Veshjet janë grupi i katërt përsa i përket tregëtisë me Kinën dhe i pestë i mallrave më të importuara nga Kina për tregun shqiptar, por qytetarët shqiptarë nuk blejnë vetëm veshje, por edhe artikuj të tjerë shtëpiakë, që u nevojiten. Çmimet e arsyeshme dhe larmia e artikujve që vijnë nga Kina, bëjnë që qytetarët shqiptarë të jenë klientë të rregullt të dyqaneve me mallra kineze, në çdo kohë.
Tregtarët kinezë kanë ngritur dyqanet e tyre pranë Medresesë së Tiranës që pas vitit 1990 dhe artikujt që ato shesin janë të llojeve të ndryshme dhe me çmime të arsyeshme. Blerësit shqiptarë i sheh në këto dyqane duke zgjedhur artikuj të ndryshëm. Të gjithë tregëtarët kineze kanë sjellë familjet e tyre në Shqipëri dhe flasin mirë gjuhën shqipe që ua bën më të lehtë komunikimin me blerësit. Në disa nga dyqanet janë të punësuar edhe shitës shqiptarë, të cilët tashmë janë bërë ekspertë të mallrave kineze. Gjithashtu në Tiranë gjejmë edhe shumë dyqane të tjera, të cilët nuk janë në pronësi të tregëtarëve kinezë, por që vetë shqiptarët tregtojnë mallrat, që i sjellin nga Kina, duke furnizuar dyqanet e tyre jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Edhe pse pandemia ka ndikuar në rënien e ekonomisë këto muajt e fundit, shitësit shprehen se klientela e rregullt është gjithmonë besnike dhe se çmimet nuk kanë ndryshuar shumë për artikujt e përditshëm që u nevojiten qytetarëve.
Në këto dyqane blihen veshje, por dhe artikuj të tjerë si çanta shkolle për fëmijët, suvenire, etj.
Ne u ndalëm te këto dyqane dhe biseduam me shitës dhe blerës të rastësishëm.
Njëri nga shitësit e dyqaneve kineze te Medreseja shprehet se edhe pse ekonomia ka rënë, klientët e tyre janë besnikë dhe vijnë gjithmonë në dyqanin e tyre.
“Në kohë shiu më shumë shiten çadrat. Kanë filluar edhe shajet të ecin shumë si dhe kapelet e çantat e shkollës. Edhe pse ekonomia nuk është fort e mire, çmimet e artikujve janë të lira. Klientë kemi gjithmonë sepse ne kemi klientelën tonë dhe nuk ndryshojnë. Të gjithë artikujt vijnë nga Kina dhe pronari që është kinez merret me furnizimin, sepse unë jam punëtor në këtë dyqan”.
Një nga qytetarët shprehet se është klient i rregullt i dyqaneve kineze dhe blen shpesh artikuj të ndryshëm dhe me çmime të leverdisëshme.
“Unë e frekuentoj shpesh tregun e dyqaneve kineze sepse ka shumë vite që punon në Shqipëri dhe mallrat e tyre janë cilësore dhe me çmime të leverdisëshme.
Unë zakonisht blej çadra për vete dhe për fëmijët, atlete, veshje të ndryshme. Jam shumë i kënaqur me çmimet dhe cilësinë. Madje këtu furnizohen edhe dyqanet e tjera të Tiranës të cilët marrin nga tregu kinez dhe i shesin në dyqanet e tyre me çmime të larta”.
Tregtarët kinezë janë kryesisht familjarë dhe jetojnë prej vitesh në Tiranë, duke u ndjerë si në shtëpinë e tyre. Ata kanë marrëdhënie shumë të mira me shqiptarët dhe shpesh edhe kalojnë kohën e lirë me miqtë e tyre nëpër kafenetë e kryeqytetit.
Gazmend Agaj