Bujar Taullah

Bujar Taullah

Bujar Taullah ka përfundur studimet në Kinë në vitet 1961-1966 dhe që prej asaj periudhe vazhdon të bashkëpunojë me kinezët duke mbajtur kontakte të vazhdueshme, por edhe duke vizituar shpesh Kinën vitet e fundit. Në intervistën për Radio Ejani ai sjell kujtimet e tij për Kinën.

CMG: Le të njihemi me ju zoti Taullah!

Bujar Taullah: Unë i takoj atij brezi të famshëm të periudhës së miqësisë midis dy popujve tanë. Ne kemi vajtur në Kinë në vitin 1961 ku për një vit mësuam gjuhën kineze dhe pastaj u shpërndamë sipas profesioneve. Kryesisht ishim me bazë profesionesh teknike për t’u përgatitur për vënien në punë të objekteve që do të ndërtoheshin me ndihmën vllazërore të Republikës Popullore të Kinës. Unë isha për metarlugjinë ku ishte parashikuar në planet 5 vjeçare të atëhershme që të ndërtohej Kombinati Metalurgjik dhe paralel me të ishin edhe specialistët që do ta merrnin përsipër vënien në punë të tij sëbashku me specialistët kinezë. Praktikën e diplomës e bëra me një pedagog në Shangai në një kombinat metalurgjik atje.

Bujar Taullah me miq

Bujar Taullah me miq

CMG: Sa vite qëndruat në Kinë për studime?

Bujar Taullah: Unë kam qëndruar në Kinë nga viti 1961 deri më 1962 në Institutin e Gjuhëve të Huaja ku arritëm të mësojmë kinezisht aq sa për të hyrë në fakultet. Pastaj mua më dërguan në Institutin e Metalurgjisë së Zezë të Pekinit bashkë me 10 shokët e mi. Kjo periudhë vazhdoi deri në vitin e fundit. Mbas paraktikës së punës që unë bëra për diplomën në dhjetor të vitit 1966 u kthyem në Shqipëri.

CMG: Gjatë vitit të parë arritët ta mësonit gjuhën kineze?

Bujar Taullah: Kjo është e vështirë të thuhet, por ne mësuam bazat e gjuhës kineze kryesisht dhe pastaj ishte parashikur që gjuha do të vinte gradualisht duke e përvetësuar meqenëse rriteshin kontaktet direkt me kinezët, me të cilët studionin bashkë në klasë. Këto ishin disa kushte që na krijuan lehtësira për të vazhduar më tej.

Bujar Taullah ne pritje nga Ambasada kineze

Bujar Taullah ne pritje nga Ambasada kineze

CMG: Çfarë kujtimesh ruani nga qëndrimi juaj në Kinë?

Bujar Taullah: Unë kam shumë mbresa nga ajo periudhë, që ishim larg nga vendi ynë dhe ndjehej malli për vendlindjen. Atëhere ishte dhe pak vështirë komunikimi me telefon, sepse sot kanë hyrë celularët dhe komunikimi është më i lehtë. Lidhja jonë me familjet ishte vetëm nëpërmjet letrave. Ne në Kinë arritëm të luajmë edhe pjesë teatrale. Kam dhe dy gjëra interesante. Në kohën kur isha në Kinë shoqërova Ansamblin e Ushtrisë në vizitën që bëri në Pekin. Ndodhesha mbrapa perdes, apo brenda në skenë ku kisha ballëpërballë dirigjentin e paharruar Gaqo Avrazi. E shikoja atë dhe çuditesha që ishte mbuluar me djersë nga emocionet, duke dirigjuar një këngë që ne e kishim aq përzemër në atë kohë.

Bujar Taullah interviste me CMG

Bujar Taullah interviste me CMG

CMG: Çfarë vendesh keni vizituar në Kinë dhe çfarë kujtoni?

Bujar Taullah: Kina ishte një botë tërë kuriozitet dhe unë si natyrë jam pak qejfli i kurioziteteve dhe që kur shkova atje gërshetova studimet me vizitat nëpër vende të ndryshme tipike të Pekinit. Ishin gjëra me të vërtetë fantastike, duke filluar që nga Pallati i Verës, Pallati i Dimrit që ne na bënë mjaft përshtypje sepse ishim të rinj dhe vinim nga gjimnazi. Gjithaçka ishte kurioze dhe na bënte përshtypje kur na çuan njëherë në një kinema të veçantë, ku shfaqeshin filma njëkohësisht me dy kamera dhe ekrani ishte në formë harku dhe kur shfaqej filmi të jepte atë ndjesinë sikur je në natyrë. Ne na dukej sikur ishim në jetën e përditëshme sepse qëllonte që në ekran shfaqej shiu dhe njerëzit mendonin që ishte në sallë shiu dhe mundoheshin të hapnin çadrat.

CMG: Keni shkuar sërish në Kinë këto vitet e fundit?

Bujar Taullah: Unë pata fatin që të punoja gjatë me kinezët edhe mbas përfundimit të studimeve në Kinë. Kam punuar me specialistët kinezë në Kombinatin Metalurgjik. Në vitin 2000 rastësisht pata një fat që të lidhesha me një biznesmen, i cili me Kinën bënte tregtinë e makinave të vogla të transportit, të njohur si “dumdum” dhe rastësisht mësuan që unë mund të komunikoja me ata, duke më kërkuar ndihmë për një porosi që nuk ju kishte ardhur nga Kina.

Ishte viti 2000 që unë fillova të shkoj në Kinë pas një ndërprerje të gjatë 25 vjeçare. Pastaj vazhdova rregullisht të shkoja në Kinë deri para pandemisë.


Intervistoi Gazmend Agaj


Redaktorja: Çang Çuo