Intervistë me specialistin e Inteligjencës Artificiale, Geiv Tomço
Geiv Tomço në intervistë për CMG
CMG: Inteligjenca artificiale ose( AI) është aftësi e kompjuterit për të vepruar si qenje njerëzore. Globalizimi dhe zhvillimi i Teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë ndryshuar jetën e individit dhe të shoqërisë në një kohë të shkurtër dhe meritë për këtë ka edhe Inteligjenca artificiale.
Si duhet ta kuptojmë thjeshtësisht inteligjencën artificiale?
Geiv Tomço: Po të kthehemi pak fare në kohë do të shohim kompjuterët e parë, të cilët u shpikën sepse delegonim një pjesë të punëve tek ato, si përshembull punë që ishin të vështira për ne dhe kompjuteri i bënte për pak caste. Pastaj me kalimin e kohës dhe duke u shfaqur sfida të reja në shoqëri, sidomos kohët e fundit që po përhapet shumë popullsia si dhe problematikat e ndryshme, teknologjia duhet të na ndjekë me ritmet po ecim ne. Si e tillë u pa që kompjuteri nuk mund të na ndiqte dot kur vinte puna tek komandat që ato marrin prej nesh. Pra ato ishin komanda sekuenciale, siç i quajmë ne, dhe duhet t’ia japim shumë të sakta në mënyrë që kompjuteri t’i bëjë. Në shoqëri ka shumë variacione apo sjellje që kompjuteri nuk arrit dot t’i kuptojë. Ndaj lindi intriga e madhe se si ta bëjmë kompjuterin inteligjent, si ta bëjmë që të mendojë si një qenie njerëzore.
Në shekullin e fundit po mendohej se si të bëhej një fare algoritmi apo programi që të mësonte ashtu siç mësojmë një fëmijë të sapolindur që shikon shembuj dhe meson e më vonë ai sillet ashtu, ose bën gjëra duke arsyetuar. Ai i vendos të gjitha ndjenjat dhe emocionet si një shumatore që janë veprimet dhe sjelljet e tij. Këtë enigma po përpiqeshin të gjenin shkencëtarët, e cila akoma mbetet enigma edhe pse në kohët e sotme kemi shumë zbatime të inteligjencës artificiale në fusha të ndryshme. Ka shumë sfida rrugës që të arrijmë perfeksionin që kërkojmë ne.
Geiv Tomço në mjedise pune.
CMG: Sa e përhapur është inteligjenca artificiale në Shqipëri dhe në cilët sektorë vepron ajo?
Geiv Tomço: Në Shqipëri inteligjenca artificiale zbatohet në banka, të cilat janë në kontakt me pagesat bankare, apo veprimtaritë online, të cilat jo gjithmonë syri i njeriut mund t’i kapë. Popullsia në Shqipëri është e orientuar shumë drejt blerjeve online, jo vetëm tani por edhe më pare. Kështu që bankat menjëherë bashkë me homologët e tyre jashtë vendit nisën të implementojnë inteligjencat artificiale, që janë specifike për bankat dhe veprimet bankare. Inteligjenca artificiale ndihmon në sektorin bankar.
CMG: Pandemia është një realitet i jetës së gjithësecilit. Si është përdorur inteligjenca artificiale në kushtet e pandemisë nga vende që e kanë atë një realitet të prekshëm?
Geiv Tomço: Më ka bërë shumë përshtypje mënyra se si e ka menaxhuar Kina pandeminë, sidomos veprimtaritë e përditëshme që kanë të bëjnë me njerëzit dhe shoqërinë, siç janë porositja e ushqimeve online, porositja e pakove.Ata e bënë këtë hap kaq shpejt saqë na kanë habitur globalisht. Ndërkohë që ne mendojmë akoma se çfarë është roboti, Kina nxori robotët në rrugë. Ndërsa njerëzit ishin të sigurtë në shtëpi, robotët “kishin pushtuar rrugët” dhe bënin shumë punë. Ata kontrollonin temperaturën e njerëzve automatikisht, apo arrinin të dallonin kush nuk ka vënë maskë dhe askush nuk qëndronte prapa robotit si operator. Ishte flota e robotëve që doli në rrugë dhe bënte veprimtari të ndryshme dhe kjo do të thotë shumë për Kinën. Kjo tregon se si Kina ka evoluar në anën konceptuale dhe në të vërtetë kjo dihej sepse deri më sot Kina ka aplikuar për të gjitha patentat që kanë të bëjnë me inteligjencën artificiale. 27.5% e patentave të inteligjencës artificiale janë nga Kina. Në fakt vendin e pare e mbajnë ShBA, që ka shumë zbatime të tjera të inteligjencës artiiciale, por jo konkretisht me njerëzit. Në ShBA inteligjenca artificiale gjen përdorim te robotët në trupa qiellorë, në Mars, ndërsa Kina arriti dhe i bëri realisht dhe konkretisht kur duhej.
Geiv Tomço në Innovation Hub Tirana
CMG: Geiv, të kemi pare në media shpesh, madje i shoqëruar nga robotë që i ke krijuar vetë. Çfarë mund të na tregosh për këtë eksperiencë?
Geiv Tomço: Robotika nuk ka qenë diçka e sjellë gati tek unë, por e kam zbuluar rrugësh që e kisha shumë pasion. Që i vogël, ashtu si shumë fëmijë të tjerë të apasionuar pas teknologjisë, zbërtheja lodrat, u hiqja bateritë dhe telat dhe i rilidhja vetë. Kisha vërtet ndihmë nga babai, që si inxhinier elektronik mi kishte mësuar parimet elektronike ende pa filluar shkollën, por shumë gjëra mund t’i bëja vetë. Sigurisht që më ka ndihmuar shumë dhe internet.
CMG: Këta robotë për çfarë shërbejnë?
Geiv Tomço: Këta ishin më shumë eksperimente të miat. Njeri nga robotët që kam bërë lëvizte vetë në ambient, ndërsa dallonte të gjitha pengesat dhe arrinte t’i shmangte. Pra ky robot eksploronte territorin. Pastaj mendova të vendosja një sondë për matjen e temperatures, lagështirës dhe të paramentrave të tjerë atmosferikë gjatë kohës që patrullon. Roboti bënte të gjitha matjet dhe unë rrija e shikoja.
Geiv Tomço në një veprimtari të ambasadës së Kinës në Tiranë
CMG: E ke vizituar Kinën dhe çfarë të intereson përveç pasionit për inteligjencën artificiale?
Geiv Tomço: Në fakt në Kinë nuk kam qenë asnjëherë, por në ëndrrat e mia, po. Bashkë me shoqen time u futëm në kursin e kinezishtes në Institutin Konfuci ku pasi kemi kryer nivelin e pare, tani jemi në nivelin e dytë. Është pak e vështirë sepse kemi dhe punën, por do të përpiqemi që t’ja dalim. Na pëlqen shumë dhe e kemi me shumë pasion. Nuk i dihet në një të ardhme mundet që disa nga projektet që ne po i zhvillojmë këtu, të mund t’i trupëzojmë dhe në Kinë.
Aktualisht Kina ka një potencial që del në pah dhe dallon nga të tjerët kryesisht në fushën e teknologjisë. E kemi vënë re këtë sepse bashkë me shoqen time kemi një projekt që u mësojmë fëmijëve në shkolla robotikë, elektronikë dhe programim. Ne i hartojmë vetë temat që trajtojmë me fëmijët, por të gjithë bazën material e marrim nga Kina. Kurioziteti na shtyn që ndoshta një ditë ta çojmë këtë projekt dhe në Kinë.
CMG: Si ndikon inteligjenca artificiale dhe sa përdoret ajo për të mbrojur fëmijët në qasjet ndaj teknologjisë, por dhe individët në përgjithësi?
Geiv Tomço: Teknologjia digjitale duke qenë se ka marrë një përhapje shumë të madhe, madje jashtë kontrollit në populate është e pashmangshme që fëmijët të mos bëhen pjesë e saj. Eshtë e rrezikshme kur informacioni është i pakontrolluar Ndaj është e rëndësishme që të gjitha platformat online siç janë Instagrami, Facebook apo Tik Tok që përdoresh shumë nga të rinjtë, si dhe lojërat e tabletit apo smartphonit duhet të jenë të kontrolluara, të kenë informacion që është filtruar. Kështu që inteligjenca artificiale që është në zhvillim e sipër sepse ende nuk ka përfunduar, synon që të filtrojë sa më shumë informacion. E vetmja që mund t’i jape zgjidhje kësaj është inteligjenca artificiale.
Intervistoi Eda Merepeza