Intervistë me dr.Eranda Allmetaj pedadoge dhe studjuese e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit

Dr. Eranda Allmetaj

Dr. Eranda Allmetaj


Eranda Allmetaj është pedagogia më e re e katedrës së gjuhës shqipe, pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Ajo ndodhet në Tiranë për shkak të pandemisë Covid 19 dhe zhvillon mësimin online për studentët kinezë, që me zell mësojnë gjuhën shqipe në kryeqytetin kinez.

CMG:Ju keni mbrojtur doktoraturën pranë katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të huaja të Pekinit, ku tashmë punoni si pedagoge dhe studjuese. Në këtë Universitet deri në vitet 80-të kanë studjuar gjuhën kineze të rinj shqiptarë, por edhe kinezët kanë studjuar gjuhën shqipe. Le të flasim për përvojën tuaj akademike.

Dr. Eranda Allmetaj:Pas studimeve të larta në Shqipëri, studimet e mia u drejtuan në Pekin, pikërisht në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU), ku dhe jam diplomuar në qershor të këtij viti. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe një përvojë tepër e vyer 4 vjeçare, sepse kaq ka zgjatur dhe studimi i doktoraturës krahas përvojës së mrekullueshme të njohjes me profesorë të ndryshëm, me studentët e gjuhës shqipe dhe me kërkimin shkencor atje. Sigurisht mund të them që ka patur dhe sakrifica të ndryshme, siç kërkimi shkencor mbart, por pavarësisht të gjitha këtyre u përmbyll me sukses dhe siç e theksova diplomimi në qershor të këtij viti ka qenë dhe një përmbyllje e ciklit studimor, ose kërkimeve shkencore 4 vjeçare. Më tej pas një periudhe studimore 4 vjeçare, kur u diplomova mu ofrua mundësia për të qenë pedagoge pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Kjo ishte vijimësi e çfarë bëja më parë, pasi gjatë mbrojtjes së doktoraturës kam qenë asistent-pedagoge dhe tashmë kam kaluar në pozicionin e pedagoges.

Dr. Eranda Allmetaj pas diplomimit

Dr. Eranda Allmetaj pas diplomimit

CMG: Ndalemi tek tema e doktoraturës tënde dhe studimeve tuaja.

Dr. Eranda Allmetaj: Sa i përket studimeve të doktoraturës i përkasin letërsisë krahasimtare dhe puna krahasimore ka konsistuar në letërsinë moderne të periudhës së të dy Luftrave në Shqipëri dhe Kinë. Duket paksa e çuditshme dhe shpesh herë më kanë pyetur se çfarë ka të përbashkët mes këtyre dy letërsive të dy vendeve kaq të largët gjeografikisht. Kjo ka qenë dhe hipoteza e këtij studimi si dhe kureshtja për ta nisur këtë punim dhe pas fakteve të mbledhura dhe kërkimit rezulton që kjo letërsi që njihet si letërsia moderne ka një ngjashmëri tepër të madhe të zhvillimit të saj ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës. Përkatësisht janë studiuar dy autorë përfaqësues të të dy letërsive që janë Lu Xun, përfaqësues i letërsisë kineze dhe Migjeni, i letërsisë shqiptare. Kur kam lexuar veprat e Lu Xun më është dukur sikur po lexoja veprat e Migjenit. Ndoshta kjo mjafton për të thënë se sa e ngjashme është kjo letërsi e kësaj periudhe.

CMG: Ndërkohë keni studiuar dhe gjuhën kineze?

Dr. Eranda Allmetaj: Kur nisa studimet e doktoraturës një nga gjëra e mira ishte se konsistonte në gjuhën shqipe, pra do të zhvillohej në shqip, për faktin se pranë Katedrës së gjuhës shqipe në Pekin tani është hapur dhe një nivel doktorature. Por gjithashtu profesoresha ime kineze insistoi që unë gjatë zhvillimit të doktoraturës të ndiqja një kurs për gjuhën kineze, jo sepse kjo kërkohej nga Fakulteti si një kriter por thjesht për të mësuar më shumë dhe duke jetuar në Kinë është e domosdoshme. Kam ndjekur një kurs, por kurrësesi nuk mund të them se e zotëroj gjuhën kineze.

Dr. Eranda Allmetaj me studentet e gjuhes shqipe ne Pekin

Dr. Eranda Allmetaj me studentet e gjuhes shqipe ne Pekin

CMG: Flasim për Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Njihet nga opinioni shqiptar veprimtaria prej vitesh e kësaj katedre, por dhe profesorë të saj njera prej tyre Ke Jing, e njohur me emrin Xhina, por dhe profesorë të tjerë. Ndonëse jeni një pedagoge e re e kësaj katedre, çfarë përvoje keni krijuar me studentët kinezë të gjuhës shqipe?

Dr. Eranda Allmetaj: Unë gjothmonë e konsideroj veten me shumë fat sa i përket anës profesionale dhe jo vetëm, por këtë e tregon dhe fakti që gjatë qëndrimit tim në Pekin ndoshta fati ka bërë të njihem me njerëzit e duhur. E kam fjalën për profesoren Ke Jing, si dhe profesoreshën Moza, që është drejtore e Katedrës së Gjuhës Shqipe, apo dy profesoreshat e tjera kineze që mësojnë gjuhën shqipe, Bora dhe Shqiponja. Jam me fat sepse profesionin e mësimdhënies e kam patur pasion që e vogël. Eshtë një mision që unë realisht e ndjej që duhet ta bëj dhe e bëj me shumë dëshirë. Fakti që më është dhënë mundësia për ta bërë në një vend të huaj dhe për më tepër në një nga universitetet më të njohura të Kinës, shtuar kësaj dhe faktin që po përcjell gjuhën dhe kulturën e vendit tim më bën të ndihem akoma më mirë dhe ta dua më shumë punën që bëj. Gjithashtu nuk mund të le pa përmendur dhe studentët kinezë, që mësojnë gjuhën shqipe. Nuk është vetëm puna ime ajo që më bën të dua më shumë atë që bëj, por është dhe sjellja e tyre dhe gjithçka që unë mar nga studentët e mi. Kjo më bën të shtoj akoma më shumë pasionin dhe dëshirën për të qenë pranë auditorit. Kur unë kthehem në Pekin ata më bëjnë të ndihem sikur po kthehem pranë familjes sime, sikur kam një familje tjetër atje.

CMG: Eshtë e pashmangshme të mos flasim për pandeminë, aq më tepër që Kina ishte vendi i parë që u godit nga koronavirusi. Ku ndodheshit ju në atë periudhë?

Dr. Eranda Allmetaj: Ndodhesha në Shqipëri sepse isha kthyer për pushimet dimërore, sepse gjithmonë përpiqem të gjej mundësi për të kaluar pak kohë pranë familjes sime. U njohëm me faktin se po ndodhte diçka e pazakontë, siç ishte përhapja e virusit dhe më tej situata u bë më serioze, kështu që nuk pata mundësi të rikthehesha në Pekin nga ajo periudhë. Nuk kam mundur të kthehem sepse kufijtë ishin të bllokuar dhe më pas kur ndodhi hapja e tyre ishin pushimet verore dhe tani që ka filluar sezoni i ri akademik po ndodh një proces i pazakontë nga herët e tjera dhe ne vijojmë me mësimdhënien online. Profesorët e huaj të Universitetit japin mësime online nga vendet përkatëse.

Dr.Eranda Allmetaj gjate leksionit

Dr.Eranda Allmetaj gjate leksionit

CMG: Ju, si dhe ne këtu në Shqipëri, por dhe qytetarët e vendeve të tjera e keni ndjekur situatën në Kinë. Punën si pedagoge si e keni zhvilluar gjatë kësaj periudhe ?

Dr. Eranda Allmetaj: Gjatë pushimeve verore kemi pasur një shkëputje nga auditoret, ndërsa në shtator vijuam me zhvillimin e sezonit të ri mësimor. Sigurisht është një situatë e pazakontë dhe askush nga ne nuk është gjendur më parë në një situatë të tillë, ndaj po përpiqemi të bëjmë maksimumin. Këtë nuk e them vetëm si pedagoge sepse puna ka vështirësitë e veta, por na shqetëson fakti se sa studentët janë mirë në këtë periudhë. Kjo jo vetëm nga ana mësimore, por të ndjehem mirë psikologjikisht dhe shpirtërisht sepse për ne kjo është shumë e rëndësishme.

CMG: Në komunikimet miqësore me studentët, si shprehen lidhur me situatën pandemike, sepse po shihet nga raportimet e medieve kineze dhe botërore sjellin një Kinë disi të çliruar nga ankthi i koronavirusit.

Dr.Eranda Allmetaj: Nga komunikimet që kam me pedagogë dhe miq të mi, por dhe me studentët e mi shprehen se gjithçka po shuhet dhe ka marë fund pandemia. Ndoshta është çeshtje ditësh që të shpallet fitorja e betejës ndaj këtij virusi, sa i përket Pekinit. Arsyeja pse unë jam këtu nuk është se Pekini është i pasigurtë, sepse në Pekin mendoj që mund të isha shumë më e sigurtë se sa këtu.

CMG: Pra Eranda mezi po pret që të kthehesh në Pekin për të vijuar punën tënde akademike dhe për të qëndruar me studentët dhe miqtë e tu.

Dr. Eranda Allmetaj: Po. Më mungojnë shumë.

Intervistoi Eda Merepeza

Redaktor:Çang Çuo