Gazetari Çerçiz Loloçi në intervistë për CMG
Edhe pak ditë na ndajnë na zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, që do të zhvillohen në një situatë krejt të ndryshme nga zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri, për shkak të pandemisë Covid 19. Gazetari Çerçiz Loloçi, njëherësh drejtues i portalit Albspirit.com bashkëbisedon me gazetaren Eda Merepeza për fushatën zgjedhore dhe të reja e saj.
Nisja e fushatës zgjedhore nga PD në sheshin Nënë Tereza
CMG: 25 marsi shënoi nisjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Një fushatë dhe zgjedhje në kohë pandemie. Si e vlerësoni hapjen e fushatës por dhe vijimin e saj nga dy forcat kryesore politike në garë?
Çerçiz Loloçi: Mendoj që për shkak të situatës së pandemisë të dyja forcat politike, Partia Demokratike opozitë dhe ajo Socialiste në mazhorancë, kanë bërë një hapje të qetë të fushatës, sigurisht me specifikat e tyre. Ndërsa PS gjeti një zgjidhje duke paraqitur vetëm kandidatët e saj, PD gjeti një zgjidhje tjetër, por ishte një fushatë e qetë përgjithësisht. Sigurisht, nëse nuk do të ishte pandemia do të ishte mirë të bëhej një fushatë me militantët e partive dhe të gjithë mbështetësit e tyre.
CMG: Ky ishte dhe dallimi që u vu re dhe në media. PS pati në hapje fushate vetëm kandidatët e saj dhe solli një model të ri në kohë pandemie, kurse PD ruajti modelin klasik me mbështetësit, pavarësisht se ishte bërë thirrje që të mos kishte shumë të tillë. Por simpatizantët nuk mundën të ndaloheshin, sepse mbështesin partinë e tyre politike.
Çerçiz Loloçi: Duhet thënë se fushata kaloi pa eksese.
Nisja e fushatës zgjedhore të PS në Sheshin Skënderbej
CMG: Premtime nga socialistët që dëshirojnë një mandat të tretë për të vazhduar projektet e nisura, por dhe nga demokratët që pas 8 viteve në opozitë presin marrjen e pushtetit. Gjykimi juaj për programet politike të garuesve, dallimet dhe të përbashkëtat e tyre.
Çerçiz Loloçi: Para se të kaloj te programet do të thoja se Shqipëria si një vend me demokraci të brishtë ka nevojë për ndryshim pushtetesh. Edhe në shoqëritë e konsoliduara është mirë që pushteti të ndryshohet. Duke u kthyer te programet, PS kërkon mandatin e tretë dhe flet me punët që ka bërë, ndërkohë që PD ka gjetur një zgjidhje tjetër. Partia Demokratike përmend arritjet që ka patur kur ishte në pushtet dhe problemet që ka patur maxhoranca në dy mandate. Partitë japin imazhin e tyre më të mirë, por cilësi pozitive te të dy partitë do të shikoja pjesmarrjen e femrave në kandidatura, madje në një pjesë të konsiderueshme. Mendoj që kjo është e drejtë, sepse në Shqipëri femrat përbëjnë numrin më të madh të votuesve. Një parlament me barazi gjinore mendoj se është në të mirë të tij.
Zgjedhjet parlamentare 25 prill 2021
CMG: Mendoni se premtimet elektorale të të dy kampeve politike janë të realizueshme?
Çerçiz Loloçi: Siç ndodh jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera, premtohet më shumë seç bëhet. Ka disa media, përfshirë dhe portalin që editohet prej meje, të cilat bëjnë monitorim të premtimeve të politikanë dhe sa realizohen ato. Për shembull po marr një premtim të PS për sigurimin e ujit 24 orë për qytetarët, që është një premtim i bërë dhe në mandatin e dytë. Ndërkohë që mendoj se kjo nuk duhej premtuar më, për aq kohë sa nuk është realizuar. Po kështu edhe PD ka disa premtime që vështirë se mund t’i bëjë realitet sepse jo të gjitha premtimet varen vetëm nga faktori shqiptar. PD ka si kryetemë integrimin e Shqipërisë në Evropë, një temë kjo që e kanë të gjitha partitë politike. Por për fat të keq ne kemi ngelur te tabela e fundit për të hyrë në Evropë.
Këtë e shoh të vështirë të realizohet, sepse përveç ndryshimit të maxhorancave të ndryshme në vend, çeshtja ka të bëjë me funksionimin e institucioneve, pavarësinë e drejtësisë, korrupsionit në nivele të larta etj. Pra ka probleme dhe jo të gjitha premtimet mund të realizohen.
CMG: Cila do të jetë rijësia e zgjedhjeve, referuar dhe kandidatëve, sepse kemi parë pjesmarrje të madhe të femrave, por dhe nga bota e biznesit, shoqëria civile. Sa do të përfitojnë vetë zgjedhësit nga të zgjedhurit e tyre?
Çerçiz Loloçi: Krahasuar me zgjedhjet e mëparëshme ka një përpjekje për të sjellë individë të rinj, profesionistë, përveç se ka dhe individë që kanë tre dekada në politikë dhe mund të ishte evituar kjo, ndonëse PS i ka vendosur në fund të listave. Mendoj që përzgjedhja e kandidatëve ka qenë më e mirë se çdo herë tjetër. Këtij seleksionimi nuk i kanë shpëtuar dhe persona me rekorde kriminale dhe fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuartë largohen nga lista rreth 30 kandidatë nga tre partitë kryesore PS, PD dhe LSI, si dhe partitë e tjera, tregon se ka një vemendje më të madhe të institucioneve për të larguar personat e inkriminuar. Cilësoj pozitiv dhe pjesmarrjen e të rinjve, që zenë një pozicion të mirë sidomos te PS dhe jo aq shumë te PD. Ndërsa te PS dhe LSI të rinjtë zenë rreth 30 për qind të listave.
Gazetari Çerçiz Loloçi
CMG: Kjo fushatë për shkak të pandemisë ka patur një përfaqësim dhe promovim të madh në mediat sociale, përveç mediave klasike audiovizuale dhe asaj të shkruar. Ju jeni drejtues i portalit Albspirit,com dhe e keni pasqyruar padyshim fushatën zgjedhore. Si e shikoni kohën dhe hapësirën që ka zënë politika, por dhe komentet shoqëruese në mediat sociale? A do ishte kjo një vlerë e shtuar në kohë fushate?
Çerçiz Loloçi: Rrjetet sociale dhe sidomos portalet luajnë një rol shumë të madh në kohë pandemie dhe është një dimension që ka zenë vend.Dukuria botërore e përcjelljes së mesazheve të politikanëve në rrjetet sociale, ndodh dhe në Shqipëri.Në portalin që editoj me stafin tim nuk arrij të pasqyroj të gjithë gamën e fushatës së partive, por bëj kujdes që të evitoj përplasjet që kanë mes njera-tjetrës, sepse më shumë më intereson të nformoj se çfarë bëhet, çfarë premtohet. Edhe në Shqipëri kjo ka një ndikim mjaft të madh. Këtë prirje e kanë kapur dhe politikanët e kandidatët për deputetë që menaxhojnë faqet e tyre online ku japin takimet e tyre me zgjedhësit, që nuk janë takime në masë për shkak të pandemisë. Në të ardhmen këto do të zenë një vend akoma më të rëndësishëm.
Intervistoi Eda Merepeza