Erkand Qerimaj
Erkand Qerimaj është një nga sportistët e njohur shqiptarë, që ka arritur rezultate pozitive nëpër evente ndërkombëtare. Ai është shpallur kampion Evrope për peshën 77 kilogram në Evropianin e vitit 2012 në Antalia (Turqi). Qerimaj u rendit i dyti në shkëputje me 158 kg dhe i pari në shtytje me 190 kg, duke merituar medaljen e artë me 348 kg në dygarësh.
Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi e ka nderuar Erkand Qerimaj, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Më 8 prill 2014, në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, Qerimaj mori medaljen e artë në kategorinë –77 kg. Në të njejtën kategori, ai mori medalje të bronztë në tërheqje. Erkand Qerimaj, zuri vendin e parë, duke merituar “Medaljen e Artë” në stilin e shtytjes për peshën 69-kilogram dhe u shpall Kampion në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rinj, të zhvilluar në Kinë në vitin 2006.
Erkand Qerimaj sjell kujtimet e tij nga ky kampionat dhe planet e tij sportive për të ardhmen.
Erkand Qerimaj me familjen
CMG: Kanë kaluar plot 14 vite kur ju u shpallët Kampion Bote në Peshëngritje në Kinë. Çfarë kujton nga ajo periudhë?
Erkand Qerimaj: Kampionati Botëror në Kinë, në fakt ka qenë një nga garat më emocionuese, ku pasi isha shpallur Kampion Evrope me para të rinjtë dhe Kampion Evrope për të rinj, ishte kampionati i parë botëror ku unë merrja medalje ari. Ky ishte një rezultat historik në sportin shqiptar. Mbaj mend që u prit shumë mirë nga të gjitha trevat shqiptare dhe ishte festë kur fitova titullin Kampion Bote, si dhe më është bërë një pritje spektakolare në Aeroportin e Rinasit.
Edhe pse u kthyem në atdhe në orën 1 të natës kishte shumë njerëz që kishin dalë për të na pritur, gjithashtu pati edhe një pritje në mes të qytetit të Shkodrës nga Bashkia dhe Perfektuara, por edhe gjithë dashamirësit dhe tifozat.
Unë kam shumë kujtime të bukura nga kjo garë sepse isha pregatitur shumë për të arritur atë rezultat, që ishte diçka shumë e madhe shpallja Kampion Bote. Unë në fakt e arrita këtë rezultat edhe një vit më pas në Pragë të Çekisë, por Kampionati i Kinës ishte i veçantë pasi ishte për herë të parë që fitoja një medalje ari në një Kampionat Botëror. Ishte diçka fantastike në karrierën time ku bashkë me trainerin tim arritëm një rezultat fantastik për sportin shqiptar.
Erkand Qerimaj me Profesor Zefin
CMG: Çfarë kujtimesh keni nga eksperienca kineze apo edhe shëtitjet në Kinë?
Erkand Qerimaj: Nga shëtitjet që kemi bërë në Kinë mbaj mend që kur dilnim zakonisht nga palestra, aty te qendra sportive shikonim që ksihte shumë fëmijë që i testonin për sporte të ndryshme si peshëngritja, atletika, gjimnastika dhe të gjitha sported, duke përzgjedhur më të mirët. Pastaj momenti kur merrnim autobusin për të shkuar te hoteli mbaj mend që dilnin njerëzit nga puna dhe më ka bërë pështypje që rrinin me maska. Tani erdhi koha që të përdorim të gjithë maskën nga pandemia e koronavirusit. Nga vizitat në Kinë më ka pëlqyer shumë qyteti i Hangzhout, i cili ishte një qytet gjigant, me ndërtesa shumë të larta.
Erkand Qerimaj me trainerin e tij Zef Kovaci
CMG: Si ka qenë viti 2020 për Erkand Qerimaj?
Erkand Qerimaj: Viti 2020 ka qenë pa aktivitete për arsye të pandemisë së koronavirusit. Ne ishim duke u pregatitur për Kampionatin Evropian, që do të zhvillohej në Moskë, por i ndërpremë përgatitjet pasi ishte karantina. Olimpiada dhe të gjitha aktivitetet u shtynë. Unë bashkë me trainerin kemi vazhduar stërvitjen për të ruajtur rezultatet.
Si për të gjithë njerëzit e tjerë edhe për mua ky vit ka ndikuar sepse nuk është mirë kur nuk ke aktivitete, por shpresojmë që të kalojë sa më shpejt kjo periudhë dhe viti 2021 të jetë një vit ndryshe dhe ne të bëjmë gara. Uroj të jetë një vit i mirë për të gjithë shqiptarët dhe gjithë botën.
CMG: Gjithmonë keni arritur rezultate fantastike. Cili është çelësi i suksesit tuaj?
Erkand Qerimaj: Çelësi i suksesit mendoj që nuk është vetëm një, por janë disa si, vullneti, dëshira për të arritur gjithmonë suksesin dhe motivimi në vetvete për të thyer rekorde dhe për të qene në maja. Gjithashtu mbështetja e familjes, njerëzit që më rrethojnë, trajneri, miqtë dhe të gjithë ato që transmetojnë energji pozitive për të ngritur flamurin shqiptar. Këto janë disa gjëra që mua më kanë motivuar që i vogël për të arritur këtu ku jam. Është edhe pasioni që kam për sportin për të arritur rezultate të mira.
Erkand Qerimaj me familjen
CMG: Çfarë prisni nga viti 2021?
Erkand Qerimaj: Për vitin 2021 unë po pregatiten dhe pres që të kemi aktivitete dhe të rikthehemi përsëri me medalje nga aktivitetet që do të kemi nga Kampionati Evropian, Olimpiada që shpresoj të marrim kualifikimin dhe të kthehemi me rezultate të mira. Po mendojmë pozitivisht duke shpresuar që garat të zhvillohen dhe mos të jetë si ky vit që kaloi duke uruar që viti 2021 të jetë një vit më i mirë.
CMG: Së fundi një urim për festat e fundvitit nga Erkand Qerimaj?
Erkand Qerimaj: Dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve një vit të ri sa më të mirë, me shëndet për të gjithë dhe mbarësi për të gjitha familjet shqiptare kudo dhe shpresojmë që të jetë një vit i mbarë për të gjithë botën.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktorja: Çang Çuo