Rexhina ne Pekin
Rexhina Vlashi është një vajzë e re nga Shqipëria e cila ka kryer intership në Kinë. Ajo ka qëndruar prej një viti në një familje kineze në qytetin e Hangzhout dhe për rubrikën “Kujtoj” sjell kujtimet e saj nga Kina si dhe eksperiencën kineze.
CMG: Rexhina unë të falenderoj që je me ne në studio për të sjellë kujtimet dhe eksperiencën kineze nga qëndrimi prej një viti në Kinë.
Rexhina Vlashi: Unë ju falenderoj që më ftuat dhe është kënaqësi edhe për mua të jem këtu me ju.
CMG: Kur keni qenë në Kinë dhe për çfarë shkuat atje?
Rexhina Vlashi: Në Kinë kam shkuar në Dhjetor të viti 2019 dhe jam kthyer në Shqipëri në 1 nëntor të vitit 2020. Arsyeja e vajtjes sime të Kinë ishte zhvillimi i një intershipi shkollor, ky i përzier me një eksperiencë kulturore ku unë mund të mësoja edhe gjuhën kineze, ndërkohë që mund të jetoja në një familje kineze gjatë qëndrimit tim atje.
Rexhina Vlashi ne studione Radio Ejani ne interviste me CMG
CMG: Pra ju për një vit qëndruat në një familje kineze. Si e krijuat lidhjen me familjen kineze dhe si ju pritën ata?
Rexhina Vlashi: Po, kam qëndruar në një familje kineze në Hangzhou, i cili është qytet shumë i bukur i Kinës ku natyra është e miksuar me modernen. Familja kineze ku unë qëndrova ishte shumë e respektueshme, mikëpritëse dhe shumë e dashur dhe çdo gjë gjatë gjithë vitit ka shkuar mirë. Unë i jam shumë falenderues asaj familje sepse më kanë mikpritur dhe unë kam bërë detyrën time si pjesëtare e familjes, por dhe ata kanë bërë detyrën e tyre për të më mikpritur mua.
CMG: Pak më parë po thonit se dhe gjuhën kineze e keni mësuar. Komunikoni lirshëm tani në kinezisht?
Rexhina Vlashi: Gjuha kineze në të shkruar është më e lehtë sesa në të folur, por që deri në një nivl të caktuar kam arritur ta flas lirshëm.
CMG: Pse zgjodhe Kinën për të bërë këtë intership?
Rexhina Vlashi: Kina më tërheq shumë sepse është një vend misterioz në aspektin kulturor dhe atë teknologjik dhe mendoja që do të kisha një të ardhme më të mirë nëqoftë se do ta nisja këtë rrugëtim në Kinë. Mendoj që të rikthehem atje për të realizuar masterin.
CMG: Ndërkohë ju keni qëndruar në Kinë gjatë vitit të pandemisë. Sa ndikoi kjo situatë në studimet dhe jetën tuaj në Kinë?
Rexhina Vlashi: Ishte një periudhë e vështirë ku ne u mbyllëm brenda për rreth dy muaj dhe unë duhej të studioja nga shtëpia çdo gjë që më duhej të pregatitesha, por që kaloi shumë mirë për shkak se isha brenda me familjen ku unë qëndroja dhe u lidhëm më shumë sëbashku, e njohëm njëri- tjetrin më shumë ku dhe mbajmë kontakte akoma.
Rexhina me miq kineze
CMG: Çfarë kujtimesh mund të na sjellësh nga vizitat në qytetin e Hangzhout?
Rexhina Vlashi: Hangzhou është një qytet shumë i madh ku ka shumë distrikte brenda qytetit. Në fakt duke qenë se kam qenë e zënë duke studiuar nuk është se kam pasur mundësinë ta vizitoj të gjithë qytetin. Më ka pëlqyer shumë sidomos West Lake (Liqeni Perëndimor) që shumë turistë shkojnë për ta vizituar. Gjatë qëndrimit tim njëvjeçar në Kinë kam vizituar edhe qytete të tjera si Shangai, Pekini dhe disa qytete të tjera.
CMG: Do ta ndërroje qytetin e Hangzhout me Pekinin apo Shangain, për të zhvilluar masterin?
Rexhina Vlashi: Mua më pëlqen shumë Hangzhou si vend sepse jetesa është e rehatshme dhe mendoj që duke qenë se jam përshtatur gjatë gjithë këtij viti, do ta kem shumë më të lehtë që të studioj atje.
CMG: Po me ushqimin kinez u përshtate shpejt?
Rexhina Vlashi: Në fillim nuk e kisha të lehtë të përshtatesha me ushqimin kinez, por duke qenë se qëndrova në një familje kineze të cilët më kuptonin që vija nga një vend me ushqime të tjera, ata fillimisht u munduan që të më plotësonin nevojat ushqimore që unë kisha. Më vonë fillova të pëlqeja shumë ushqimin kinez ku dhe tani më mungojnë disa gjëra nga ushqimi kinez.
Rexhina ne Murin e Madh Kinez
CMG: Për çfarë do ta vazhdosh masterin?
Rexhina Vlashi: Unë dua ta vazhdoj masterin për biologji molekulare duke qenë se bachelorin e kam mbaruar për bioteknologji dhe është një nga degët më të bukura sot.
CMG: Gjatë vizitës në Pekin dhe Shangai çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?
Rexhina Vlashi: Në Pekin dhe Shangai kam qenë për një udhëtim të shkurtër bashkë me familjen kineze dhe kam vizituar vendet kryesore si Sheshin Tiananmen, Murin e Madh Kinez, Qytetin e ndaluar të cilat më kanë pëlqyer.
CMG: Do kishe dëshirë ta ftoje edhe familjen tënde për të vizituar qytetin e Hangzhout?
Rexhina Vlashi: Patjetër që po, dhe me fotot dhe videot që ju kam treguar atyre ju ka lënë një mbresë shumë të mirë dhe duan edhe ata që ta vizitojnë.
Rexhina me miq
CMG: Cilin nga kujtimet nga Kina do të veçoje ?
Rexhina Vlashi: Kujtimi im ka të bëjë pikërisht me familjen kineze ku unë kam qendruar e cila ishte një familje që më dha shumë dashuri, mbështetje duke më respektuar shumë. Ata mbeten kujtimi im më i mirë dhe më bëjnë që kur të shkoj t’i takoj përsëri dhe të rri me ata.
CMG: Kur të përfundoni masterin keni dëshirë të qëndroni në Kinë, apo do të ktheheni në Shqipëri?
Rexhina Vlashi: Nuk jam e sigurt por dua që të investoj njohuritë e mia në Shqipëri sepse mendoj se ka më shumë nevojë, sesa në Kinë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Rexhina Vlashi: Dua të përshëndes familjen time, e cila më ka mbështetur gjatë gjithë këtij udhëtimi në Kinë dhe akoma më mbështet. Dua të përshëndes dhe familjen kineze dhe të gjithë miqtë që kam takuar dhe njohur në Kinë, si edhe të gjithë shqipfolësit kinezë, sepse i vlerësoj shumë për gjuhën shqipe të cilën ata e kanë marrë përsipër ta mësojnë. Faleminderit.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktorja: Çang Çuo