Rigert Çako është ekspert në fushën e turizmit dhe e ka vizituar Kinën në vitin 2018, gjatë një seminari të organizuar nga autoritetet kineze mbi menaxhimin e turizmit. Në një intervistë për Radio Ejani ai na tregon rreth vizitës së tij në Kinë si dhe eksperiencës kineze.
CMG: Rigert ju keni qenë në Kinë në vitin 2018. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj atje?
Rigert Çako: Në maj të vitit 2018 unë isha pjesë e një delegacioni të krijuar nga disa ekspertë të turizmit. Ne ishim të ftuar nga Ministria e Jashtme kineze për një seminar mbi menaxhimin e turizmit si dhe të udhërrëfyesve shqiptarë, që do të punonin me turistët kinezë këtu në Shqipëri.
CMG: Si e pritët ftesën, duke ditur se Kina është një vend larg nga Shqipëria dhe rrallë herë mund të vijë rasti për ta vizituar. Çfarë emocionesh përjetuat kur ju informuan se do të vizitonit Kinën?
Rigert Çako: Unë e prita me kënaqësi dhe emocion me thënë të drejtën sepse është një mundësi për të parë një vend shumë të madh me një pasuri të madhe historike dhe kulturore. Përveç mundësisë për të parë Kinën unë aty pashë edhe një mundësi për punë, që do të thotë duke e vlerësuar nga ana jonë si ekspert në industrinë e turizmit prej vitesh, atje pashë një mundësi të artë për të punuar me turistët kinezë këtu dhe pse jo të çojmë dhe ne pak turistë shqiptarë për të parë Kinën.
Rigert Cako duke shoqeruar turistet
CMG: Kur u kthyet në Shqipëri e vijuat shkëmbimin në fushën e turizmit me Kinën?
Rigert Çako: Ndodhi pikërisht kjo falë dhe kontakteve që krijuam aty me autoritetet shtetërore, por sidomos me agjensi private. Ishim gati në përfundim të disa marrëveshjeve për të sjellë grupe kineze këtu në Shqipëri, por fatkeqësisht në vitin 2020 ndodhi pandemia dhe çdo gjë ka ngrirë. Shpresojmë shumë që pasi të mbarojë pandemia të rifillojmë bisedimet ku i lamë dhe të fillojmë punën.
CMG: Sa ju vlejti ky seminar mbi menaxhimin dhe zhvillimin e turizmit?
Rigert Çako: Seminari për mua ishte jashtëzakonisht i frytshëm ku kam mësuar shumë dhe mënyra sesi e kishin ndërtuar autoritetet kineze ishte shumë e mirë pasi ata na dhanë një pasqyrim të Kinës në histori, kulturë dhe sidomos mësuam dhe si ta trajtojmë turistin kinez sepse vetë turisti kinez ka disa veçori në krahasim me turistët e tjerë nga Evropa që ne jemi mësuar.
Personalisht për mua u hap një dritare shumë e madhe për Kinën, përveç atyre që kishim parë apo lexuar në libra dhe internet, ta prekje nga afër ishte komplet gjë tjetër dhe aty kuptuam se çfarë është Kina.
Gjate seminarit per turizmin ne Kine
CMG: Gjatë qëndrimit në Kinë kishit kohë të lirë për të parë mrekullitë e Kinës?
Rigert Çako: Ne si bazë ishim në qytetin e Harbinit, që ndodhet në Kinën verilindore dhe përveç studimit në atë seminar ne vizituam edhe Pekinin duke filluar nga Muri i madh, sheshi Tiananmen, Qytetin e ndaluar dhe Fshatin Olimpik. Mbas Pekinit vizituam gjithashtu edhe qytetin e vogël por shumë piktoresk të Darlinit. Ajo që më bëri përshtypje në Darlin ishte lulet. Gjithashtu vizituam edhe muzeun dedikuar Mao Ce Dunit. Miqtë kineze ishin shoqëruesit tanë duke na spjeguar çdo gjë me detaje dhe na hapën disa dritare mbi Kinën që për mua ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme.
CMG: U përshtatët lehtë me ushqimin kinez gjatë qëndrimit në Kinë?
Rigert Çako: Një nga surprizat super të këndshme të Kinës për mua ishte edhe ushqimi ku çdo ditë miqtë tanë na dhanë mundësi të provonim lloje të ndryshme të gatimeve kineze dhe unë personalisht i kam shijuar. Gjithashtu mësuam edhe traditën e shërbimit me tavolina të rrumbullakta dhe si shërbehej sipas traditës kineze, që ishte një vlerë më vete.
CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen në fushën e turizmit, në lidhje edhe me Kinën?
Rigert Çako: Miqtë tanë kinezë që na ftuan në atë seminar na dhanë mundësinë që të shfrytëzonim për të çuar turistë shqiptarë në Kinë. Unë peronalisht e kam gati programin turistik, por më ndaloi pandemia sepse kisha gati një grup prej më shumë se 20 peronash që do të shkonin në qytetin e Harbinit. Harbini është dashuria ime në Kinë sepse atje ndenja më shumë. Harbini ishte një qytet në transformim dhe unë e kam ndarë mendjen që bashkë me grupin të shkojmë në muajin dhjetor sepse atje organizohet dhe festivali i akullit që është një nga mrekullitë e Kinës dhe turizmit botëror.
CMG: Rigert faleminderit për këtë bisedë të këndshme. Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Rigert Çako: Një përshëndetje për miqtë në Kinë, që ju them se do të takohemi së shpejti.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktorja: Çang Çuo