Varri i Zhang Baoyu në Tiranë

Varri i Zhang Baoyu në Tiranë

Zhang Baoyu ishte vetëm 35 vjeç kur ndërroi jetë në krye të detyrës në malin e Dajtit më 27 shtator të vitit 1971, duke rënë nga shkëmbi me lartësi 1612 metra mbi nivelin e detit, teksa vendoste antenat e RTSH-së. Ai është një hero i historisë së transmetimeve audio-vizive në Shqipëri, i nderuar atëkohë me medaljen e artë nga ish-Kuvendi Popullor i Shqipërisë.

Në ditën e përkujtimit të të ndarëve nga jeta, të njohur në traditën 2500 vjeçare kineze si Qingming, në shqip “Shkëlqimi i pastër”, Zhang Baoyu dhe specialistët e tjerë kinezë që prehen në Shqipëri Li Dexiong, Peng Guiwen, Ou Xingtai dhe Song Shuhai u përkujtuan me një ceremoni të veçantë, organizuar nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës.

Në varrezat e Sharrës në kryeqytet ambasadori kinez Zhou Ding dhe anëtarë të tjerë të ambasadës, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTSH-së Martin Leka, kryetari i Shoqatës së miqësisë Shqipëri-Kinë, Spartak Nano dhe ai i Shoqatës Kulturore Alb-China Iljaz Spahiu mbajtën një minutë heshtje para varreve të kinezëve të rënë në krye të detyrës në Shqipëri gjatë viteve 70-të.

Ceremonia përkujtimore në 50 vjetorin e ndarjes nfa jeta të Zhang Baoyu

Ceremonia përkujtimore në 50 vjetorin e ndarjes nfa jeta të Zhang Baoyu

Ambasadori Zhou Ding në fjalën e tij tha se “Në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, qeveria kineze ndihmoi në ndërtimin e më shumë se 100 projekteve në Shqipëri, për realizimin e të cilave, erdhën afro 6000 specialistë e duke dhënë kontribut të pashlyeshëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe thellimin e miqësisë Kinë-Shqipëri. Duke rishikuar historinë mbi 70 vjet të marrëdhënieve kino-shqiptare, pikërisht falë bazës së fortë të miqësisë dhe pasurisë shpirtërore të lënë nga paraardhësit, sot mund të ketë marrëdhënie e bashkëpunim miqësor mes Kinës dhe Shqipërisë”.

I pranishëm në ceremoni, zëvendësdrejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, Martin Leka i cili tha se “ Kjo është një ditë e shënuar dhe përkujtojmë 50 vjetorin e rënies në krye të detyrës të heroit Zhang Baoyu. Padyshim është një ditë nderimi për zotin Zhang Baoyu, por dhe për miqësinë shqiptaro-kineze. Në themelet e RTSH-së padyshim është dhe ndihma shqiptaro-kineze dhe fakti i rënies në krye të detyrës të zotit Zhang Baoyu është një tregues i rëndësishëm i miqësisë midis dy popujve tanë”.

Duke respektuar traditën e lashtë të Qingming ambasadori Zhou Ding vendosi dhe nga një shishe raki në varret e specialistëve kinezë, në varrezat e Sharrës në kryeqytetin shqiptar. Ceremonia përkujtimore u zhvendos po në këtë varrezë, ku prej disa ditësh prehet një mik i shquar i Kinës, ish deputeti socialist Bashkim Fino, njëherësh kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kinë, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

Pasi vendosi lule bashkë me të pranishmit në ceremoni në varrin e ish deputetit Fino, ambasadori kinez Zhou Ding e kujtoi atë me nderim të veçantë.

“Më erdhi në mend Festa Qingming e vitit të parë të misionit tim në Shqipëri. Unë erdha këtu për të përkujtuar dëshmorët bashkë me kryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-kryeministrin Z. Bashkim Fino. Z. Fino dhe unë kishim vetëm dy vjet që ishim njohur, por kishim krijuar një miqësi të thellë. Ndarja e tij nga jeta më trishton shumë. Z. Fino ishte politikan i shquar, që drejtoi vendin në kohën më të vështirë si kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, duke dhënë kontribute të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin e shtetit. Z. Fino ishte edhe mik i vjetër i Kinës, që luante një rol të rëndësishëm për forcimin e miqësisë mes dy vendeve tona në postin e kryetarit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë të Kuvendit. Bashkë ndezëm fenerët kinezë në Sheshin Skënderbej. Bashkë provuam ushqimin e Provincës Sichuan në ambasadën tonë. Bashkë festuam 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës në Muzeun Historik Kombëtar. Bashkë kremtuam 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona në Kryeministri. Bashkë mbollëm pyllin e miqësisë Kinë-Shqipëri në Parkun e Liqenit. Këto kujtime të bukura e të çmuara do të mbeten përjetë në zemrën time. Ne do ta kujtojmë gjithmonë Z. Fino. Shpresojmë të prehet në paqe në këtë tokë që e donte kaq shumë”, u shpreh ambasadori Zhou Ding.

Një buqetë me lule nga Radio Ejani

Një buqetë me lule nga Radio Ejani

Qinming ose "Dita e pastrimit të varreve" është një nga ditët përkujtimore në traditën kineze, e cila përkon me datën 4 prill, kur pranvera ka nisur të hedhë hapat e parë të saj. Gati një apo dy javë para kësaj date në varrezat e Kinës sheh njerëz të moshave të ndryshme që pastrojnë varret e të afërmve dhe vendosin në to lule, qirinj, pastrojnë barin e mbjellin lule, por ka raste kur vendosin dhe biskota apo ushqime të tjera.

Zanafilla e kësaj dite përkujtimore të kinezëve i ka rrënjët që në dinastinë Zhou, rreth 2500 vjet më parë. Tradita nuk ka të bëjë vetëm me pastrimin e varreve dhe nderimin ndaj njerëzve të dashur të ndarë nga jeta, por këtë ditë kinezët organizojnë shëtitje në natyrë me familjen, piknik, luftimet me gjela, pra festa popullore të pranverës që ka ardhur.

Eda Merepeza