Orest Cipa ne Pekin
Orest Çipa ka përfunduar masterin për marrëdhënie ndërkombëtare në një nga universitetet e Shangait. Ai sjell kujtimet e tij të veçanta nga katër vitet e studimeve në Kinë si dhe eksperiencën kineze.
CMG: Orest përshëndetje dhe faleminderit që pranove ftesën të jesh pjesë e rubrikës “Kujtoj”.
Orest Çipa: Është kënaqësi e veçantë për mua dhe ndjehem i priviligjuar të jem pjesë e këtij emisioni. Për të gjithë ne që kemi qenë student apo për të gjithë ata të cilët kanë kaluar një pjesë të konsiderueshme të jetës së tyre në Kinë, është një ndjesi emocionale e papërshkrueshme me fjalë kur na jepet mundësia të rrëfejmë të shkuarën dhe eksperiencat tona në kontinentin aziatik. Ju falenderoj pa masë dhe më vjen mirë që Radio Ejani po luan një rol të rëndësishëm me emisione që trajtojnë kulturën kineze, e cila është shumë e lashtë dhe ka vlera të mëdha për Shqipërinë, por edhe anasjelltas.
Orest Cipa student ne Shangai
CMG: Orest sa vite keni qëndruar në Kinë për studime?
Orest Çipa: Studimet e mia zgjatën 4 vite. Kam përfunduar masterin për marrëdhënie ndërkombëtare në Shangai në “East China Normal Univeristy”. Viti i parë më i vështirë por edhe më mbresëlënësi, pasi mësohet gjuha dhe kultura kineze, pastaj janë dy vitet e studimit me kohë të plotë në Universitet dhe viti i fundit është viti i përfundimit dhe mbrojtjes së diplomës. Është një kohë e gjatë, janë katë vjet por tani që po flas me ju më duket se gjithçka ka ecur aq shpejt, sa që dua të kthehem sërish pas në kohë.
CMG: Çfarë kujtoni nga ajo periudhë në Kinë?
Orest Çipa: Që kur unë mbërrita në Shangai duke vazhduar deri largimin nga Kina në kujtimet e mia vazhdojnë të jetësohen me një mall të madh çastet që jetova aty. Siç e thashë edhe më lart viti i parë është edhe më mbresëlënës sidomos kur bëhet fjalë me përshtatjen me ushqimin dhe fillesat e mësimit të gjuhës kineze. Dëshiroj të theksoj se një ndër ato momente më të veçanta në mendjen time kanë mbetur Ekspozita botërore në Shangai në vitin 2010. Aty unë kam punuar si përgjegjës dhe ciceron, por edhe si përkthyes në pavijonin e Shqipërisë. Në këtë eveniment prestigjoz, që mbahet njëherë në katër vjet në vende të ndryshme të botës ku jam njohur dhe kam përjetuar rrëfime nga më emocionalet që kam hasur në jetën time prej disa prej inxhinierëve dhe specialistëve kinezë që kishin ardhur në Shqipëri gjatë periudhës kur Shqipëria dhe Kina kanë pasur kulmin e marrëdhënieve të tyre shtetërore. Histori dhe rrëfime të jashtëzakonshme që për mendim tim shteti ynë apo edhe shteti kinez duhet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë dokumentimit, pasi sipas meje janë një thesar i çmuar i historisë së marrëdhënieve tona.
Orest Cipa ne Kine
CMG: Pse zgjodhe pikërisht Kinën si vend për të studiuar?
Orest Çipa: Unë isha në përfundimin e vitit të tretë të Bachelor në degën e gazetarisë në Tiranë, kur mu komunikua mundësia e vazhdimit të një masteri në Kinë. Ditën e parë dhe të dytë u habita pak për faktin sepse më dukej diçka jo reale, Kina ishte shumë larg dhe nuk njihja njeri por mbas takimit me atasheun e kulturës në Ambasadën kineze në Tiranë, ku gjej dhe rastin t’i falenderoj përzemërsisht për profesionalizmin dhe kujdesin e veçantë që kanë ndaj studentëve shqiptarë. Në atë kohë unë u binda dhe fillova të përgatitesha seriozisht. Ishte një rastësi por isha unë shumë me fat që po zgjidhesha dhe më jepej kjo mundësi, do të mësoja gjuhën kineze që është një pasuri e madhe, do të mbaroja masterin, por do të familjarizohesha edhe me një kulturë që isha shumë kurioz për të.
CMG: Po gjuhën kineze arritët ta mesonit shpejt?
Orest Çipa: Natyrisht që po, sepse masterin duhet ta ndiqja në gjuhën kineze por edhe në anglisht dhe e kishim të detyrueshme mësimin e gjuhës kineze. Dua të theksoj që për t’u diplomuar gjatë periudhës që unë kam qenë student, duhej mbrojtur gjuha kineze të cilën unë e përfundova në vitin e katërt të qëndrimit tim në Shangai.
Orest Cipa si aktor ne Kine
CMG: Si ishte një ditë për Orestin në Kinë?
Orest Çipa: Çdo ditë ishte intensive dhe ndryshe, por ajo që unë di të them me siguri të plotë është se çdo ditë mëson një gjë të re, çdo ditë bën një mik të ri dhe çdo ditë sheh diçka të re. Përveç angazhimit në shkollë duke qenë se isha student ndërkombëtar ne kishim mundësi edhe për të punuar. Më kujtohet se kam marrë pjesë si aktor filmi figurant, por edhe hera herës më jepej ndonjë rol i shkrutër në filma apo në reklama të ndryshme. Kam punuar si agjent promocionesh, por edhe si përkthyes me biznesmenë të ndryshëm nga Shqipëria.Kina të jep mundësi të mëdha dhe është një nga ato vende që dashurohesh më të.
CMG: Mbani kontakte me miq kinezë apo ish studentë që keni qenë në universitet bashkë?
Orest Çipa: Është një shprehje shumë domethënëse për miqësinë kur thuhet se miqësia i ngjan librave të vjetër, që koha ju jep atyre më shumë vlerë, dhe këtë do ta thosha pa ngurim për të gjithë miqtë e mi kinezë me të cilët kam ndarë momente shumë të veçanta gjatë studimeve të mia në Shangai, por edhe gjatë qëndrimit të Tianjin ku punova për rreth një vit. Kinezët janë njerëz shumë pozitivë dhe ajo që kam vënë re shpeshherë sidomos te brezi i moshës 65-70 vjeçar është afeksioni që kanë ndaj shqiptarëve. Shpresoj që populli kinez ta dijë që ndjenja është e ndërsjellë dhe kam besimin që të gjithë ne që kemi qenë student apo dhe atyre që janë aktualisht aty, të kemi arritur të përcjellim një ndjenjë të tillë te ata. Vazhdoj të komunikoj me disa nga shokët e shkollës, por edhe disa nga profesorët e mi të nderuar.
Komunikimi në distancë është pak i vështirë, por besoj dhe e ndjej se dashuria dhe respekti për shoqërinë tonë është shumë i ngrohtë gjatë shkëmbimit të mesazheve apo telefonatave.
Orest Cipa me nje mik kinez
CMG: Orest të falenderoj dhe mund të përcillni edhe një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Orest Çipa: Më lejoni t’ju shpreh mirnjohjen time më të thellë miqve dhe shokëve të mi kinezë për atë periudhë kohore që më qëndruan pranë në momentet më të bukura, por edhe për ato pak momente të vështira të jetës sime si student. Gjithashtu një falenderim të përzemërt e kam edhe për dëgjuesit e Radio Ejani të cilët duhet theksuar se janë një aset me shumë rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj miqësie disavjeçare midis dy vendeve tona. Gëzuar festat e fundvitit!
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktorja: Çang Çuo