Pandemia nuk i ka frenuar turistët kinezë që të vizitojnë Shqipërinë. Edhe pse krahasuar me vitet e mëparëshme ku numri i turistëve kinezë që vizitonin Shqipërinë ishte më i madh, këtë vit shumë prej tyre të cilët kishin planifikuar udhëtimet në “vendin e shqiponjave” i kanë anulluar ato. E megjithatë tek-tuk shikon nëpër Tiranë turistë kinezë, të cilët kanë gjetur mundësinë në këto kohë të vështira të pandemisë ta vizitojnë Shqipërinë. Disa prej tyre përveç ushqimit tradicional kinez, të cilin mund ta gjejnë në restorantet kinezë që janë hapur në Tiranë, pëlqejnë edhe ushqimi tradicional shqiptar.
Atraksionet më të mëdha turistike në Shqipëri për tu vizituar nga turistët kinezë janë Bunk’art, i ndjekur nga muzeu i komunizmit në Shqipëri, kjo për shkak edhe të lidhjeve historike mes dy vendeve tona. Prioritet zë edhe turizmi kulturor me Krujën dhe Gjirokastrën, por edhe natyra e bukur shqiptare. Kruja pëlqehet për historinë heroike të saj dhe të heroit tonë kombëtar, ndërsa Gjirokastra, sepse aty është luajtur filmi “Ngadhnjim mbi Vdekjen”, që kinezët e pëlqejnë dhe gjejnë pika të përbashkëta mes dy popujve.
Gjithashtu, Vlora, Tirana dhe Saranda janë disa nga vendet që turistët kinezë preferojnë të vizitojnë. Së pari, sepse Vlora ka det, diell dhe plazh. Për kinezët peizazhet e bukura natyrore të Mesdheut janë më tërheqëset. Një arsye e rëndësishme është edhe binjakëzimi i Vlorës me qytetin Yangzhou të Kinës. Në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, shumë specialistë kinezë shkuan në Vlorë për të ndihmuar zhvillimin dhe ndërtimin e këtij qyteti. Gjithashtu dega e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Kinë në Vlorë është ndër më të hershmet dhe më të mëdhatë. Turistt kinezë kanë vizituar edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë, Lagunën e Nartës, duke mësuar edhe për polifoninë dhe historinë e Vlorës.
Tirana është gjithashtu një tjetër qytet i pëlqyer nga kinezët. Si kryeqyteti i vendit, Tirana është qyteti më i zhvilluar i Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, çmimet nuk janë të larta. Shqipëria është një nga 15 vendet me nivelin më të ulët të çmimeve në botë.
Shu është njëri prej turistëve kinezë, i cili ka ardhur nga Kina për të vizituar Shqipërinë dhe do të qëndrojë një muaj për të vizituar disa nga qytetet e saj.
Turisti kinez Shu tregon për mikrofonin e CMG-së rreth kësaj vizite.
Shu: Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë dhe e pëlqej shumë Tiranën, sepse është një qytet i mirë dhe njërëzit këtu janë shumë miqësorë. Gjithashtu edhe çmimet janë shumë të mira. Kam gati dy javë që po qëndroj kryesisht në Tiranë, sepse do të ndjek edhe disa kurse online dhe nuk kam shumë kohë për të udhëtuar.
Ai shprehet se përveç ushqimit kinez i pëlqejnë edhe llojet e tjera të ushqimeve
Shu:Për mua çdo lloj ushqimi është i preferuar, jo vetëm ushqimi tradicional kinez por edhe lloje të tjera ushqimesh kam dëshirë t’i provoj. Do të vizitoj edhe disa restorante me gatime tradicionale shqiptare.
Edhe pse është hera e parë që viziton Shqipërinë ai shprehet se ka dëgjur më përpara për historinë e saj.
Shu:Unë kam dëgjuar shumë për Shqipërinë, sepse jam mësues historie. Unë di shumë për historinë e Shqipërisë dhe prandaj jam shumë i interesuar për këtë vend. Mbasi të kthehem në Kinë do ju sugjeroj miqve të mi kinezë që të vizitojnë Shqipërinë, sepse është hyrje pa viza për qytetarët kinezë.
Përveç Tiranës ai dëshiron të vizitojë edhe qytete të tjera
Shu:Unë do të qëndroj këtu për gati një muaj dhe dëshiroj të vizitoj edhe qytete të tjera të Shqipërisë si Durrësin, Sarandën, Shkodrën dhe ndonjë qytet tjetër.
Gati 200 mijë kinezë kishin kërkuar të vizitonin Shqipërinë gjatë pranverës së këtij viti, por që për arsye të pandemisë udhëtimet e tyre nuk u bënë të munduara. Ka pasur një ndikim pozitiv heqja e vizave nga Shqipëria për kinezët, pasi numri i turistëve është rritur. Kinezët vijnë nga vendi me ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe konsiderohen si burimi më i madh i turistëve të huaj. Megjithëse ende me shifra modeste duke pasur parasysh potencialin e madh dhe lidhjet tradicionale Shqipëri-Kinë, numri i turistëve kinezë në Shqipëri është rritur vitet e fundit.
Gazmend Agaj