Iris Elezi ne Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit
Intervistë me drejtoren e AQSHF-së, Iris Elezi
Ai që sot quhet Arkivi i Filmit ka qenë thjesht një depo, trashëguar nga lufta dhe e vendosur pranë kullës së Sahatit në Tiranë. Funksionet e tij ishin ato të një Kinemateke. Pas çlirimit kjo kinematekë pësoi ndryshime të mëdha, ndër të cilat anëtarësimi në Federatën Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF) me qendër në Paris në vitin 1963, gjatë periudhës 1947-1996 Arkivi funksionoi si një nga degët e Kinostudios “Shqipëria e re”. Në vitin 1997 Arkivi Qendror i Filmit hyri në radhën e Institucioneve të tjera kulturore me përgjegjësinë që krahas librit, pikturës, muzikës e folklorit, shoqëria shqipare të ruajë dhe të mbrojë edhe veprat e artit të shtatë, si të konstitucionit të saj shpirtëror historik ashtu edhe të huaj. Mijëvjeçari i ri solli për Arkivin sfida të reja si hedhja e informacionit arkival në sistemin databazë në vitin 2001 e deri në miratimin e statutit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, në vitin 2006.
Mes përpjekjesh të shumta për ngritjen e standardeve të tij, sot AQSHF zhvillon një veprimtari të ngjeshur promovimi të kinematografisë shqiptare ndër vite, por përballon dhe sfidën e digjitalizmit dhe të ruajtjes së materialeve filmike, sipas standardeve bashkëkohore.
Në një bisedë me drejtoren e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, e ftuar në studion e Radio Ejani në Tiranë, mësojmë rreth këtyre sfidave, bashkëpunimeve dhe arritjeve.
CMG: Çfarë ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit? Si ecën procesi i digjitalizimit dhe inventarizimit të materialeve filmikë?
Iris Elezi: Diku, vetëm 20 minuta larg nga qendra e Tiranës brenda një ndërtese ruhet e gjithë trashëgimia filmike shqiptare dhe jemi duke folur jo vetëm për fondin filmik në 35 milimetërsh, por çdo material tjetër që shoqëron këtë trashëgimi. Specifikisht posteri shqiptar, i cili meriton vëmendje të veçantë, skicat e kostumografisë, skenaret e realizuara dhe të parealizuara dhe sigurisht një fond të mrekullueshëm të përbërë nga kronika, dokumentarë, filma artistikë. E kam fjalën për prodhime shqiptare të Kinostudios “Shqipëria e re” dhe shumë filma të huaj që për një arësye ose tjetër kanë mbetur në Arkivin tone dhe ndonjëherë kur Federata Ndërkombëtare e Arkivave na kërkon imazhe, mund të ndodhë që ne i kemi.
CMG: Mund të themi që ish Kinostudio “Shqipëria e re” tashmë strehohet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit?
Iris Elezi: Në një fare kuptimi po, sepse shumë gjëra si përshembull rekuizita, mobileria kanë mbetur në “Albafilm”, e cila ishte trashëguesja reale, kur Kinostudio u shpërbë. Ndërsa në aspektin e trashëgimisë filmike ne kemi ende elemente negativë bazë të filmit shqiptar.
Sa i përket pyetjes suaj, se sa kemi ecur ne me digjitalizimin apo inventarizimin, më duhet të ndaj me publikun që punonjësit e Kinostudios kanë bërë punë shumë të mirë për të ruajtur, kartelizuar dhe skeduar trashëgiminë tone filmike.
Në aspektin e digjitalizimit ne jemi ende shumë mbrapa. Mund t’ju them me keqardhje që jemi ndoshta i vetmi Arkiv në rajonin e Ballkanit dhe ndër të paktët në botë që ende nuk e kemi laboratorin e restaurimit edhe pse Ligji për Trashëgiminë, i vitit 2018 kërkon që ta kemi atë. Po ashtu nuk kemi film-skanerin, pajisjen e nevojshme që të marrë elementin analog dhe ta përcjellë atë në digjital, sipas standardeve bashkëkohore.
Kjo nuk do të thotë që ne kemi pritur deri sa politikbërësit apo vëmendja të vijë tek ne, por kemi filluar që nga viti 2012 bashkëpunimin me disa nga institucionet kryesore në botë, si përshembull filmi “Tomka dhe shokët e tij” u restaurua falë bashkëpunimit me Bibliotekën e Kongresit Amerikan. Ndërsa të marten e kaluar, pas 7 vjetësh punë më në fund filmi shqiptar “Tomka dhe shokët e tij” mbërriti kulmin që mund të arrijë një film i restauruar, sepse u pa nga 40 milion shikues në platformën prestigjioze “Turner Classic Movies”. Përveç shfaqjes së filmit shqiptar ata zgjodhën regjizoren e tij, Xhanfize Keko, si regjizoren e javës.
Ambasadori i R.P të Kinës Zhou Ding në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit
CMG: Para disa ditësh në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit u përurua kompresori i dytë i sistemit ftohës. Ky është një instrument për të cilin ju jeni shprehur se shpëton rreth 44 mijë bobina filmike nga temperatura. Kjo u mundësua falë një dhurimi nga Kina, që u bë personalisht nga ambasadori kinez në Tiranë, Zhou Ding në mjediset e Arkivit, në prani të ministres së Kulturës, Elva Margariti, tuajën dhe të ftuarve të tjerë. Flasim për këtë dhurim.
Iris Elezi: Ka dy kushte që favorizojnë ose dëmtojnë jetëgjatësinë e shiritit filmik 35 milimetërsh.
CMG: Po flasim për bobinat?
Iris Elezi: Po, po flasim për trashëgiminë filmike shqiptare, që ruhet fatkeqësisht ende në bobina alumini, që një ditë duhet të ndryshohen në ato plastike që lejojnë ajrosjen e tyre. Ne nuk kemi mbërritur te bobinat ende, por kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin se që nga nëntori i vitit të kaluar falë ndihmës së Ambasadës kineze në Tiranë, ne tani kemi thithësit e lagështirës. Pra për herë të parë ne kemi arritur të maturojmë nivelet e duhura, sipas standardeve të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF), që janë standardet arkivale të lagështirës.
Kështu që ishte e mrekullueshme edhe pse ndodhi në kohën e tërmetit dhe ne nuk mundëm të bënim falenderimet e duhura. Por që nga nëntori për here të pare në gjithë këto vite jetë të Arkivit më në fund niveli i lagështirës, edhe pse ende kemi nevojë për drenazhim, është atje ku duhet, falë 6 thithësve të lagështirës që bleu Ambasada kineze për Arkivin.
Si të mos mjaftonte kjo marrëdhënie korrekte me ta, ne trokitëm sërish në dyert e tyre dhe u thamë “Ju na ndihmuat për një nga problemet kryesore, por kemi dhe problemin e kompresorëve” Duhet të kuptoni që me kohë jo vetëm ka ndryshuar teknologjia, por pajisjet amortizohen. Fatkeqësisht kompresori ynë i dytë në 2004 u prish dhe patëm shumë vështirësi për ta riparuar, madje kemi kaluar mbi 16 ekipe të ndryshëm inxhinierësh që ta shikonin dhe më në fund një ekip e mori si sfidë riparimin e tij. Sapo gjetëm ekipin e duhur ne lajmëruam Ministrinë e Kulturës dhe Ambasadën e Kinës, nënshkruam kontratën dhe momentalisht jam vërtet e lumtur se po arrijmë të vendosim në punë kompresorin e dytë.
Materialet filmike në bobina në AQSHF
CMG: Në ceremoninë e përurimit u shfaq dhe filmi dokumentar “Krah për krah” me regji të Endri Kekos. A ka një fond të veçantë në Arkiv për filmat kushtuar marëdhënieve shqiptaro-kineze?
Iris Elezi: Kjo është një pyetje shumë e vlefshme dhe ndoshta është arsyeja pse turistë kinezë na gjejnë nëpërmjet GPS-it dhe vijnë tek ne. Është e vërtetë. Miqësia shqiptaro-kineze manifestohet shumë mire në Arkivin tone, Mund t’ju them që ne bëmë dy gjëra speciale në këto ditë, që vendosëm ti themi “Faleminderit!” mbështetjes së Ambasadës kineze. Së pari, zgodhëm të fokusohemi në këtë bashkëprodhim të regjizorit të mirënjohur të dokumentarit, Endri Keko dhe njerit prej regjizorëve më të vlerësuar të dokumentarit në Kinë. Kemi të bëjmë me një vit të marëdhënieve shqiptaro-kineze, pikërisht viti 1964 dhe është i vetmi film me ngjyra për këtë miqësi të thelluar të dy shteteve tona.
Kam dhe një lajm të bukur, që në vitin 2016 filmi dokumentar “Krah për krah” u shfaq në “The Centre Pompidou”, në vendin kryesor të kinemasë dhe artit në zemër të Parisit.
Isha shumë e lumtur që ne vendosëm një segment nga ky film prej 26 minutash dhe patëm mundësinë ta ndajmë me miqtë tanë në vitin 2020, brenda Arkivit.
Për të respektuar që ne jemi qenie njerëzore dhe çfarë bëjmë dhe nuk bëjmë do të mbetet gjithmonë nëpër arkiva, ne zgjodhëm të bëjmë një montazh të shkurtër prej 6 minutash, që pak a shumë shikonte 20 vjet materiale arkivale mbi miqësinë shqiptaro-kineze. Në ato 6 minuta u fokusuam në fytyrat e individëve dhe shkuam përtej politikës, përtej propagandës, shkuam te njerëzit që besuan në kohën që jetuan.
Ne kemi një arkiv vërtet të rëndësishëm për marrëdhëniet shqiptaro-kineze.
Në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit
CMG: Ndoshta do të jetë rasti, le të shpresojmë pas betejës me pandeminë, për veprimtari apo shkëmbime të eksperiencave, duke patur parasysh dhe nivelin e lartë që industria e filmit ka në Kinë. Pandemia ka vënë në vështirësi jo vetëm jetën e individit, kudo në botë, por dhe të institucioneve. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit si po e kryen veprimtarinë e tij në kushte pandemie?
Iris Elezi: Është pikërisht kjo arësyeja pse ne ditëm të trokasim tek Ambasada kineze. Në vitin 2019 isha e ftuar në Kongresin e Federatës Ndërkombëtare të Arkivave, ku pata mundësinë të mbaj një fjalim dhe pastaj mu kërkua të isha pjesë e aplikimit për Komitetin Ekzekutiv. Nga 465 arkivistë dhe drejtues institucionesh unë u zgjodha në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave. Pas asaj vëmendjeje që mora në këtë platformë të rëndësishme, një nga takimet kryesore ishte ai me drejtoren e Arkivit të Filmit të Kinës. Është kjo arësyeja pse u ndërtua kjo marrëdhënie me Ambasadën Kineze.
Përpara pandemisë ne donim të bënim një festival filmi, shkëmbim të filmit shqiptar të restauruar që do të shkonte në Kinë dhe anasjelltas. Kjo nuk u realizua për shkak të pandemisë, por ne e dinim që fondi ekzistonte dhe e shfrytëzuam falë dashamirësisë së Ambasadës së Kinës, që fondi që do të përdorej për këtë aktivitet të vendosej për infrastrukturën e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Arkivat nuk pushojnë asnjëherë së punuari. Ne në janar vizituam Arkivin e Vjenës, në shkurt atë të Gjermanisë, në mars në Zyrih dhe në prill duhet të ishim në Paris, por nuk u realizua për shkak të pandemisë. Ndërsa të enjten e kaluar filmi i animuar shqiptar u shfaq në zemër të Parisit në “ Forum des images”.
Të gjitha këto nuk arrihet dot nëse nuk punon. Puna e Arkivit tonë nuk ka pushuar asnjëherë.
Eda Merepeza
Redaktor: Çang Çuo/Fani