Ahmet Hallvaxhiu ne interviste per CMG

Ahmet Hallvaxhiu ne interviste per CMG

Ahmet Hallvaxhiu, inxhinier në pension, i cili ka vizituar disa herë Kinën në kuadër të aktivitetit të tij në tregtinë e jashme si përkthyes i kinezishtes, sjell mbresa dhe kujtime nga eksperienca e tij kineze.

CMG: Faleminderit për këtë intervistë, ku do të sjellim kujtimet tuaja nga vizitat në Kinë.

Ahmet Hallvaxhiu: Faleminderit, kënaqësia është e imja dhe më vjen mirë që do të sjellim kujtimet ndër vite, sidomos të ngjarjeve në atë kontinent që quhet Republika Popullore e Kinës. Sepse Kina është shtet kontinent dhe miqësia e dy popujve tanë, pavarësisht se sistemet kanë ndryshuar, ka mbetur e njëjtë ndërmjet dy popujve tanë.

CMG: Kur ka qenë vizita juaj e parë në Kinë dhe çfarë kujtimesh keni ruajtur në memorien tuaj?

Ahmet Hallvaxhiu: Vizita ime e parë ne Pekin ka qenë në vitin 1979 dhe sigurisht që kam kujtime të bukura. Unë megjithëse jam inxhinier në profesion, por jam shumë i dhënë mbas gjuhëve dhe historisë gjithashtu dhe prisja me padurim të shihja sheshin Tiananmen. Shkoj atje dhe e shoh sheshin Tiananmen, sheshi më i madh në botë dhe vitet dhe kujtesa më çojnë më 1 tetor të vitit 1949, kur Mao Ce Dun deklaroi nën gongun dhe instrumentat popullore shpalljen e Republikës Popullore të Kinës. Mao Ce Dun është një burrë shumë i lartë dhe populli kinez që nga ajo kohë kujton dy koka shumë të mëdha, ai që bëri kokën politike dhe ekonomike që quhet Mao Ce Dun, gjë të cilën e kanë ruajtur me një konstante në rritje dhe tani Kina me atë popull të talentuar, të thjeshtë dhe shumë punëtor ka kapur majat më të larta të ekonomisë botërore.

CMG: Sa kohë qëndruat në Kinë në vizitën tuaj të pare, në vitin 1979?

Ahmet Hallvaxhiu: Unë në vizitën e parë kam qëndruar rreth dy javë, sepse do të takoheshim me të gjitha kompanitë kineze dhe atëhere tregtia bëhej nga ndërmarrjet e tregtisë së jashtme në Kinë dhe ndërmarrjet e tregëtisë së jashtme në Shqipëri. Por unë shumë i dhënë mbas gjuhëve kisha kënaqësi që çdo shprehje që ato thonin të mbaja shënim, në mënyrë që ta përsërisja në heshtje dhe t’i afrohesha gjithnjë e më tepër, ashtu siç e flisnin edhe kinezët vetë.

Ahmet Hallvaxhiu ne Kine

Ahmet Hallvaxhiu ne Kine

CMG: Si arritët ta përvetësonit gjuhën kineze, që edhe sot e flisni shumë mirë?

Ahmet Hallvaxhiu: Me thënë të drejtën gjuha kineze është gjuhë e bukur. Të gjitha gjuhët janë të bukura sepse kanë popullin që e flasin atë gjuhë, por Kina duke qenë vend shumë i madh gjuha kinez është shumë e rëndësishme. Pra duhet mësuar ajo gjuhë e një kombi shumë të madh, qoftë për përfitime ekonomike, politike, sociale etj. Të kthehemi dhe njëherë te populli kinez, janë kaq punëtorë dhe të talentuar, saqë në mbikalimet dhe nënkalimet, toka poshtë punohet nga të moshuar kinezë, që aty mbjellin karota, lakra, etj.

Ahmet Hallvaxhiu ne nje restorant kinez ne Kine

Ahmet Hallvaxhiu ne nje restorant kinez ne Kine

CMG: Ndërkohë që pas vizitë së pare, ju keni kryer edhe vizita të tjera në Kinë, si i angazhuar në tregtinë e jashtme.

Ahmet Hallvaxhiu: Edhe pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, mbas viteve 90 – 91 unë jam marrë me tregti dhe mund t’ju tregoj një rast që rreth viteve 2005 – 2006 unë shkova përsëri në Kinë me një shokun tim, që të blinim një anije konteniere. Tregtia me kontenier filloi të lulëzojë pas viteve të demokracisë në Shqipëri. Për të siguruar këtë anije kontenier duhet të shkonim në shumë qytete dhe porte të Kinës si Shangai, Nanjingu, që ka qenë dikur kryeqyteti i Kinës dhe vendi i filozofit të madh të njerëzimit, Konfuci. Në njërën nga zyrat përpara se të bënim bisedën tregtare, takoj një kinez të moshuar i cili më thotë: “ nga Shqipëria qenkeni ju!”. Unë i thashë po dhe e pyeta se pse po habitej. Ai më tha se nuk po habitej,por ju mbajmë mend që në kohën e Mao Ce Dunit, që Shqipëria është vend në Europë, pra ju jeni evropianë. Ai më tha se edhe këngët, folklorin dhe filmat shqiptarë i ndiqnin me kërshëri të madhe, që të mësonin nga ajo pjesë e kulturës, traditës dhe artit shqiptar. E përqafova dhe i thashë: Ne popujt nuk ndyshojmë, ne e duam njëri-tjetrin.

Ahmet Hallvaxhiu ne Kine

Ahmet Hallvaxhiu ne Kine

CMG: Mbani kontakte me miqtë tuaj kinëzë, duke shkëmbyer edhe komunikim në distancë me ta?

Ahmet Hallvaxhiu: Në Pekin kam një shokun tim dhe herë pas here komunikojmë, sepse tani mjetet moderne të elektronikës kanë avancuar shumë. Komunikoj me të në facebook, whatsapp, dhe kështu nuk harxhojmë as para kur flasim me njëri-tjetrin, por kujtpojmë dhe shkëmbejmë mendime sesi ka ecur Shqipëria dhe sesi ka ecur dhe ka lulëzuar dhe Kina. Pra këto duhet të reflektohen në të gjitha fushat, sepse baza janë popujt tanë, populli shqiptar dhe ai kinez.

Ahmet Hallvaxhiu me nje mikun e tij kinez

Ahmet Hallvaxhiu me nje mikun e tij kinez

CMG: Do të kishe dëshirë të ktheheshe edhe një herë në Kinë për të vizituar qytete të tjera, pse jo të takoni edhe mikun tuaj në Pekin?

Ahmet Hallvaxhiu: Sigurisht që po sepse Kina ndryshon çdo vit dhe unë kam kujtimet e viteve 2005 – 2007 dhe me siguri do ketë ndryshime të mëdha. Kina e ka hapin kilometër. Kështu që pres të kthehem sërish atje, këtë herë si vizitor dhe si dashamirës i atij populli, ta vizitoj edhe njëherë Pekinin.

Kam dëgjuar që një tren i shpejtë është vënë në përdorim për të shkuar nga Pekini në Shangai që ne atëhere e bënim me avion nga Pekini në Shangai për 1 orë e gjysëm, ndërsa tani është treni i shpejtë, pra ka ecur përpara Kina.

CMG: Z.Havllaxhiu faleminderit për këtë intervistë të këndshme!

Ahmet Hallvaxhiu: Faleminderit shumë dhe mirë u takofshim!


Intervistoi: Gazmend Agaj

Redaktorja: Çang Çuo