Alfons Zeneli me koleget e tij gazetare

Alfons Zeneli me koleget e tij gazetare

Gazetari Alfons Zeneli ka punuar në disa prej mediave të njohura shqiptare si drejtues dhe gazetar. Gjatë një interviste për Radio Ejani ai sjell kujtimet e tij nga vizita në Kinë, si dhe eksperiencën kineze.

CMG: Z.Zeneli faleminderit që pranuat ftesën për të qenë i ftuar në Radio Ejani.

Alfons Zeneli: Faleminderit edhe nga ju dhe kënaqësia pa dashur të kaloj në egoizëm është totalisht e imja, sepse unë kam punuar shumë kohë në radio dhe radio është një absurd kënaqësie, është një media që mbase do ta zgjidhja githmonë. Kështu që e kam kënaqësi të përcillem nëpërmjet valëve të radios qoftë dhe si një dëgjues i rregullt.

CMG: Ju keni dhënë një kontribut në media, jo vetëm në radio por edhe në televizion, si drejtues si dhe në gazeta të ndryshme. Mbetet gjithmonë radio pasioni më i madh për ju?

Alfons Zeneli: Absolutisht po. Media e shkruar është mrekulli, televizioni dhe radio gjithashtu. Media e shkruar sepse edhe lloji i komunikimit është i tillë dhe kërkon një angazhim më të thellë të përqendrimit dhe produktit që ti jep, televizioni ka avantazhin tjetër se paraqitesh me figurë dhe krijon një kontakt gjithashtu të këndshëm me shikuesit, por magjia e radios është pastaj e veçantë mbi të gjitha dhe po e përsëris që do të zgjidhja radion në mes të gjithë zhanreve të medias për arsyen e thjeshtë sepse ka një specifikë të veçantë. I ulur në një studio të vogël radioje nuk të shikon askush, por vetëm të dëgjojnë zërin. Kontakti i vetëm nëpërmjet zërit pa figurë krijon atë magjinë dhe një farë linje komunikimi mistike për faktin se zëri është frymë, fryma është e shenjtë, kjo krijon atë mistikën e të komunikuarit.

Alfons Zeneli gjate vizites ne Kine

Alfons Zeneli gjate vizites ne Kine

CMG: Ju keni vizituar Kinën në vitin 2015, në një vizitë të nivelit të lartë. Çfarë kujtimesh ruani nga kjo vizitë?

Alfons Zeneli: Ka qenë një vizitë spektakolare do ta quaja. Për shkak të profesionit ka shumë vende të cilat kam vizituar, edhe vende të mëdha, të zhvilluara dhe egzotike, duke filluar nga Rusia tek Kina për të cilën do të flasim sadopak, Europën Lindore dhe atë perëndimore, por kam qenë edhe në Brazil që është mendoj ëndërr e shumë njerëzve në botë për ta vizituar. Pra kam parë shumë nga këto vende, shumicën për shkak të profesionit ku edhe Kinën e kam vizituar po për shkak të profesionit.

Por për hir të së vërtetës po them diçka që kam për ta përmbyllur kënaqësinë e një vizite në Kinë. Në rrugën e kthimit u nisëm nga Pekini dhe ishim tranzit në Stamboll, pastaj erdhëm në Tiranë, që do të thotë rreth 14 orë udhëtim gjithsej. Po bisedonim me kolegun tim Marash Mirashi, gazetarin e mirënjohur të televizionit lidhur me kënaqësinë që patëm në Kinë, e cila ishte aq e madhe sa po të na thonin për t’u kthyer sërisht do të ktheheshim pa zbritur në Tiranë prapë në Kinë me gjithë atë rrugë të gjatë.

Alfons Zeneli ne Kine

Alfons Zeneli ne Kine

CMG: Sa ditë qëndruat në Kinë dhe cilat janë mbresat tuaja nga Pekini?

Alfons Zeneli: Vizita ishte e organizuar nga qeveria kineze dhe këtu merr fund diskutimi lidhur me cilësinë e kësaj vizite sepse janë shumë të kujdesshëm dhe të saktë si dhe të përkushtuar për t’i kryer me preçizion shumë të madh këto gjëra kinezët. Ishte një vizitë pune të cilën qeveria kineze e organizonte për të njohur 16 vendet e Evropës Juglindore dhe qëndrore me projektin e tyre të stërmadh global të Rrugës së mëndafshit, që donin të prezantonin tek vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore, nëpër të cilat presupozohej të kalojë Rruga e mëndafshit. Kjo ishte aryeja e vizitës ku gjithsej ishim rreth 50 gazetarë nga këto vende, nga tre për secilin shtet dhe ishte një organizim në perfeksion.

Vizita ishte e stërngjeshur ku për 11 ditë kemi vizituar gjysmën e Kinës dhe kemi pushuar vetëm 8 orëshin që kishim në dispozicion gjatë natës për të fjetuar dhe pjesa tjetër ishte plot me angazhime nëpër vendet më të ndryshme të Kinës. Kemi vizituar qendra dhe pika të ndryshme industrial, të cilat ishin me rëndësi kombëtare për Kinën, për pasojë dhe kontinentale dhe ndërkontinentale për shkak të përmasave të Kinës si vend dhe si komb, si dhe vende kulturore e historike të Kinës, përjashto Murin e madh kinez. Personalisht nuk është se kisha ndonjë merak të madh përsa i përket Murit të madh edhe pse është një mrekulli për ta parë pa dyshim.

Ne vizituam Tempullin e Shaolin si dhe pjesën moderne të Shaolinit ku ishte shkolla e murgjve gjithashtu edhe zonën ku ishin tempujt. Unë kam pasur një pasion dhe një dëshirë shumë të madhe për të qenë në kontakt dhe për të njohur historinë e arteve marciale, jo për shakak të asaj që supozohet se rrihen njerëzit, por siç e di gjithkush vetë artet marciale kanë një filozofi të jashtëzakonshme sepse janë më shumë morale, botëkuptimore dhe psikologjike sesa fizike. Për këtë arsye kisha shumë interes dhe merak për ta vizituar dhe kjo mundësi na u krijua.

Kemi vizituar portin në Provincën Henan e cila është më e madhja e Kinës me 120 milion banorë. Porti i Henanint i cili është i dyti në të gjithë botën si port i madh ku shpejtësia, saktësia e funksionimit dhe përmasat, të gjitha ishin si një film fantashkencë.

Kemi vizituar pastaj pika të ndryshme turistike, historike dhe kulturore, tempullin e parë budist që kishin krijuar murgjit e parë kinezë të ardhur nga India. Përveç fatit të madh që patëm kontakt me kinezët, një kontakt më të ngushtë atje të cilët për mua janë një popull i mrekullueshëm.

Alfons Zeneli me kolege gazetar ne Kine

Alfons Zeneli me kolege gazetar ne Kine

CMG: Si u përshtatët me ushqimin tradicional kinez gjatë qëndrimit tuaj disa ditor në Kinë?

Alfons Zeneli: Në fakt pak ditë janë shumë pak për t’u përshtatur me ushqimin, janë pak edhe disa muaj të them të drejtën sepse është çështje e psikologjisë dhe e biologjisë së njeriut, por për hir të së vërtetës duhet të them se eksperienca jonë me ushqimin tradicional kinez nuk ishte shumë e madhe. Siç duket për pasojë të kujdesit të palës kineze pritëse për të mos na ballafaquar me një terren të panjohur gastronomik siç ishte tradicionali i tyre dhe kështu që kam përshtypjen që na kanë vendosur përballë situatave me ushqim të përshtatur për ne. Gjithësesi gjithçka kemi provuar ka qenë e mrekullueshme.

Alfons Zeneli ne Kine

Alfons Zeneli ne Kine

CMG: Nëse do t’ju jepet mundësia të vizitoni sërish Kinën çfarë do të kishit dëshirë të shikonit, ndonjë gjë që nuk e kishit mundësinë për ta parë në vizitën e parë?

Alfons Zeneli: Me thënë të drejtën unë jam apasionuar më shumë mbas zonave rurale, që do të thotë nëse do të shkoja përsëri në Kinë dhe do të më ofronin për të vizituar çfarë dua unë, do të preferoja të shkoja nëpër zona të thella, nëpër fshatra dhe më shumë të shoh fshatarët, të bisedoj dhe të shoh ambientet e tyre, pra pikat natyrore turistike dhe fashtrat më shumë do të preferoja të vizitoja sesa zonat urbane.

CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.

Alfons Zeneli: Përshëndetja ime për dëgjuesit është që të dëgjojnë sa më shumë radio, sepse ka një efekt të magjishëm dhe vjen si një terapi e mrekullueshme për shpirtin dhe mendjen e njeriut. Gjithashtu Radios Ejani i uroj suksese dhe të ketë sa më shumë dëgjues dhe shumë gjëra për t’ju përçuar atyre. Brenda kësaj suaze të përshëndetjes së tyre do kisha dhe një sugjerim të vogël i cili nuk është konkret, por në tërësi që duhet të insistohet për t’ju përcjellë njerëzve sidomos nëpërmjet radios emisione e rubrika sikundër është dhe “Kujtoj”, pra emisione sa më formuese për njerëzit sepse e shoh që fatkeqësisht publiku shqiptar vitet e fundit është duke u ballafaquar me një katastrofë kulturore.

CMG: Faleminderit dhe suksese dhe suksese në punën tuaj!


Intervistoi: Gazmend Agaj

Redaktorja: Çang Çuo