Intervistë me pedagogun e gjuhës kineze në Institutin Konfuci në Tiranë, Glendi Xhani
Glendi Xhani
Glendi Xhani është pedagog i gjuhës kineze pranë Institutit Konfuci prej dy vitesh, i përkushtuar për tu mësuar të rinjve gjuhën dhe kulturën kineze si diçka të veçantë, sepse Kina ka një gjuhë dhe kulturë të lashtë dhe interesi i brezit të ri është i madh. Glendi ka jetuar një periudhë të gjatë në Kinë dhe ka dëshirë të madhe që tja transmetojë gjuhën dhe kulturën kineze studentëve, duke ndarë me ta edhe eksperiencën e tij kineze. Për rubrikën “China Town ai na tregon rreth mësimit të gjuhës kineze nga studentët shqiptarë në Institutin Konfuci në Tiranë
CMG: Instituti Konfuci është themeluar në Tiranë më 18 nëntor 2013, pra dhe pak ditë ju do të festoni 7 vjetorin e hapjes?
Glendi Xhani: Kemi tashmë 7 vite që jemi pranë Universitetit të Tiranës dhe kemi parë që gjithë këto vite interesi për të mësuar gjuhën kineze sa vjen dhe rritet. Realisht është për tu habitur sepse sa vjen dhe shtohet numri i studentëvë edhe pse këtë vit kemi dy semestra të paktën që e zhvillojmë mësimin online dhe disi në fillim menduam se mund të ishte pak si më e vështirë. Realisht si vetë stafi akademik ashtu edhe studentët jemi plotësisht të kënaqur sepse po realizohet dhe po ndiqet leksioni me shumë vëmendje.
Stuente te kinezishtesh ne Universitetin e Durresit
CMG: Ka rënë numri i kërkesave të studentëve këto kohë që mësimi po zhvillohet online ?
Glendi Xhani: Ne në fillim mendonim se mund të ishte pak më i ulët, por për tu habitur numri vjen në rritje sepse vetëm ky semestër ka pasur diku te 300 studentë, që janë regjistruar dhe që frekuentojnë gjuhën kineze. Ne aktualisht mundësojmë gjashtë nivele dhe nivelin e parë dhe të dytë e trajtoj unë si pedagog që jap mësimin në shqip dhe anglisht, kurse nga niveli i tretë dhe sipër është nga stafi që ka ardhur posaçërisht nga Kina dhe jep mësim në gjuhën angleze dhe kineze.
CMG: Cilat janë moshat më të interesuara për të mësuar gjuhën kineze në Institutin Konfuci?
Glendi Xhani: Moshat më të interesuara me sa kam vënë re unë janë pasuniversitare, studentët që kërkojnë të vazhdojnë studimet për master dhe preferojnë që ti mundësohet një bursë apo ti ndjekin me shpenzimet e tyre vazhdimësinë e studimeve në Kinë. Kjo është mosha mesatare diku te 21 vjeç, pastaj ka edhe mosha të reja që fillojnë edhe nga 5 vjeç. Ne kemi gati një vit që kemi hapur një klasë për fëmijët, me një kurrikulë të veçantë pë ata. Kurse klasa ime mund të variojë nga mosha 10 vjeç deri në moshën 55-60 vjeç, pra nuk ka një limit moshe dhe ata që kanë interes për të mësuar vijnë e mësojnë.
CMG: Si janë të ndara kategoritë e studentëve të gjuhës kineze?
Glendi Xhani: Unë preferoj ti ndaj në tre kategori, kategoria e parë janë ata studentë që preferojnë ta mësojnë thjesht për hobi dhe kënaqësinë e tyre, kategoria e dytë është pikërisht kategoria e studentëve që duan të ndjekin ose të vazhdojnë studimet e tyrenë Kinë, kurse kategoria e tretë është e personave të interesuar për punësim, Aktualisht jemi në një kohë të vështirë pandemie por më përpara kishte jashtëzakonisht interes, sepse shqiptarët mund të punësoheshin në sektorin e turizmit sepse vinin shpesh grupe nga Kina dhe gjithashtu nëpër industritë. Unë vetë më përpara kam pasur një student që ja sugjerova një kompanie të ferrokromit, për të punuar si përkthyes
CMG: Kurset e gjuhës kineze janë pa pagesë?
Glendi Xhani: Ne kemi marrëveshje me Universitetin e Tiranës dhe e mundësojmë kursin falas vetëm për Universitetin e Tiranës. Ne kemi bashkëpunim jo vetëm me Universitetin e Tiranës por edhe me Universitete të tjera si Universiteti i Durrësit dhe Vlorës dhe shumë universitete të tjerë. Aktualisht në Universitetin e Tiranës ne e mundësojmë për çdo student të gjitha nivelet pa pagesë.
Glendi Xhani interviste per CMG
CMG: Ka pasur raste që studentët më të mirë të vizitojnë Kinën? Keni bashkëpunim me Universitetet në Pekin?
Glendi Xhani: Kjo është fryma që ne i japim studentëve sepse normalisht një student i ekselencës ka edhe kërkesa më të larta për veten dhe gjëja kryesore për ta është që ti vazhdojnë studimet jashtë vendit. Studentët ekselentë ne i shtyjmë vetë që të arrijnë maksimumin dhe i mundësojmë si ne edhe Ambasada kineze dhënien e bursave të ndryshme nga Universitetet elitë të Kinës.
CMG: Gjuha kineze mësohet edhe si gjuhë e dytë në Universitetin e Tiranës. Ka pasur kërkesa për gjuhën kineze për ta zgjedhur si gjuhë të dytë në fakultet?
Glendi Xhani: Unë vetë jam pedagog te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja sepse në këtë fakultet gjuha kineze është lëndë me zgjedhje. Vetëm në semestrin e kaluar ishin tre klasa me nga 30 studentë, pra 90 studentë që ndoqën gjuhën kineze. Absolutisht që ka interes, por shumica e studentëve preferojnë që ti ndjekin leksionet te Instituti Konfuci sepse nga një nivel kalojnë te niveli tjetër.
CMG: Të gjithë studentët që përfundojnë kursin e gjuhës kineze të Instituti Konfuci pajisen me certifikata?
Glendi Xhani: Absolutsiht po, në përfundim të semestrit të gjithë studentët pajisen me certifikatë, por kjo certifikatë jepet në momentin që kalon provimin, pra nuk jepet vetëm me pjesmarrje në leksion. Normalisht pas semestrit, që zakonisht zgjat tre muaj, studentët pajisen me certifikatë në rast se përmbushin pikët e provimit.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktor: Çang Çuo