Helidon Haliti është piktor i mirënjohur dhe ka një aktivitet të vlerësuar në artin e tij brenda dhe jashtë vendit, ku gjatë prezantimeve në bienale të ndryshme të artit në botë një nga destincaionet e tij më të shpeshta ka qenë edhe Kina ku është vlerësuar gjithmonë për artin e tij unik. Në një intervistë ekskluzive për rubrikën “Kujtoj” ai sjell eksperiencën e tij kineze nga vizitat në Kinë.
CMG: Faleminderit që pranuat ftesën për të qenë i ftuar në Radio Ejani
Helidon Haliti: Është kënaqësi edhe për mua që të jem pjesë e kësaj rubrike
CMG: Çfarë kujtoni nga vizitat tuaja në Kinë, ku keni qenë disa here për ekspozita të ndryshme?
Helidon Haliti: Eksperienca ime e parë me Kinën ishte kur aplikova në një nga bienalet më të mëdha të akuarielit, që u zhvillua në Shenzhen dhe pastaj vazhdoi si ekspozitë lëvizëse në shtatë muzeume dhe shtatë qytete të ndryshme të Kinës. Akuareli im u përzgjodh për posterin kryesor. Me thënë të drejtën është një vend i jashtëzakonshëm dhe i madh, ku ka një zhvillim të jashtëzakonshëm sidomos në mediumin e akuarelit.
Suksesi padyshim kishte dimensione të cilat në momente të caktuara në Shqipëri nuk i kuptojmë, por kur mua afrua ish ambasadori ynë në Kinë i cili më tha:” E kupton se çfarë ke arritur?”. Ky ka qenë prezantimi im i parë dhe më pas ne organizuam bienalen e akuarelit, ku pjesa kryesore e artistëve të këtij mediumi janë kinez dhe që atëhere e në vazhdim ne jo vetëm që kemi shkuar në Kinë, por kemi ftuar në Shqipëri mjeshtrat më të mëdhenj kinezë, siç është Liu I, i cili ka bërë disa performanca live dhe me pjesmarrjen e tij ku ka demostruar në Muzeun Kombëtar një vajzë me kostume popullore të Mirditës, ku dhe studentët kishin fatin të shikonin një nga akuarelistët më të mirë dhe më të shtrenjtë të botës.
Një vizitë tjetër në Kinë ka qenë në vitin 2017 ku më pas këtë aktivitet e zhvilluam edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë, ku e pranishme ka qenë edhe ish ambasadorja e Kinës, e cila u mahnit nga punimet. E gjithë mikpritja jonë dhe e tyre ishin të jashtëzakonshme dhe pastaj aktivitetet e mia në Qingdao ku kam qenë dy here, duke marrë pjesë fillimisht në një nga aktivitetet më prestigjoze me katër artistë ndërkombëtarë, një indian, me kinezin Hong Shan të cilin e kam shumë mik dhe ka studiuar në Vienë. Ai ka qenë katër herë në Shqipëri në aktivitetet që unë kam organizuar dhe ka marrë çmime më të larta nga juria ndërkombëtare pikërisht mbi bienalen time.
CMG: Jeni vlerësuar edhe me çmime gjatë ekspozitave tuaja në Kinë?
Helidon Haliti: Kur shkova sërish në Qingdao me gruan time jam laureuar me çmimin më të lartë që ekspozita kishte, si vepra më e mirë dhe ishte vërtetë një nga çmimet që më ka gëzuar. Ishin 100 mjeshtra më të mëdhenj të botës në atë ekspozitë dhe të dalë puna më e mirë ishte një gëzim i madh. Më pas kam qenë në shumë qytete ku kisha ekspozita vetjake apo kolektive.
Një veprimtari shumë interesante ka qenë në Shangai, një aktivitet ndërkombëtar i akuarielit me një cilësi e jashtëzakonshme. Li Xiaocheng është shprehur se nuk ka rëndësi madhësia e një populli, por energjia e tij. Pra jam ndjerë jashtëzakonisht mirë në Kinë. Kam qenë edhe vjet në shtator në një nga bienalet më të mëdha të Pekinit, e cila nuk ishte në akuarel, por ishte në zhanrin e vajit dhe ku merrnin pjesë 300 artistë nga e gjithë bota. Ishte një pesë ditësh i bukur ku ekspozita në Muzeun e Pekinit është vizituar nga jo më pak se 20 milion shikues, katalogu jashtëzakonisht prestigjoz, siç dinë t’i bëjnë vetëm në Kinë.
Përsa i përket pjesëmarrjes time nëpër ekspozita, kam marrë pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet. Kam shumë miq nga Kina dhe jam shumë i njohur atje. Tani së afërmi më 13 mars ne bëjmë bienalen e katërt të akuarelit dhe skuadra kineze përbëhet nga 25 artistë.
CMG: Tani ju keni një miqësi shpirtërore dhe profesionale me Kinën, sepse nga gjithë këto vizita keni krijuar dhe këto marrëdhënie kaq të mira.
Helidon Haliti: Ne kemi parë çudira në Kinë, zhvillime të mëdha ku në një moment të caktuar ti mësohesh me zhvillimin dhe atë që quhet gjigantizëm i Kinës. Por kur bëra vizitën me bashkëshorten time ajo kuptoi se sado të shprehja unë dimensionin tim si artist, ende është pak. Unë jam shumë i lumtur sepse kam ekspozuar në muze të mëdha që në Evropë nuk është e lehtë të të hapin dyert dhe kjo është magjia e Kinës të cilën unë e kam prekur.
Unë e kam shprehur edhe në Qingdao që ëndërra ime u bë realitet, ku një djalë i vogël nga një qytet si Lushnja të arrijë në një qytet kaq të mrekullueshëm, i cili më ka dhënë një inspirim shumë të madh. Sigurisht që çmimi më interesant ka qenë në Hong Kong ku kam marë çmimin Mjeshtër i madh ku jam ndjerë mjaft mirë.
Mendoj se vendet me një zhvillim kaq të madh e përqafojnë më lehtë artin, i cili ka një problematikë shumë të madhe kohët e fundit pothuajse në të gjithë botën. Ndërsa në Kinë nuk ndodh ashtu sepse atje respektohet jashtëzakonisht arti dhe artisti. Kinën ne tani e kemi si pikë referimi për tregun, por edhe për materialet dhe pjesmarrjen nëpër ekspozita. Ajo që kam vënë re është se pothuajse shumica e artistëve kokën e kanë kthyer nga Kina dhe kjo është mjaft interesante, pikërisht ky paralel që të duash artin dhe artistin.
CMG: Pra ju jeni vlerësuar shumë në Kinë dhe keni kujtime të pashlyeshme nga aktivitetet tuaja atje.
Helidon Haliti: Në fakt unë shikoj korrektësinë që ata kanë, me të cilën unë jam përshtatur plotësisht. Unë e mbaj veten për shumë korrekt dhe gjithë kohës në të gjitha vizitat ka qenë një korrektësi e jashtëzakonshme. Kam marrë fjalën e rastit në shumë evente ku dhe kam dhënë intervista të panumërta.
Ata e duan shumë Shqipërinë dhe kanë një memorie shumë të këndshme për Shqipërinë për shumë arsye. Kur viziton Shenzhenin, një nga vendet më të zhvilluara që unë mund të kem pare, ka disa gjëra që nuk i percepton ndonjëherë mendja e njeriut, sepse gjithçka kthehet në mënyrë jetese. Dua të them se në Kinë nuk ke probleme me materialet, sepse atje ka një bollëk materialesh dhe zakonisht kur kthehesha nga Kina studentët e mi ishin të lumtur sepse unë i sillja me çmime shumë të prekshme materiale të cilat jetojnë tërë jetën. Penelat kinezë janë shumë të famshëm dhe aq më tepër që penelat e tyre mbajnë dhe emrin tim dhe unë nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija këtë.
Një firmë në Qingdao ka prodhuar letrat me pikturat e mia dhe me emrin tim dhe disa materiale të tjera që ne jemi duke negociuar. Pra në njëfarë mënyre ti prek ëndrrën përsa i përket artit. Kaq mjafton për një artist dhe këto eksperienca i shpërndan dhe i bën të njohura për këdo sepse kaq ka nevojë arti.
CMG: Faleminderit për këtë bisedë të këndshme dhe suksese në punë tuaj.
Helidon Haliti: Faleminderit dhe juve dhe këtë vit kam dy ftesa konkrete, njera është përsëri në Qingdao në një aktivitet shumë të madh që ata bëjnë për akuarelin dhe tjetra është në Lushan ku puna ime sapo ka mbërritur dhe sigurisht që e kam pranuar ftesën. Janë specifikisht disa mjeshtra nga bota ku një ndër ta fati e bën që të jem dhe unë. Ëndërra ime është që i gjithë Universiteti i Arteve me kolegë dhe disa nga studentët të bëjnë lidhje pikërisht me atë që quhet arti dhe magjia kineze.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redakorja: Çang Çuo