Sportisti i njohur Ergys Luga prej dy vitesh ka nisur eksperiencën e tij si trajner i të rinjve të skuadrës Shenzhen në Kinë. Para pak javësh ai ka firmosur një kontratë të re me “Jilin Profesional Football Club” si Drejtor Teknik i Akademisë së të rinjëve në Kinë. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani ai na tregon për eksperiencën sportive në Kinë, si dhe arritjet e tij në këtë fushë.

CMG: Ergys si të erdhi mundësia për të qenë trajner futbolli në Kinë?

Ergys Luga: Unë kam punuar për një kohë të gjatë te ekipi i Kamzës dhe te ekipet e moshave të Tiranës dhe për një trajner me ambicje si unë, Kina ishte një trampolinë e mirë për karrierën time. Unë kam qenë edhe zëvendës trajner në Superligë, ku kam punuar përkrah trajnerit Ernest Gjoka dhe kam mësuar shumë nga profesionalizmi i tij. Momenti që agjenti im më kontaktoi dhe më tha që ekipi i Shenzhenit në Kinë kërkonte trajner për moshat, të them të vërtetën nuk hezitova por e pranova ofertën. Pastaj kur mbërrita në Kinë ishte gjithçka shumë profesionale dhe unë kam mësuar shumë nga trajnerët e huaj me të cilët kam punuar këtu në Akademi.

Në Kinë ka trajnerë nga Spanja, Anglia dhe vendet e zhvilluara të Evropës, të cilët kanë punuar në të njëjtën akademi me mua dhe kam fituar eksperiencën e tyre të cilën ata e kanë implementuar në ekipet e moshave, duke i dhënë dhe futbollit kinez nuanca spanjolle apo angleze.

CMG: Sa e vlerësojnë kinezët eksperiencën tuaj të gjatë sportive në Shqipëri?

Ergys Luga: Në ambientin ku unë jetoja isha shumë i respektuar dhe kam ndarë eksperiencën që kisha fituar në Shqipëri, sepse shkolla shqiptare e futbollit është më e vjetër se shkolla kineze.

Kam shpjeguar edhe për trajnerët kinezë metodat tekniko-taktike të futbollit evropian, të cilat i kemi implementuar dhe në Akademinë e Shenzhenit. Ka pasur një rritje të strukturës, por e vërteta është se ishim pak të pafat për arsye të pandemisë dhe implementimin tekniko-taktik arritëm ta zhvillojmë vetëm në ndeshje miqësore, ku rezultatet ishin shumë të mira. Këtu unë nuk kam pasur asnjë barazim apo humbje, duke i fituar të gjitha ndeshjet. Nëse do të ishim futur në kampionat me atë ritëm patjetër që do të kishim mundësi edhe të fitonim kampionatin.

CMG: Ke dy vite që jeton në Kinë. E kishe të vështirë përshtatjen në vendin aziatik?

Ergys Luga: Sigurisht që Shenzheni është 11 mijë kilomentra larg nga Shqipëria dhe normalisht që kultura dhe të menduarit e popullit kinez është ndryshe. Fillimi ishte shumë i vështirë sepse mënyra sesi kinezët e konceptojnë sportin është pak e ndryshme, por unë të them të vërtetën nuk e kam ndjerë shumë sepse kam punuar në ambient profesionistësh dhe jam rrethuar gjithmonë me persona profesionistë. Përsa i përket rrugës sportive është se ndryshimi mes Kinës dhe Evropës është kompeticioni.

CMG: Na trego pak për ekipin me të cilin para pak kohësh keni firmosur kontratën si Drejtor Teknik i Akademisë.

Ergys Luga: Pas asaj pune që kisha me Shenzhenin dhe ndërprerja e kampionatit, vendosa që të provoj një aventurë të re, pasi dhe oferta që kisha nga “Jilin Profesional Club” ishte shumë e mirë për të qenë edhe drejtor teknik i kësaj akademie, e cila është shumë e lakuar në veri të Kinës. Ekipi ku unë aderoj për momentin ka një projekt objektiv për të rritur dhe ndihmuar gjithashtu edhe kombëtaren e moshave të Kinës me lojtarë.

Futbolli kinez ndahet në jugu, veriu dhe perëndimi, ku pjesa e veriut është zona që ka gjenezën e futbollistëve të specializuar për futbollin. Këtu fus edhe pjesën e minorancës ruse sepse edhe ajo jep një dorë shumë të mirë në kultivimin dhe përgatitjet e kuadrove dhe futbollistëve të rinj.

Tani mbetet vetëm puna që është një detyrë e re dhe e panjohur më parë për mua siç është drejtori teknik, por do të mundohem që të jap maksimumin edhe në këtë fushë.

CMG: Çfarë mbresash dhe kujtimesh keni nga jeta juaj në Kinë?

Ergys Luga: Sigurisht që ardhja nga një vend evropian në një vend aziatik është shumë e vështirë duke filluar nga kultura, përshtatja dhe gjuha. Unë nuk e kisha menduar ndonjëherë që të flisja kinezçe, por ja që po bëj përpjekjet e mia për ta mësuar, megjithëse është e vështirë por prapë është një sfidë shumë e bukur për mua.

Një tjetër mbresë është edhe ushqimi, sepse ushqimi kinez përmban më pak kalori por është më i shëndetshëm nga natyra sepse ke të bësh me lloje të ndryshme kuzhinash siç janë kuzhina e Siçuanit apo Guandongut dhe ajo e veriut të Kinës, kuzhina në Kinën perëndimore e cila i afrohet pjatave tona.

Mbresëlënëse janë dhe qytetet kineze, ndërthurja e arkitekturës së qyteteve ku Shenzheni mund të them se është një ndërthurje klasike evropiane dhe e Kinës antike. Qiellgërvishëset pastaj janë një mrekulli më vete, ku çdo qytet i madh i ka si ndërtesat kryesore nëpër qendrat e qyteteve.

CMG: Pse zgjodhe Kinën për të vijuar karrierën dhe rrugën sportive?

Ergys Luga: Sigurisht që ambicja ime pas eksperiencës në Superligën shqiptare ishte dhe eksperienca jashtë Shqipërisë. Fati deshi që unë të vija këtu në Kinë dhe të provoja një aventurë azitike dhe të njihja një tjetër kulurë futbolli.

Kina po hedh hapa gjigante në futboll, por varet se cilat janë objektivat e klubit. Kina po bën një progres shumë të madh, duke filluar rritjen e futbollit që nga akademitë dhe deri te ekipet zinxhirë, ku futbolli kinez po merr një zhvillim dhe nuancat evropiane po avancojnë nga viti në vit duke marrë trajner evropianë, të cilët vijnë nga shkollat që kanë më shumë traditë në nivelin evropian. Por dhe Shqipëria nuk është mangët sepse unë nga eksperienca që kam pasur kam takuar ish-futbollistë, të cilët kishin marrë këshilla nga Loro Boriçi.

E njihnin ish-trajnerin e shquar shqiptar, i cili ka lënë gjurmë këtu. Unë jam shumë krenar sepse jam i dyti pas Loro Boriçit që vazhdoj këtë eksperiencë këtu në Kinë. Futbollin tonë e njohin dhe patjetër që futbolli jonë ka lënë mbresa shumë të mira në Kinë. Gjithashtu dhe hyrja jonë në Kampionatin Evropian të vitit 2016 bëri që futbolli shqiptar të njihet në Kinë.

CMG: Ergys faleminderit që ishe pjesë e rubrikës “Kujtoj”. Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.

Ergys Luga: Përshëndetja e vetme që unë mund të them për dëgjuesit në këtë kohë të veçantë është të kenë shëndet dhe të jemi gjithmonë sa më pozitiv me njëri tjetrin.

Intervistoi: Gazmend Agaj