Henri tregon eksperiencën e tij në mësimin e gjuhës kineze
Që nga viti 2013, vit kur Instituti Konfuci u inagurua dhe deri më sot, vihet re një rritje e ndjeshme e të interesuarve që duan të mësojnë gjuhën kineze. Nga vetëm 15 studentë që përfunduan vitin e parë të studimeve në kinezisht më 2013-ën, vetëm një vit më vonë, u bënë 50 ata që i përfunduan ato. Numri i të interesuarve për këtë gjuhë arriti në 170 në vitin 2015. Në vitin akademik 2016-2017 numri i studentëve arriti në 500 të regjistruar për të mësuar gjuhën, ndërkohë që çdo vit numri i të interesuarve për të mësuar kinezisht është rritur ndjeshëm. Vlen të theksohet se qysh prej vitit 2015, Instituti Konfuci e ofron falas kursin e mësimit të gjuhës kineze për të gjitha kategoritë e të interesuarve.
Henri me shoqe kineze
Henri Banushi është një i ri vetëm 16 vjeç i cili studion në gjimnazin “Çajupi” në Tiranë, por që prej gati një viti po mëson gjuhën kineze në Institutin Konfuci. Ai tregon për CMG rreth experiences së tij në mësimin e gjuhës kineze dhe planet në të ardhmen.
Henri Banushi: Në fakt më pëlqen gjuha kineze dhe vendosa ta mësoj duke shikuar shumë seriale në gjuhën kineze dhe duke më pëlqyer si gjuhë mendova ta mësoja
CMG: Kur keni nisur të mësoni gjuhën kineze?
Henri Banushi: Një vit më parë vendosa të mësoj gjuhën kineze duke u regjistruar në Institutin Konfuci. Në këtë Institut pranë Universitetit zhvillohet kursi i gjuhës kineze.
CMG:Sa ke avancuar me mesimin e gjuhës kineze?
Henri Banushi: Mund të them se jam shumë mirë me gjuhën kineze. Duke e pasur edhe shumë pasion këtë gjuhë, kam arritur të mësoj shumë deri tani.
CMG :Ke arritur të shoqërosh turistë kinezë që vijnë në Tiranë?
Henri Banushi: Po kam pasur raste, por kam edhe shokë e shoqe kineze të cilët mësojnë gjuhën shqipe këtu në Shqipëri. Unë i kam shoqëruar ata gjatë kohës që kanë qëndruar këtu dhe që mësonin gjuhën shqipe. I kam shoqëruar nëpër Tiranë dhe në disa vende të ndryshme.
Henri Banushi me nje shok kinez
CMG :Kur nise ta mësosh këtë gjuhë të është dukur e lehtë apo e veshtirë?
Henri Banushi: Në fillim mu duk pak ndryshe nga gjuhët e tjera, nga shkrimi dhe hieroglifet që ka gjuha kineze. Deri tani nuk më duket shumë e vështirë, Është më e vështirë të shkruash, sepse janë mbi 50 mijë heroglife të cilat duhet ti fiksosh. Në komunikimin e përditshëm njerëzit përdorin rreth 3500 dhe ti duhet ti lexosh ato duke i memorizuar hieroglifet. Kjo është pak më e vështirë se në të folur. Në të folur është pjesa e toneve, sepse kinezishtja ka katër tone duke i dhënë kuptim fjalës dhe në qoftë se ti gabon tonet zanore, kuptimi i fjalës humbet.
CMG :Ke menduar që kur ta mësosh mirë gjuhën të shkosh në Kinë?
Henri Banushi: Më pëlqen shumë ta vizitoj Kinën dhe në të ardhmen shpresoj që mund të shkoj për studime në degën e marrëdhënieve me publikun.
CMG :Si e mendon të ardhmen, pasi ta kesh mësuar mirë gjuhën kineze?
Henri Banushi: Unë mendoj të punoj përkthyes ose edhe mund të shkoj të jetoj në Kinë, por akoma nuk kam një vendim për momentin. Mendoj që edhe mund të jetoj në Kinë.
Henri Banushi interviste per CMG
CMG :Pak më parë përmendët se keni shoqëri edhe me shokë kinezë. Mbani akoma kontakte me to?
Henri Banushi: Po mbajmë kontakte dhe flasim shpesh nëpër rrjetet sociale
CMG :Në kursin ku studioni gjuhën kineze sa studentë janë?
Henri Banushi: Jemi rreth 17 studentë në grupin ku unë studioj gjuhën kineze, po janë edhe grupe të tjera. Kohët e fundit numri i studentëve që kërkojnë të mësojnë gjuhën kineze është rritur ndjeshëm. Më përpara ka qenë një gjuhë që nuk e njihnin shumë dhe nuk kishin shumë dëshirë ta mësonin, por tani po shikoj që kanë një interes për të mësuar këtë gjuhë. Unë personalisht mendoj që universitetin ta vazhdoj për gjuhën kineze këtu në Tiranë dhe më pas mund të shkoj në Kinë.
Intervistoi Gazmend Agaj
Redaktor: Çang Çuo