Një vaksinë e COVID-19 e gjigandit farmaceutik shtetëror kinez "Sinopharm", me një efikasitet 79.34 për qind, javën e kaluar u bë vaksina e parë e koronavirusit që merr miratimin e kushtëzuar të tregut për përdorim publik në Kinë.
Vaksina, e krijuar nga filiali i "Sinopharm"-it - Grupi Kombëtar Bioteknologjik i Kinës (CNBG) - ka qenë efektive dhe e sigurt në provat klinike në shkallë të gjerë në një duzinë vendesh, sipas zyrtarëve shëndetësorë në një konferencë shtypi më 31 dhjetor.
Niveli i efikasitetit të vaksinës prej 79.34 për qind bazohet në rezultatet e përkohshme të fazës së tretë të provave klinike me më shumë se 60 000 pjesëmarrës nga 125 vende, tha në konferencë Wu Yonglin, një ekzekutiv i lartë i "Sinopharm". Ai bëri të ditur se të dhënat e hollësishme të provave do të shpallen më vonë dhe do të publikohen në revista shkencore.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), efikasiteti i vaksinës mat sa mirë funksionon një vaksinë në parandalimin e njerëzve që e kanë bërë atë, nga infektimi prej një sëmundjeve në provat klinike të kontrolluara.
Ai mat zvogëlimin e rasteve të sëmundjes në një grup të vaksinuar krahasuar me një grup të pavaksinuar. Për shembull, nëse një vaksinë ka një normë efikasiteti prej 80 për qind, kjo do të thotë që njerëzit e vaksinuar janë 80 për qind të mbrojtur nga infektimi, krahasuar me ata që janë plotësisht të prekshëm pa vaksinën.
Sidoqoftë, ekziston një ndryshim midis niveleve të efikasitetit në provat klinike dhe efektivitetit në botën reale.
Sipas OBSh-së, asnjë vaksinë e vetme nuk mund të jetë 100 për qind efektive. Por rregullatorët mjekësorë kanë një prag efikasiteti për vaksinat para se t'u lejohet hyrja në treg.
OBSh-ja dhe Administrata e Barnave dhe e Ushqimeve e ShBA-së rekomandojnë vaksinat e COVID-19 me një efikasitet mbi 50 për qind, që është gjithashtu pragu i kërkuar nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës.
Deri më tani, të gjitha vaksinat që u është dhënë drita e gjelbër për përdorim masiv në vende të ndryshme, kanë nivele efikasiteti shumë më të larta se pragu.
Li Zhongming, një ekspert kinez i vaksinave, i tha gazetës "Science and Technology Daily" se vaksinat e krijuara me metoda të ndryshme teknike kanë nivele të ndryshme efikasiteti. Për sa kohë që një vaksinë ka një efikasitet mbi 60 për qind, është mirë të bëhet.
Ai gjithashtu vuri në dukje se të paktën 60 përqind e të gjithë popullsisë duhet të vaksinohen për të arritur imunitetin e tufës.(Artan)