Bexhet Pulleja, ish student për pikturë në Akademinë e Arteve të Pekinit në vitet 1961 - 1963, rrëfen kujtimet e tij nga Kina në ato vite. Ai është autor dhe bashkautor i mbi 250 ekspozitave tregtare, që kanë përfaqësuar Shqipërinë nëpër shumë vende të botës. Sot është pensionist, por shumë i angazhuar në krijimtarinë artistike. Në fondin e krijimtarisë së tij ka vepra të punuara në periudhën e studimeve në Republikën Popullore të Kinës,ndër të cilat peisazhe e portrete.
CMG: Si nisi historia juaj kineze?
Bezhet Pulleja:Unë kam shkuar në Kinë në vitin 1961 për studime dhe ishim grupi i parë i studentëve që shkonim në Republikën Popullore të Kinës, mbas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Unë shkova për restaurim pikture fillimisht, por meqenëse atje nuk kishte degë të veçantë më futën direkt në studion e pikturës, ku vazhdova studimet me shumë përkushtim. Në fillim kisha vërtetë vështirësi, por kisha sigurisht edhe impenjimin e madh që të arrija të mësoja diçka për pikturën. Kjo më detyroi që të angazhohem shumë dhe të njihesha me studentët e rinj kinezë, sepse atje vinin studentët më të mirë nga e gjithë Kina. Ishte Akademia Qëndrore e Arteve të Bukura të Pekinit dhe për mua ishin tre vite të arta, sepse atje u hodhën bazat e para të mësimit të pikturës nga ana ime.
Ndjehem vërtetë me fat që kam studiuar në atë Akademi arti ku pedagogët ishin shumë të përgatitur dhe shkolla ishte mjaft e mirë. Akademia ndodhej në qendër të Pekinit, në një nga rrugët më të famshme të tij. Akademia ishte e kompletuar me biblotekë ku mund të studioje literaturë të artit, pikturës, arkitekturës dhe grafikës. Përveç kësaj kishte edhe një galeri shumë të pasur me punime nga studentët kinezë, që kishin studiuar jashtë vendit.
CMG: Në këto tre vite që keni studiuar në Kinë, ruani ndonjë kujtim të veçantë ?
Bexhet Pulleja: Kujtimi im i pashlyeshëm është takimi me piktorin e madh Pan Tien Shu, me të cilin kam dhe një fotografi që e ruaj si thesar. A konsiderohej si piktori i dytë më i madh në historinë e pikturës kineze. Duke qenë student i Akademisë së arteve kisha privilegjin që të shëtisja vendet më të bukura që kishte Pekini dhe Kina, në përgjithësi. Kështu që mund të them me bindje se sa kam parë Kinën, por se kam parë dhe vendin tonë këtu. Kam vizituar Shangain, Shenzhenin, Hangzhoun, Suzhoun, pra qytetet më të bukura të Kinës, i kam parë. Unë nuk kam shumë kujtime të fiksuara në ditar, sepse gabimi më i madh është që nuk mbaj ditar.
CMG: Kanë kaluar shumë vite nga studimet tuaja në Pekin. Kur shihni fotografitë e atyre viteve çfarë ndjeni?
Bexhet Pulleja: Me të thënë të drejtën jam shumë nostalgjik për periudhën që kam kaluar në Kinë, në vitet e studimit. Kur i shoh fotot më ngjallin kujtime të pashlyeshme. Nga ajo kohë mu dha rasti dhe fati i madh që vajza ime Brikena me bashkëshortin Daniele Visentini, më bënë një dhuratë të pashlyeshme, duke më krijuar mundësinë që bashkë me ata të vizitojmë Pekinin, pas 55 vitesh. Habia ime ishte e jashtëzakonshme sepse nuk e njoha Pekinin, sepse kishte ndryshuar rrënjësisht. Mund të them që edhe njerëzit dhe veshja kishte ndryshuar komplet. Kjo tregonte një ndryshim ekonomik, që ishte arritur në sajë të qeverisjes mjaft të mirë.
CMG: Shkuat te Akademia e Arteve ku kishit studiuar, për ta parë mbas kaq vitesh?
Bexhet Pulleja: Pekini kishte ndryshuar shumë dhe kërkova të shikoja Akademinë e vjetër të arteve, ku mezi gjetëm rrugën sepse gjithë ajo rrugë ishte transformuar me godina mjaft të bukura, ku karakteristikë ishte se ndërtimet e reja ishin gëshetuar me ndërtimet tradicionale, elementë të arkitekturës kombëtare tradicionale kineze. Më në fund arritëm ta gjejmë akademinë e vjetër, mirëpo u habita kur pashë se atje ishte vetëm muri i hyrjes dhe një pllakë përkujtimore. Pyetëm disa njërëz të cilët ishin te godina e vjetër dhe më thanë se ka kohë që akademia e artit ka shkuar shumë larg. Vajza më tha se do ta gjejmë akademinë e re. Mbasi kishim parë shumë kuriozitete të Pekinit si Tempulli i Qiellit , Murin e Madh kinez shkuam dhe pamë akademinë e re të arteve, një godinë jashtëzakonisht e bukur dhe funksionale. Aty mu dha rasti të takoj edhe zv.Rektorin e Akademisë së Arteve dhe vizituam mjediset e brendshme të Akademisë. Përshtypja më e madhe ishte kur pashë një oborr të mbushur me skulptura të ish rektorëve të Akademisë së artit, ku unë kisha studiuar.
CMG: Mbani akoma kontakte me miqtë kinezë?
Bexhet Pulleja: Fatkeqësisht me studentët e mi që kam pasur në grupin tim nuk kam ndonjë lidhje, për faktin se 55 vjet jeta ka bërë të veten, puna na ka ndarë. Para 10 vitesh në Shqipëri erdhi një piktore e madhe kineze bashkë me bashkëshortin e saj, që hapi një ekspozitë ku në inagurimin e ekspozitës unë mbajta fjalën e hapjes dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur lidhje me familjen dhe piktoren. Kur shkuam në Pekin kjo familje na vizitoi te hoteli ku rrinim dhe ne shkuam te shtëpia e tyre, ku na ftuan për drekë me mikpritje, dashuri dhe respekt. Nga ajo kohë kemi ruajtur marrëdhënie mjaft të mira. Kam edhe një mik tjetër që e kemi pasur këtu dhe mbajmë lidhje familjare ku shpesh bisedojmë e shkëmbejmë fotografi.
Gazmend Agaj