Presidenti i "Tokio 2020" Yoshiro Mori tha të martën se Japonia do t'i zhvillojë Lojërat Olimpike Verore pavarësisht situatës së pandemisë së COVID-19, dhe po punon nga afër me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për ta realizuar këtë.

"Ne do ta zhvillojmë Olimpiadën, pavarësisht se si do të jetë situata e koronavirusit," tha Mori, duke shtuar se diskutimet duhet të përqendrohen në mënyrën se si, dhe jo nëse, do të organizohet Olimpiada.

"Ne duhet të shqyrtojmë mënyra të reja të mbajtjes së Lojërave Olimpike," vuri në dukje më tej ai.

Toshiaki Endo, zv.presidenti i "Tokio 2020", bëri të ditur më parë se organizatorët po punojnë për masat e sigurisë bazuar në gjendjen e tanishme të COVID-19.

"Besoj se të tëra veprimtaritë olimpike do të mbahen me parakushtin e garantimit të sigurisë së të gjithëve", u shpreh Endo, ndërsa i njohu gazetarët me masat e sigurisë të marra nga organizatorët.

Duke iu referuar një manuali operacional që nuk është publikuar ende, Endo theksoi se organizatorët do ta bazojnë çdo veprim dhe lëvizje mbi këtë manual dhe do t'i trajtojnë sipas tij të gjitha situatat e papërcaktuara.

Sidoqoftë, ai nuk dha shumë informacion se çfarë përfshijnë saktësisht këto masa.

"Manuali mbështetet në gjendjen e tanishme. Ai është një përpjekje e përbashkët e bërë nëpërmjet diskutimeve tona me KON-in, Komitetin tonë Olimpik, si dhe qeverinë japoneze," shpjegoi Endo.

Sipas tij, organizatorët do t'i përshtasin masat e sigurisë të përfshira në manual sipas ndryshimit të situatës së COVID-19, ndërsa një konferencë shtypi e ngjashme për mënyrën se si po vijojnë përgatitjet për Lojërat Olimpike, do të zhvillohet në prill. (Artan)