Robert Kote interviste per CMG
Intervistë me Ing.Robert Kote, i cili në vitet 1973-74 ka kryer specializim në Kinë. Ai flet për Radio Ejani rreth kujtimeve të hershme gjatë qëndrimit në Kinë si dhe nostalgjinë e asaj kohe.
CMG: Një vit në Kinë për specializim. Si u bë e mundur kjo?
Robert Kote: Ju falenderoj për këtë intervistë sepse po më ringjall kujtimet e pashlyeshme në jetën time. Në Pekin kemi qenë një grup nga universiteti për specializim, sipas një marrëveshjeje që bëri Rektori jonë atëhere, Agim Mero me autoritetet kineze. Natyrisht ishte një gjë e jashtëzakonshme për mua, së pari që të dilja jashtë dhe të njihesha me Kinën. Më ka lënë mbresa të mëdha atëhere dhe bëj krahasimet ai Pekin i atëhershmë me këto mrekullira që shoh përditë në TV, sepse që atëhere unë nuk kam qenë më në Kinë.
CMG: Ju keni qenë në Kinë në vitet 73-74 për specializim në inxhineri ndërtimi. Si ishte kjo eksperiencë për ju?
Robert Kote: Faktikisht ne ishim dy nga katedra e arkitekturës të Universitetit shtetëror të Tiranës. Unë diplomën e kam inxhinier për ndërtimet qytetare industriale, por dikush nga ne që kishte punuar në projektim më zgjodhi si asistent pedagog pasi kisha punuar tre vite teknik ndërtimi në projektet. Gjatë kohës që isha student u aktivizova në Universitet duke përpunuar projekte të profesorëve dhe më mbajtën pedagog aty. Kur erdhën këto rastet e specializimeve sepse të rralla ishin specializimet që bëheshin në perëndim dhe ne atëhere kishim vetëm Kinën mike, ishim dy persona që shkuam në Kinë për specializim. Unë si inxhinier ndërtimi dhe një kolegu im i vizatimit teknik, Ibrahim Çezmja. Pastaj kisha edhe shokë të tjerë nga fakultetet e tjera dhe shkuam si delegacion i Akademisë së Shkencave.
Shteti kinez na ftoi në ceremoninë e 1 tetorit te Salla e madhe dhe e famshme, ku kemi dalë edhe në gazeta duke na u përmendur emrat. Pastaj na ndanë nëpër universitete të ndryshme ku mua më caktuan në Universitetin politeknik të Tsinghua të Pekinit.
Unë ndenja pothuajse një vit në Pekin plus dhe shëtitjet që më kanë bërë nëpër Kinë dhe mësova shumë për Kinën nga pikëpamje kulturore.
Robert Kote me mikun e tij Ibrahim Cezmja ne Murin e Madh Kinez
CMG: Përveç studimeve në Pekin ju përmendët edhe shëtitjet në Kinë. Çfarë kujtoni nga vizitat në vendet interesante të Pekinit?
Robert Kote: Në Pekin kujtoj godinën e Univesitetit dhe i kujtoj në fakt të gjitha detajet e vogla. Të them të drejtën ndoshta kam qenë shqiptari i parë që kinezët më futën që të njoh apartamentet që ndërtoheshin në ato vite në Pekin, duke u pritur në mënyrë madhështore në një lagje atje. Me vëmendje shikoja edhe për të studiuar, por që i krahasoja edhe me banesat tona.Më kanë bërë përshtypje të gjitha sepse unë kam vizituar edhe Pallatin e dimrit, Rezidencën e Mao Ce Dunit, Pallatin perandorak veror e kam shëtitur disa herë me biçikletë. Kam shumë historira nga ai parku bashkë me shokun tim kinez, që ishte dhe përkthyesi ynë, por më vjen keq që i shkëputa letërkëmbimet me të, sepse ishim si vëllezër. Përshtypjet e mia janë të ndryshme nga çdo pikëpamje teknike, jetësore, arkitektonike apo historike.
CMG: Keni qëndruar një vit në Kinë. Arritët ta mësonit gjuhën kineze gjatë studimeve në Pekin?
Robert Kote: Para se të shkoja në Kinë njihja dy gjuhë të huaja, italishten dhe frëngjishten të cilën sapo kisha filluar ta mësoja, kurse rusishten e dija shumë pak. Në aeroport më pritën tre persona, një djalë, një vajzë dhe një i moshuar dhe hipëm në një makinë me ta. Pra unë isha me dy përkthyes dhe ata ndenjën me mua një javë dhe pastaj kisha vetëm një përkthyes. Ne në fakt ndenjëm në një hotel, ku atëhere kishte ndenjur edhe ekipi ynë kombëtar i futbollit me të famshmin Loro Boriçi, të cilin e takuam atje. Qëndrimi në atë hotel ishte një javë përrallore. Falë përkthyesit tim kinez mësova pak kinezçe. Për mua çdo gjë ishte atraksion dhe shumë kuriozitet, duke bërë krahasimin edhe me vendin tim.
Robert Kote
CMG: Nëse do t’ju jepej mundësia të shkonit në Kinë ku do të shkonit më përpara?
Robert Kote: Gjëja e parë që do të bëja do të shkoja në Universitet. Natyrisht që ai do të ketë ndryshuar shumë. Universiteti ishte një qytet studentor ku jetonin pedagogët, ku në një dykatëshe afër mencës në atë kompleks kishte edhe një kat që vinin për specializim dhe atje banova unë. Kisha shumë miqësi edhe me të tjerë që banonin aty. Universiteti ishte afër Pallatit të Verës dhe unë me biçikletë shkoja shpesh aty. Te Muri i Madh Kinez kam qenë një herë me skokun tim Ibrahim Çezmja dhe natyrisht që më bëri përshtypje, sepse ishte afër Pekinit.
Natyrisht që kisha dëgjuar për Murin kinez, por më bënë përshtypje tullat ku çdo turist atëhere gjente ndonjë gozhdë dhe shkonte e gërvishte duke shkruar emrin e vet. Çuditërisht unë kam parë emrin e Petrit Muzakut i cili ka qenë një nga sportistët më të mirë shqiptarë i ekipit “Partizani”. Atëherë sportistët shkonin shpesh në Kinë dhe sa herë që shkonte ai shkruante emrin në disa vende. Unë e kam shkruar emrin tim në një Pagodë kineze me stilograf.
Në Pekin është shumë ftohtë por atë vit që isha unë nuk ra shi fare dhe qielli ishte i kaltër. Pra në të gjitha vendet ku kam ndenjur do kisha nostalgji t’i shikoja edhe pse kanë ndryshuar shumë nga atëherë.
CMG: Ndonjë kujtim tjetër që dëshironi të sillni në këtë bisedë?
Robert Kote: Në fund të kësaj bisede dua të sjell edhe një kujtim tjetër. Më kanë dhënë një pikturë kineze e cila ishte e një piktori të madh dhe unë e futa në një kornizë në Shqipëri dhe e mbaja në shtëpinë time. Kur më hoqën nga Tirana dhe më dërguan në Krujë, një njeriu im vjen nga jashtë shtetit dhe unë i them se çfarë mund t’i falja. Atij i shkoi syri te ajo pikturë dhe menjëherë tha ma jep. Unë kam dhe gjëra të tjera origjinale që i kam blerë në Kinë, por ajo pikturë ishte nga një piktor i famshëm kinez dhe ishte origjinale.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktor: Çang Çuo