Koreografi Arian Sukniqi pas nje shfaqjeje baleti
Arian Sukniqi është një nga emrat e njohur të koreografisë shqiptare. Këmbëngulja, studimi, shkëmbimi i eksperiencave, e bëjnë atë që të vlerësohet në shumë aktivitete ndërkombëtare duke e çuar koreografinë shqiptare në majat e konkurencës me vende të mëdha dhe me shumë trashëgimi në këtë fushë. Aktualisht ai mban pozicionin e drejtorit të kulturës dhe rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, duke qenë edhe ideator dhe organizator i shumë eventeve kulturore dhe artistike.
Turneu i trupës së tij të baletit në Kinë në vitin 2000 mahniti spektatorët kinezë duke bërë që baleti shqiptar të ndiqej nga miliona spektatorë në Kinë. Gjatë bisedës për rubrikën “Kujtoj” ai na tregon për udhëtimet e tij interesante në Kinë.
Arian Sukniqi dhe balerine
CMG: Cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Kinë dhe impresionet tuaja?
Arian Sukniqi: Ju falenderoj shumë sepse më sollët shumë kujtime. Ka qenë maj i vitit 2000 kur unë kam qenë drjetor i Akademisë së Baletit dhe së bashku me rreth 20 veta shkuam në Kinë për disa shfaqje baleti në shumë qytete të Kinës. Nga shumë aktivitete që unë kam bërë jashtë vendit, shfaqjet në Kinë më kanë lënë një mbresë të veçantë, pasi ishte një vend totalisht i panjohur për mua, një mënyrë tjetër se si ato reflektonin për hir të baletit artistik shqiptar, aq më shumë që në Kinë ruhen akoma kujtimet e atij vëllazërimi të shekullit të kaluar.
Sigurisht unë jam impresionuar shumë kur takonim njerëz në Kinë dhe që akoma i dinin personazhet e filmave shqiptarë, njihnin personazhet e operave dhe baletit dhe gjithashtu edhe instrumentistët shqiptarë. Natyrisht që njihnin edhe nga sporti dhe kishin një lloj relacioni pozitiv për Shqipërinë.
Ka qenë një turne shumë i bukur me përkujdesje nga shteti kinez dhe shumë i ngjeshur me aktivitete. Dua të kujtoj që në Pekin kemi dhënë shfaqje te salla e madhe e miqësisë së popujve ku ishin rreth 11 mijë veta dhe ku kishte edhe personalitete të qeverisë kineze. Shfaqja është pritur shumë mirë dhe më vonë kemi organizuar edhe shumë masterklase nëpër shkolla të ndryshme në Pekin, Shangai dhe disa qytete të tjera, ku dhamë eksperiencën tonë dhe ju bë një reklamë shumë e madhe shfaqjeve tona.
Koncerti i Pekinit nuk ishte përfundimtari por në atë kohë që ne e dhamë nëpër Kinë u shfaq direkt në televisionin shtetëror kinez dhe të nesërmen agjencia Xinhua shkruajti që rreth 260 milion njerëz kanë ndjekur shfaqjen e trupës së baletit nga Shqipëria. Sigurisht dhe kritika e kohës me profesionistë të cilët kishin studiuar në ish Bashkimin Sovjetik, Amerikë dhe Ukrainë dhe që ishin profesionistë të baletit shkruajtën me superlativa për nivelin e baletit tonë.
Vlen të përmend që në atë kohë në trupën e baletit kam pasur Ambeta Toromanin dhe shumë balerinë të tjerë, të cilët sot janë solista të parë nëpër Evropë apo edhe në SHBA. Ky ishte një nga turnetë më të bukura që unë kam realizuar në jetën time. Jam mahnitur nga mikpritja, nga përkujdesja që ata kishin dhe nga shumë mundësi që na dhanë që ne të vizitonim shumë objekte të cilat për çdo njeri në botë që i ka parë në televizor, ne kishim mundësi që ti preknim me dorë, siç janë Muri I madh Kinez.
Arian Sukniqi me balerinet
CMG:U përshtatët lehtë me ushqimin dhe jetën në Kinë?
Arian Sukniqi: Për shijen e ushqimit me të thënë të drejtën kishim disa persona që mezi u mësuan, sepse duhej kohë që të përshtatej me ato shije. Unë isha mësuar sepse kisha provuar ushqimin kinez në restorantet në Evropë të cilët janë pak të përshtatura me shijen e vendit ku ato zhvillojnë aktivitetitn e tyre, ndërsa në Kinë ishte ndryshe, por nga fundi sikur filluam të mësoheshim dhe kur u kthyem në Shqipëri kishim problem me ushqimin shqiptar. Njeriu mësohet sepse ato ishin ushqime të shëndetëshme.
Kina është një vend i bukur dhe një vend që punonte dhe gjallonte gjatë gjithë ditës me një ritëm të paparë. Ne kemi qëndruar në hotel Pekini dhe afër hotelit tonë po ndërtohej një grataçelë dhe shoqëruesi na thoshte se nëse ju vini vitin tjetër kjo do të jetë e mbaruar dhe pse jo mund të flini edhe në këtë hotel, që po ndërtohet këtu.
CMG: Pas vizitës së parë me trupën e baletit ju u rikthyet sërish në Kinë mbas disa viteve. Vizituat vende që nuk i kishit parë gjatë vizitës së parë?
Arian Sukniqi: Gjatë vizitës së dytë isha i ftuar nga një shkollë baleti kineze për një masterklas, diku në të dalë të Pekinit dhe i ftuar edhe si antëtar i një komisioni të diplomimit të studentëve. Në vizitën e dytë kam qëndruar më pak ditë dhe ishte pak më i lodhshëm si aktivitet, pasi gjatë gjithë kohës duhet të ishe në komision duke kaluar 2500 balerinë dhe kështu që koha ishte e limituar për të lëvizur.
Gjatë darkave sigurisht që mundoheshin të na nderonin sepse ne fillonim në orën 8.00 dhe mbaronim në orën 6 mbasdite. Megjithatë ishte shumë bukur edhe herën e dytë sepse shkova në vende që nuk kisha qenë herën e parë, por mu dukte sikur kisha qenë shumë herë në Kinë, sepse isha mësuar me stilin kinez. Pra e kisha më të lehtë herën e dytë dhe isha më i lirshëm.
Koreografi Arian Sukniqi interviste CMG
CMG: Keni ndonjë kujtim të veçantë që të ka mbetur në mendje nga të dyja udhëtimet në Kinë?
Arian Sukniqi: Dy kutime kam më të veçantat, e para siç e thashë edhe më sipër një aktivitet me rreth 11 mijë njerëz të cilët duartrokisnin pafund me një mënyrë shumë të sinqertë, duke na nderuar edhe për nivelin që kishte trupa jonë e baletit, ku më mbrapa ne morëm shumë impresione. Kujtimi i dytë është diçka që nuk ndodh dhe nuk mund ta shohësh. Gjatë kohës kur ngjitesh me teleferik në murin kinez dhe që zgjat gati 30 minuta për tu ngjitur në portën kryesore, aty te nisja ishte një restorant në të cilin në çdo moment futeshin qindra vetë që hanin dhe në një kohë rekord kur futej grupi tjetër pastrohej çdo gjë, në një mënyrë të jashtëzakonshme. Në momentin që mbaronim ne ishin prapë qindra të tjerë që futeshin dhe nuk e kuptoja dot si i rregullonin ato tavolina, apo ajo pastërti që të dukej sikur bëhej vetë nga perëndia, sepse nuk e kuptoje dot atë organizim dhe që kjo ndodhte gjatë gjithë ditës. Imagjinoni sa mijëra vetë futeshin në atë restorant ku për mua ishte një çudi e madhe.
CMG: Faleminderi Z.Sukniqi për këtë bisedë të këndshme duke të uruar suksese në punë tuaj në Bashkinë e Tiranës dhe aktivitetet tuaja në vazhdim .
Arian Sukniqi: Ju falenderoj shumë sepse më sollët disa kujtime shumë të bukura të jetës time.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Redaktor: Çang Çuo