Intervistë ekskluzive me balerinin shqiptar më famë botërore Igli Mezini
Igli Mezini
Balerini shqiptar me famë ndërkombëtare, Igli Mezini ka kërcyer në shumë skena të njohura të botës. “Sydney Opera House”, “Cultural Center Hong Kong”, apo “Teatro Mayor Bogotá”, janë vetëm disa nga skenat ku balerini 27-vjeçar, ka kërcyer duke rrëmbyer duartrokitje pafund. Tre vite eksperiencë në Kanë i mundësuan artistit të ri të performojë në disa skena të rëndësishme të botës, si në Itali, Austri, Spanjë, Turqi, Kolumbi, Australi, Gjermani, Hong-Kong, Pekin, Singapor e të tjera, ku nga më të rëndësishmet ishte dhe pjesëmarrja në “Festival de Film de Cannes” në vitin 2013, si pjesë e trupës së kërcimit në hapjen gala të“The Great Gatsby” përkrah Leonardo Di Caprios, Lana del Rey, e yjeve të tjerë me famë botërore.
Igli Mezini prej kohësh punon dhe jeton në Zvicër, duke përfaqësuar kulturën dhe artin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani China Media Group (CMG) Igli sjell kujtimet e tij nga vizita në Pekin për shfaqje baleti si dhe eksperiencën e tij kineze, krahas shumë eksperiencave botërore si balerin.
CMG: Igli cili është angazhimi juaj në fushën e baletit tani në Zvicër, në këtë kohë pandemie?
Igli Mezini: Në këtë kohë pandemie do të thoja gjithashtu se edhe Teatri ynë është goxha i prekur. Patjetër që kemi qenë të hapur le të themi sepse vetëm Teatri ynë dhe Teatri Saint Galen në Zvicër, por vetëm me një kapacitet prej 50 personash në publik. Normal që është pak e trishtueshme të shohësh gjithë atë teatër aq të madh të boshatisur, por nga ana tjetër jemi shumë të lumtur që mundemi akoma të vazhdojmë aktivitetin tonë artistik të pabezdisur nga gjithçka që po ndodh në të gjithë botën.
Igli Mezini gjate nje performance baleti
CMG: Si është për një balerin të famshëm si ju të jesh pjesë e skenave ndërkombëtare?
Igli Mezini: Të jesh balerin patjetër që është një kënaqësi shumë e madhe dhe një punë e kryer me shumë pasion, një profesion që do të thoja kërkon shumë disiplinë, përkushtim dhe kujdes për veten, trupin dhe për gjithçka që të rrethon. Jam absolutisht shumë me fat që kam zgjedhur këtë profesion kaq të bukur ku më jepet gjithashtu mundësia që artin tim ta çoj në çdo vend e në çdo teatër të botës. Patjetër që është diçka shumë impresionante reagimi i publikut që vjen për të na parë në shfaqje. Kuptohet që njerëzit janë të ndikuar nga mentaliteti vendas ku disa e presin shumë mirë ndërsa disa të tjerë kanë një opinion të ndryshëm, por do të thoja se është diçka shumë sfiduese gjithashu edhe për ne, për t’ju përshtatur pak a shumë të gjitha llojeve të mendësive që mund të ketë në këtë planet me gjithë diferencat tona kulturore, moshës, mentalitetit e gjithçkaje. Është diçka që e shijoj shumë dhe jam shumë i lumtur që zanati që kam zgjedhur më ofron edhe këtë mundësi.
CMG: Çfarë kujtimesh keni nga dy vizitat tuaja në Pekin për shfaqjen e baletit dhe master classet dhe si u prit shfaqja nga spektatori kinez?
Igli Mezini: Është e vërtetë siç e thatë edhe ju në Pekin kam qenë dy herë, një super qytet, diçka që është jashtëzakonisht impresionuese dhe diversiteti që krijohet në këtë qytet është gjithashtu shumë inspirues për një artist. Herën e parë kam patur fatin të shkoj me trupën e baletit të Angjelin Preljocaj, një tjetër shqiptar shumë i suksesshëm në baletin botëror. Kemi kërcyer në Pekin, një mrekulli ku kishte shumë njerëz që vinin dhe na shikonin çdo natë me një publik të tejmbushur dhe një shfaqje ku të gjitha biletat ishin të shitura. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur ku fatmirësisht kemi pasur edhe pak kohë të lirë për të dalë dhe shëtitur mrekullitë që të ofron Pekini.
Ndërsa hera tjetër ka qenë komplet një spektër tjetër do të thoja sepse isha njëri nga 16 profesorët e zgjedhur për Beijing Dance Festival, që është eventi i dytë më i madh në Azi përsa i përket baletit. Absolutisht shumë i lumtur për këtë eksperiencë dhe shumë i nderuar që isha më i riu në moshë nga të gjithë profesorët dhe kishim shumë studentë nga shumë vende të botës përfshirë, Australinë, Amerikën, Evropën dhe patjetër edhe kinezë. Kjo ka qenë shumë eksperiencë e bukur në të dyja herët dhe do të thoja se do të kthehesha në Pekin me shumë qejf përsëri në të ardhmen. Uroj të më jepet mundësia dhe të ketë diçka të mirë për të bërë dhe do shkoja me shumë kënaqësi.
CMG: Na trego pak për eksperiencën tuaj kineze?
Igli Mezini: Për profesionin që kam ushqimi është shumë i rëndësishëm dhe nëse nuk ushqehem mirë apo nuk marr kaloritë e duhura, rendimenti në punë është i ulët. Kur arrita në Kinë patjetër diferenca e kuzhinës mesdhetare me atë kineze është shumë e madhe. Më kujtohet kur na ofroheshin pjata që nuk i kisha parë kurrë më përpara, por në momentin që e provon ushqimin kinez është shumë i shijshëm dhe shumë ushqyes. Unë e kam shijuar shumë kulinarinë kineze, përpos pjesës së turizmit ku fatmirësisht kemi shëtitur në Pekin, vizituam Murin e Madh Kinez, tempuj të ndryshëm, tregje të mëdha dhe Qytetin e Ndaluar, një mrekulli arkitekturore dhe historike. Çdo eksperiencë e shijoj shumë ku mundohem gjithashtu të marr më të mirën për të insipiruar veten time dhe për të mësuar nga diferenca që kemi në kulturat tona. Shpresoj të rikthehem me projekte të tjera për të zbuluar gjëra të reja në Pekin.
Igli Mezini
CMG: Mbani kontakte me miq apo kolegë të fushës së artit në Kinë?
Igli Mezini: Patjerër që mbaj kontakte me miqtë e mi kinezë, artistë, organizatorë eventesh të mëdha. Në këtë periudhë të Covid-19 kemi qenë më shumë në kontakt, fillimisht duke u kujdesur virtualisht për njëri -tjetrin. Shumë evente dhe plane sidomos artistike dhe çdo gjë tjetër në botë janë anulluar, por shpresojmë dhe jemi shumë optimistë që shumë gjëra t’i rikuperojmë me kohën, ndoshta në një moment të dytë ku mund të kemi më shumë normalitet në botë.
Jam i sigurt që eventet do të vazhdojnë dhe miqtë e mi kinezë do vazhdojnë organizimet artistike duke qenë se është një vend i madh dhe me shumë potencial, me shumë prurje artistike ku jam i sigurt se do të kemi bashkëpunime në të ardhmen. Kam shumë miq kinezë dhe ruaj dhe gëzoj shumë respekt për ta.
CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen?
Igli Mezini: Për momentin po punoj për projekte të ndryshme në Zvicër dhe Francë, ku kam akoma lidhjet e mia, por edhe në vendet e tjera duke mos përjashtur mundësinë për të bashkëpunuar me Tiranën. Para pak muajsh jam diplomuar me një licencë në arte në Francë që është për të gjithë Bashkimin Evropian përfshirë dhe Zvicrën. Është një diplomë që do më hapë dyert, le të themi për tranzicionin tim në një ditë ndoshta kur Igli të mos kërcejë më.
Intevistoi: Gazmend Agaj
Redaktoja: Çang Çuo