Sejmen Gjooli gjatë një seminari në Kinë
Sejmen Gjokoli është Drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona” dhe i Festivalit Folklorik “Aulona Inter Folk Festival”, në Vlorë. Në një intervistë për Radio Ejani ai sjell kujtimet nga vizitat në Kinë si dhe mbresat në lidhje me folklorin kinez.
CMG: Z.Gjokoli, cilat kanë qenë risitë që keni sjellë çdo vit në Aulona Inter Folk Festival?
Sejmen Gjokoli: Së pari, më lejoni që t’u falenderoj për rastin që më jepni dhe përmes kësaj interviste të komunikoj me dëgjuesit e shumtë e të nderuar të Radios tuaj me një emër kaq domethënës e përbashkues. Në cilësinë e organizatorit të “Aulona Inter Folk Festival”, por edhe si Drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona”, Vlorë, e cila e ka në juridiksion këtë aktivitet kulturor mund të deklaroj me kënaqësi se misioni dhe qëllimi i këtij festivali tani ka mbërritur në destinacion. E kam fjalën për atë qëllim ku dymbëdhjet vite më parë, së bashku me miqtë e mi, akademik Vaso Tole apo edhe poeti, skenaristi e regisori i mirënjohur Petrit Ruka në një bashkëbisedim kulturor menduam për të instaluar në qytetin e Vlorës një Festival ndërkombëtar folku.
Duhet thënë se kjo iniciativë u mëshirua falë dashamirësisë dhe mirëkuptimit me Bashkinë e qytetit, e cila e vendosi menjëherë në agjendën e aktiviteteve të organizuara në ditëçeljet e sezonit turistik. Aktiviteti zuri vend, u prit me shumë dashuri e endje dhe për hir të së vërtetës mbetet aktiviteti më i madh folklorik ndërkombëtar. Si në të gjitha aktivitetet analoge në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë, edhe ky aktivitet është një mundësi më shumë miqësie dhe vëllazërimi midis popujve. Mbase është rasti që këtu të përmendim si diçka të veçantë edicionin e dhjetë, edicion që i takon vitit 2018, ku krahas grupeve përfaqësuese nga Evropa mori pjesë edhe Grupi “Minnan Folk” nga qyteti i Quanzhout të Kinës të cilët befasuan me folkun e tyre të jashtëzakonshëm. Më duhet të theksoj se me këtë rast festivali u ndoq edhe nga personeli i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, e cila kontribuoi edhe financiarisht për mbështetjen e grupit në transportin e brendshëm.
Sejmen Gjokoli me një artiste të folkut kinez
CMG: Do te realizohet këtë vit “Aulona Inter Folk Festival” dhe sa ka ndikuar pandemia në këtë drejtim?
Sejmen Gjokoli: Po punohet, përgatitjet kanë kohë që kanë nisur duke patur në krahë edhe mbështetjen e Bashkisë së Vlorës, por edhe të Ministrisë së Kulturës.
Edicioni i kaluar për shkak të gjendjes shëndetësore të vendit e humbi kontaktin me publikun, por le të shpresojmë që këtë vit, deri në fundin e muajit maj kur janë tri ditët e aktivitetit, kjo situatë të lehtësohet, duke mundësuar edhe rivendosjen e kontaktit me artëdashësit e shumtë vlonjatë, por edhe të admiruesëve të shumtë në trojet shqiptare e vende të ndryshme, ku ata punojnë.
CMG: Ju keni vizituar tre herë Kinën, ku keni parë nga afër edhe folklorin. Çfarë mund të na tregoni për këtë eksperiencë në Kinë?
Sejmen Gjokoli: Në fakt është nga eksperiencat më interesante e më të vyerat në jetën time. Pretendoj se gjatë këtyre tri dekadave të hapjes me botën të kem parë e vizituar shumë vende të Evropës, disa për shkak të pozicionit që kam patur në administratën shtetërore e shumë të tjera falë pjesëmarrjes në shumë festivale folklorike ndërkombëtare me grupin tim folklorik emërtuar “Bilbili”. Në cilindo rrugëtim të shoqërojnë e të ndjekin pas përshtypje e mbresa të shumta zhvillimi, por vizitat në Kinë kanë të tjera dimensione.
Gjatë vizitës së parë, kjo i takon tetorit të vitit 2017, isha në përbërje të një delegacioni me drejtorë të festivaleve folklorike ndërkombëtare nga vendet e Evropës Qëndrore e Lindore, në një projekt të Ministrisë së Kulturës të Kinës dhe ishim së bashku me kolegun tim të festivalit të “Odës Dibrane”, Veli Vranici. Njëzetë e pesë ishte numri i përfaqësuesve nga Evropa Qendrore e Lindore dhe për të gjithë ka qenë suprizues programi i vizitës dhe gjithëçka ndodhi në gati tri javë qëndrimi në tokën e lindjes së largët.
Projekti ishte pjesë e angazhimeve të palës kineze në zbatim të programit “16+1” ose “Një brez, një rrugë”, prezantim i kulturës së këtij vendi të stërmadh, njohja me traditat, trashëgiminë kulturore në përgjithësi dhe zhvillimet në këtë fushë, në zonat rurale, por edhe ato urbane. Me interes ishte edhe pjesëmarrja në forumin e tretë të ekspertëve të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore në qytetin Hangzhou gjatë shtatorit të vitit 2017.
Ndërkohë që mbetet jo pak surprizuese, madje e jashtëzakonshme, pjesëmarrja në Festivali i 7-të Ndërkombëtar të Trashëgimisë Kulturore jo-materiale i cili u mbajt nga 17 tetor deri më 22 tetor 2019 në qytetin me mbi gjashtëmbëdhjetë milionë banorë të Chengdusë, provincë e Sichuan. Sa për mbresat, kuptohet, ato janë të jashtëzakonshme, në radhë të parë nga infrastruktura dhe zhvillimet marramëndëse.
Por mua më la mbresa të pashlyeshme folku kinez, fusha edhe për të cilën gjëndeshim në Kinë. Patëm raste të shikojmë me dhjetra grupe folku, kudo që shkonim, në zona rurale apo urbane do të priteshim nga performancat e grupeve të folkut, me veshjet, këngët dhe vallet tradicionale.
Lushi City, një vendbanim në prefekturën Nujiang më ka mbetur në mendje performancat e një folklori të gjallë, befasues deri mahnitës. Shumë prej tyre më kujtonin avaze dhe vokale të këngëve tona me iso. E përjetova këtë ndjesi edhe në fshatin Lu Zhang rreth 1800 m mbi nivelin e detit.
Këngët e vallet e kënduara këtu shoqëroheshin me instrumente tip mandolina, krejt të veçanta në llojin e tyre, por ajo që edhe këtu më bëri përshtypje ishin disa këngë tip polifonike, pa instrumenta ku marrja dhe iso-ja dallonin qartazi ndërsa kthyesi dhe hedhja e shkrirë në grup e iso.
Sejmen Gjokoli gjatë vizitës në Sichuan
CMG: Çfarë vendesh keni vizituar në Kinë dhe cilat janë mbresat tuaja për Kinën?
Sejmen Gjokoli: Është një pyetje që kërkon të koncentrohesh shumë, ta përmbledhësh informacionin mbasi është mjaft i gjerë e i larmishëm. Për kuriozitet thuajse të gjithë kronikën e tri javëve të vizitës së parë e pasqyrova për çdo ditë në faqen time të rrjetit social facebook. Gjithashtu më duhet të them se më filmimet dhe fotot e realizuara do të realizoja edhe një video, e cila u publikua në disa ekrane televizive por edhe në kanalin youtube, veç të tjerash, si një dëshmi e magjisë së folkut dhe trashëgimisë kulturore kineze.
Gjatë vizitës tre javore, siç na shpjegonin shoqëruesit e projektit duhet të kemi lëvizuar në një të tretën e territorit të vendit, mbasi përveç lëvizjeve me rrugë tokësore nga një provincë në tjetrën, na u desh të bënim edhe tri fluturime të brendëshme me avion. Kështu zbritëm në aeroportin e Guangzhout, në prefekturën e Dehongut të prefekturës së Yunnan Nujiangut, në prefekturën autonome të provincës Yunnan, në Quanzhou të provincës Fujian, ndërkohë që mbyllja do të bëhej përmes një aktiviteti disa ditor në Shangai, ku u bëmë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Arteve, një aktivitet me përmasa të jashtëzakonshme kulturore e artistike.
Ju më pyesni për mbresat, është e vështirë të përmblidhen në një intervistë, ca më shumë kur kemi të bëjmë me tri vizita në vende e hapësira të ndryshme të pamata. Ndërkohë nuk dua të flas për Shangain se për nga infrastruktura dukej që aty mrekullia ishte ulur këmbëkryq, çdo gjë e veshur me shkëlqim. Rreth një qyteti tjetër, Chengdu, do dëshiroja të sjell një nga mbresat e përjetuara. E kam fjalën për Parkun Nacional të Pandave, rreth 25 km jashtë qytetit. Një nga vlerat dhe asetet e jashtëzakonshme që ka Chengdu, kryeqendra e provincës me rreth 25 milionë të Sichuanit.
Panda e famshme e Chengdusë mbetet edhe vetë simboli i këtij qyteti të stërmadh ndaj dhe imazhin e saj e ndeshje kudo. Parku natyror ku rri e mbarështohet ky lloj i veçantë ariu shtrihej në plot 100 ha. Një infrastrukturë e brendshme rrugore, plot labirinte rrugicash e mjedise shplodhëse, shtrihej në të gjithë sipërfaqen e pyllit plot e përplot me bambu e drurë të zgjedhur. Në ndjekje të spektakleve që pandat jepnin për hesap të tyre, hera-herës në tokë e jo pak mbi shtretërit e drunjtë. Rreth 60 mijë vizitorë në ditë ishte mesatarja e vizitorëve, jo pak prej tyre nga vende të tjera të botës. Një industri e tërë turistike vetëm prej magjisë dhe spektakleve që dhurojnë veprimet dhe lëvizjet e kësaj kafshe të rrallë, veshur me ngjyrat bardhë e zi. Më duhet të them se të gjitha mbresat dhe emocionet e mia rreth këtyre vizitave i kam përcjellë në mediet lokale duke dashur të përcjell sado pak mesazhe pune, por edhe të një pune me të vërtetë për t’u patur zili.
Sejmen Gjokoli me artistë popullorë kinezë
CMG: Mbani kontakte me miqtë kinezë dhe a keni ndonjë bashkëpunim në projekte për të ardhmen?
Sejmen Gjokoli: Natyrisht vazhdoj të jem në komunikim me disa prej tyre, sidomos organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Trashëgimisë në Chengdu. Ka një arësye më shumë ruajtja e këtij komunikimi të cilën gjej rastin ta përmend. Në edicionin e kaluar, në panairin e organizuar kam ndjerë një emocion të veçantë kur në eksponatet e panairit, mes portreteve të mjeshtrave dhe artizanëve nga shumë vende të botës do të zinin vend edhe fotografitë e 10 prej mjeshtrave vlonjatë në fushën artizanale. Por edhe më emocionues është fakti kur mes artizanëve përfaqësues nga 36 vende të botës si dhe shumë e shumë vendas do të gjendej edhe artisti vlonjat Avenir Troqe. Me punimet e tij në bazoreliev me motive të ndryshme nga trashëgimia jonë historike e kulturore, por edhe nga bota jonë lirike e mjedisore, Aveniri do të tërhiqte shpejt shikues e fotografë të shumtë, duke na bërë krenar e duke lënë një shenjë të fortë trashëgimie në këtë anë të botës. Ne jemi në kontakte për veprimtari të tjera të përbashkëta ndërkohë që për momentin situata prej pandemisë është bërë pengesë serioze. Mbetemi në pritje që kjo gjëndje të kalojë dhe të nisim përsëri bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore mbasi të dy palët kemi ç’të tregojmë nga vlerat kombëtare.
CMG: Së fundi një mesazh urimi nga ju për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj?
Sejmen Gjokoli: Ishte kënaqësi e madhe komunikimi përmes kësaj interviste dhe me këtë rast dua t’u uroj të gjithë dëgjuesve të Radios Ejani shëndet e mbarësi në punët e tyre, por së pari ta kalojmë sa më shpejt këtë gjëndje problematike shëndetësore.
Uroj gjithashtu të gjithë miqtë e mi kinëzë me të cilët kam bashkëpunuar e kam ndarë ditët e mbushura plot mbresa e kujtime të veçanta gjatë tri vizitave të mia në Kinë dhe me mezi po pres të rinisim bashkëpunimin në të tjera projekte kulturore.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redektorja: Çang Çuo