Pagoda, një objekt origjinal që sjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri ndodhet në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, duke shërbyer si vend relaksi dhe bisedash mes miqve ku mund të kalojnë orët e paradites, apo pasdites në ajrin e pastër që të ofron ky park.
Ndërtimi i këtyre objekteve është bërë i mundur në sajë të bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së Kinës në Tiranë. Materialet për këto objekte janë sjellë enkas nga Kina dhe janë montuar në bashkëpunim me specialistët kinezë.
Pagodat kineze janë një pjesë e arkitekturës tradicionale kineze. Përveç përdorimit fetar, që nga kohët e lashta pagodat kanë qenë vlerësuar për pamjet spektakolare që ofrojnë dhe shumë poema të famshme në historinë e Kinës përmendin gëzimin e ngjitjes nëpër shkallët e pagodave.
Pagoda është një kullë me strehë të mbivendosura e të shumëfishta, ndërtuar në traditat me orgjinë nga Azia e jugut dhe të zhvilluara më tej në Azinë lindore ose në përputhje me traditat e rajonit. Ato gjenden në Nepal, Indi, Kinë, Japoni, Kore, Vietnam, Burma, Sri Lanka dhe vende të tjera të Azisë.
Parku i Liqenit Artificial të Tiranës ndodhet midis malit dhe ujit, me pamje të bukur dhe mjedis të këndshëm duke u bërë një zonë e rëndësishme për vizita dhe argëtim nga qytetarët e turistët. Pavilioni ‘Shanshui’ i dhuruar nga pala kineze ka edhe bukurinë edhe prakticitetin, duke i shtuar parkut elementin kinez.
Çdo ditë qytetarët e Tiranës të moshave të ndryshme të cilët vizitojnë parkun e liqenit ulen te ky pavilion dhe shumë të rinj bëjnë foto dhe i postojnë në rrjetet sociale. Çdo paradite apo pasdite çifte apo edhe familjarë ulen dhe bisedojnë me njëri tjetrin duke u relaksuar në këtë pavilion, i cili për çdokënd sjell një copëz Kinë në Shqipëri.
Ermali me profesion gazetar, por njëkohësisht edhe krijues kalon një pjesë të kohës së tij të lirë te Parku i madh i liqenit. Kryesisht fundjavave ai shpesh ulet te pagoda kineze për t’u relaksuar, por shpeshherë ky objekt është edhe një ambient frymëzimi për krijuesit.
“Parku i liqenit është një vend që të relakson dhe të bën që të reflektosh ose të meditosh, por sigurisht edhe për ta shfrytëzuar këtë pjesën e qetësisë nga ana e krijimeve artistike apo shkrimeve të ndryshme, qofshin ato mediatike apo dhe nga ana e krijimeve të cilat janë poetike apo dhe artistike, sepse kto janë ato që na tërheqin më tepër”, thotë Ermali.
Ai shprehet se Pagoda kineze e vendosur te ky park është gjëja më e veçantë që ka Liqeni artificial
“Ndoshta më duket e çuditëshme, por në fakt gjëja më e veçantë që ka liqeni është pikërisht ky objekt. Ndoshta në fillim kur ajo u vendos ishte diçka që mua më impresionoi më tepër për ta vizituar më shpesh Liqenin artificial, sepse është një objekt i cili mua më jep shumë qetësi shpirtërore dhe më frymëzon padyshim shumë për të krijuar poezi dhe prozë. E vizitoj padyshim shpesh herë vetëm dhe ndonjëherë i shoqëruar. Nga shumë vende që ka Tirana për t’u frymëzuar apo për tu qetësuar, kjo është ndër të preferuarat e mia, ndaj unë vij shpesh dhe gjej veten. Mua më ndodh shpesh kur jam në këtë zonë dhe te ky objekt kam realizuar disa krijime, sepse më jep qetësi shpirtërore dhe frymëzon dhe disa nga krijimet e mia kohët e fundit janë krijuar pikërisht aty” na tregon Ermali.
Ai mendon se duhet të ndërtohen më shumë pagoda kineze te ky park, sepse tradita dhe kultura kineze është e veçantë
“Do të ishte akoma më bukur, se në rast se do të kishte edhe një tjetër apo disa të tjera të cilët do të na bënin të mendonim se jemi në Kinë apo në një qytet të saj, pasi vetë nga forma e saj duket sikur ti je në një kulturë tjetër, siç është ajo kineze, e cila sigurisht është për t’u admiruar” flet Ermali.
Duke qenë rrëzë malit (në kinezisht shan) dhe buzë liqenit (në kinezisht shui), ky pavilion është quajtur Pavilioni Shanshui dhe në mënyrë simbolike përfaqëson vendin e shqiponjave dhe qytetin e ujit, Zhenjiang. Ky pavilion shpreh elegancën arkitekturale të kopshteve klasike të jugut të Kinës dhe bukurinë magjepse të pikturave të peizazhit në Kinë. Njëkohësisht ky pavilion përshtatet me një shprehje të vjetër kineze “Malet dhe detet nuk mund të distancojnë njerëzit me aspirata të përbashkëta”, duke nënkuptuar se miqësia kino-shqiptare ka kapërcyer male dhe dete, është sprovuar në histori dhe mund të bëhet më e bukur.
Gazmend Agaj
redaktor: Çang Çuo