Alboretn Rama interviste per CMG
Alborent Rama është ekspert në fushën e turizmit, i cili ka kontribuar për prezantimin e Shqipërisë turistike nëpër panairet në vende të ndryshme të botës. Në rubrikën “Kujtoj” ai na tregon rreth vizitës së tij në Kinë në vitin 2015, në organizimin e panairit ndërkombëtar të turizmit në Pekin si dhe përshtypjet për Kinën.
Alborent Rama: Është kënaqësi për mua që të ndaj në këtë rubrikë eksperiencën time të prezantimit të Shqipërisë turistike në një treg të madh sikurse ishte tregu kinez.
Alborent panairi Pekin
CMG: Ishte hera e parë që shkonit në një panair të madh, duke prezantuar Shqipërinë turistike në Pekin?
Alborent Rama: Prezantimi i Shqipërisë në vitin 2015 si destinacion turistik ka qenë me të vërtetë një ngjarje e rëndësishme e industrisë sonë turistike, sepse tregu kinez ka qenë dhe është një ndër tregjet më të rëndësishmë të turizmit. Në vitin 2014 Kina kishte më tepër se 100 milion turistë, që shëtisnin në të gjithë botën dhe për këtë arsye Shqipëria nuk mund të rrinte pasive ndaj një tregu i cili është në zhvillim e sipër. Me këtë rast në 2015 në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Pekin bashkë edhe me katër operatorë turistikë, ndër më të mirët në Shqipëri u bë i mundur prezantimi i Shqipërisë. Sigurisht kjo u realizua edhe në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Pekin, që të prezantohej Shqipëria si një destinacion tërheqës për turistët kinezë. Me të vërtetë ka qenë një befasi sepse bëhet fjalë për një treg i cili ka potencial që ta zhvillojë edhe më tepër turizmin në Shqipëri.
CMG: Kishte interes nga qytetarët kinezë për të vizituar Shqipërinë dhe ky panair ndikoi në rritjen e turistëve kinezë?
Alborent Rama: Kishte dy aspekte. Së pari, gjenerata e vjetër që e njihte Shqipërinë nga koha e sistemit komunist, një Shqipëri e cila kishte pasur lidhje të ngushta politike me Kinënë e asaj kohe dhe sigurisht kishin nostalgjinë e kohës. Ndërkohë gjenerata e re e cila e njihte Shqipërinë, si një vend i cili po zhvillohet si destinacion turistik, pjesë e paketës ballkanike. Distanca shumë e madhe bën që turistët kinezë të kenë dëshirë që përveç Shqipërisë të vizitojnë edhe shtete të tjera, ndaj në paketat e tyre përfshihet edhe pjesa ballkanike. Përveç vizitës në Shqipëri, që është më kryesorja ne tentuam të promovonim edhe vizitat në shtete të tjera, për ta njohur më tej edhe rajonin si pjesë turistike.
CMG: Çfarë ju ofruat ju kinezëve për të vizituar Shqipërinë turistike?
Alborent Rama: Konkurenca është me të vërtetë shumë e ashpër në tregun turistik, por e vërteta është që Shqipëria ka shumë për ti treguar turistëve kinezë, sidomos turizmin kulturor që ka edhe tërheqjen më të madhe përsa i takon dëshirës dhe kuriozitetit që ata kanë për të vizituar atraksione të ndryshme turistike. Konstatoj me kënaqësi që përpara se të ndodhte pandemia globale numri i turistëve kinezë ka ardhur duke u shtuar për shkak të atij guri themeli që ne vendosëm në vitin 2015, si një mundësi për të vijuar me komunikimin e biznesit të zhvillimit të kontaketeve që panairet e turizmit ta japin si mundësi. Nga viti në vit po shikoj me kënaqësi që grupe turistike nga Kina po shtohen edhe më tepër. Sigurisht që kjo situatë e pandemisë do kalojë dhe unë jam besimplotë që pas kthimit në normalitet, turistët kinezë përsëri do e gjejnë mundësinë që të vizitojnë Shqipërinë si dhe rajonin e Ballkanit.
CMG: Si ekspert në fushën e turizmit gjatë vizitës suaj në Kinë, çfarë përshtypjesh ke nga Pekini?
Alborent Rama: Përveç pjesës së punës gjatë zhvillimit të panairit, nuk mund të rrinim kurrësesi pa patur mundësinë që përveçse t’i tregonim turistëve kinezë të vizitonin Shqipërinë, por e vendosëm veten tonë në pozitën e një turisti. Sigurisht nuk mund të jesh në Pekin dhe mos të vizitosh Murin e Madh kinez. Kjo ka qenë për mua një befasi e jashtëzakonshme, pavarësisht asaj çfarë kemi lexuar dhe parë, por prezenca fizike atje të jepte një emocion tjetër dhe kam mbetur i mahnitur nga e gjithë eksperienca ime në Murin e Madh kinez, ku në mënyrë shumë të bukur ishte krijuar e gjithë struktura për t’i bërë turistët si puna ime dhe kolegët e mi, të ishin afër asaj mrekullie. Nuk kam fjalë për të përshkruar një emocion shumë të veçantë që e mbaj mend gjatë dhe si një ndër vizitat më të bukura që kam bërë ndonjëherë.
Alborent Rama ne Murin e madh kinez
CMG: Përveç Murit të Madh kinez keni ndonjë impresion tjetër nga vizita në Pekin?
Alborent Rama: Edhe pse kishim kohë të limituar sigurisht një vizitë në Qytetin e Ndaluar është e padiskutueshme, një tjetër mrekulli e Pekinit për të njohur më mirë historinë e Kinës. Gjithashtu vizita në sheshin Tiananmen, por pa harruar edhe kulinarinë e cila mbetet shumë e veçantë për ne si turistë shqiptarë. Herë pas here nuk arrijmë dot që të kemi të njëjtën shije, por megjithatë në të gjithë ditët e qëndrimit në Pekin kishim një eksperiencë me të vërtetë interesante edhe nga pikëpamja e kulinarisë, ku gatimet kineze na kanë befasuar të gjithëve.
CMG: Mbani kontakte me miq apo kolegë kinezë për të ndarë informacione në lidhje me turizmin?
Alborent Rama: Për momentin jo sepse e gjithë bota tashmë është ndaluar dhe pandemia na ka dhënë mundësi dhe kohë për të bërë reflektimet tona në raport me punën që kemi bërë, por megjithatë kontaktet në raportin e industrisë turistike do rikthehen përsëri në normalitet, pasi pandemia të kalojë.
CMG: Keni dëshirë të riktheheni në Kinë për të vizituar qytete të tjera?
Alborent Rama: Absolutisht që po. Rikthimi në një vizitë turistike në Kinë do ishte mëse i mirëpritur për faktin sepse qëndrimi im në Pekin ka qenë vetëm disaditor dhe kemi parë shumë pak nga gjithë ai vend i madh. Një vizitë e dytë do na jepte mundësinë të shikonim një Kinë, përtej Pekint. Sigurisht që është në listën time të udhëtimeve dhe kënaqësia për tu rikthyer përsëri në Kinë vazhdon të jetë po aq e madhe për të njohur një vend të madh.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktor: Çang Çuo