të parat që shkojnë drejt ndërmjetësimit pasi tarifat janë konkuruese
CMG: Qytetarët shqiptarë e njohin ndërmjetësimin dhe e përdorin atë?
Drita Avdyli: Në fillim nuk na njihnin. Në fakt avokatët, gjykatësit apo prokurorët na shohin si konkurentë, por ne jemi aty për të gjetur zgjidhje për njerëzit dhe jo për të konkuruar punën e tyre. Ne tentojmë që palët t’i çojmë drejt zgjidhjes dhe krijojmë drejtësi sociale për të cilën Shqipëria ka shumë nevojë.
Intervistoi Eda Merepeza