Klajdi Toska

Klajdi Toska

Klajdi Toska ka përfunduar masterin në Pekin në vitin 2008. Ai ndau me ne kujtimet nga dy vitet e studimit në Kinë.

CMG: Përshëndetje Klajd dhe faleminderit që u bëre pjesë e rubrikës sonë.

Klajd Toska: Më pëlqen Radio Ejani me programet të larmishme, e cila është një dritare e vogël e Kinës në hapësirën shqiptare

Klajdi Toska në sheshin Tiananmen

Klajdi Toska në sheshin Tiananmen

CMG: Kur keni qenë në Kinë dhe çfarë kujtoni nga ajo periudhë?

Klajd Toska: Unë kam jetuar në kryeqytetin e Kinës në Pekin për rreth dy vite, nga viti 2006 deri në 2008. Pekini gjatë dy viteve të qëndrimit tim ka qenë në proçes të madh transformimi, pasi në vitin 2008 do të mbaheshin lojërat olimpike. Gjithçka nga ana infrastrukturore po modernizohej për të pritur miqtë nga e gjithë bota. Normalisht për mua ishte qyteti më gjigant që kisha vizituar ndonjëherë me vrullin e 20 milion njerëzve dhe një kulturë e gjitha për t’u eksploruar.

Klajdi Toska në sheshin Tiananmen

Klajdi Toska në sheshin Tiananmen

CMG: Sa interesante të është dukur Kina për studime dhe jetesë njëkohësisht?

Klajd Toska: Çfarë më shtyu në Kinë për studime ishte interesi im për kulturën dhe njerëzit e një pjese të globit për të cilën kisha dëgjuar dhe isha shumë kurioz. Është krejt ndryshe kur i përjeton nga afër ndjesitë, aromën, arkitekturën e një qytetërimi si ai kinez. Arsyeja e vajtjes në Kinë ishin studimet e nivelit master në fushën e inteligjencës artificiale dhe e them me plot bindje se kam marrë shumë nga niveli i lartë i profesorëve dhe i organizimit të studimeve në Kinë. Këtu gjej rastin t’i falenderoj të gjithë ata që më asistuan dhe bënë të mundur studimet e mia dhe në veçanti profesorin tim.

CMG: Po gjuhën kineze arritët ta mësonit?

Klajd Toska: Gjuhën kineze e kuptoj disi dhe arrij të komunikoj vetëm me disa shprehje bazike. Dëshira ka qenë e madhe nga ana ime për të mësuar më shumë nga kultura dhe gjuha kineze dhe kam ruajtur disa libra të cilët i shfletoj ndonjëherë.

Klajdi Toska dhe miqtë kinezë

Klajdi Toska dhe miqtë kinezë

CMG: Mbani akoma kontakte me miq dhe shokë kinezë?

Klajd Toska: Shumë pak kam mbajtur kontakte sidomos vitet e para pas largimit tim, por besoj se është koha dhe jeta e vrullshme edhe këtu në Tiranë që na bën të harrojmë disi miqësitë e largëta. Do të më pëlqente t’i takoja sidomos kolegët e radios në Pekin, ku unë u angazhova për disa muaj.

Klajdi në Pekin

Klajdi në Pekin

CMG: Keni dëshirë të riktheheni në Kinë?

Klajd Toska: Dëshira mbetet gjithmonë e madhe dhe shpresoj që së shpejti të arrij ta vizitoj Kinën së bashku me familjen time.

Klajdi dhe familja e tij

Klajdi dhe familja e tij

CMG: Po këtu në Shqipëri çfarë angazhimi keni?

Klajd Toska: Unë prej gjashtë vitesh jam angazhuar në ngritjen e një kompanie Ecotex systems, e cila ofron shërbime në proçeset e automatizimit industrial. Ne ndihmojmë ndërmarrjet industriale shqiptare të cilat kanë nevojë të modernizojnë makineritë dhe proçeset e tyre të punës, duke ju ofruar pajisje të reja gjithashtu edhe shërbimin tonë në mirëmbajtjen e këtyre makinerive.

CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj

Klajd Toska: I uroj të gjithë dëgjuesve të Radio Ejani një vit të mbarë me shpresën se do të arrijmë të bëjmë më shumë për njëri-tjetrin këtë vit. Ju faleminderit.


Intervistoi: Gazmend Agaj

Gazetarja: Çang Çuo