Zenepe Luka është publiciste dhe gazetare e njohur në medien shqiptare e cila në sajë të përkushtimit dhe pasionit na ka dhënë gazetarinë bashkëkohore dhe profesionale. Ajo është edhe Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaski. Gjatë intervistës për rubrikën “Kujtoj” Znj.Luka na sjell kujtimet dhe emocionet e vizitës së saj në Kinë bashkë me gratë e këtij fondacioni.
Zenepe Luka: Faleminderit dhe vërtetë në këtë rubrikë me emocion do të kujtojmë ngjarjen e madhe të Fondacionit “Nermin Vlora Falaski”. Më 11 nëntor të vitit të ardhshëm ne mbushim 10 vjet që kemi qenë në Kinë. Është një ngjarje e madhe sepse që nga nëntori i vitit 1960 ishin ndërprerë marrëdhëniet midis gruas shqiptare dhe gruas kineze dhe për gjysmë shekulli nuk kishim pasur shkëmbime delegacionesh. Më lindi ideja dhe e bisedova edhe me kryesinë e Fondacionit që të rilidhnim marrëdhëniet me gratë kineze. Shkova në Ambasadën kineze ku ish-ambasadori, një mik i Fondacionit menjëherë pranoi kërkesën tone, duke biseduar edhe me Federatën e Gruas Kineze dhe u bë vizita. Ishte një delegacion me 4 gra ku isha unë, Makbule Çeço, Vitore Sallaku e cila kishte mbaruar studimet atje. Ndërsa artisten e madhe Edi Luarasin e kërkoi ambasada, sepse ju e dini që filmi shqiptar “Ngadhnjim mbi vdekjen” është shumë i dashur për popullin kinez. Ishte një pritje e jashtëzakonshme, një mall që shprehej vetëm me lot nga ana jonë, por edhe nga Federate e Grave Kineze. Më besoni, e them edhe sot që ajo pritje jo vetëm në Pekin, por ne shkuam në shumë vende si në Shangai ku u ngjitëm në kullën e lartë, vajtëm në shumë qytete dhe sapo e merrnin vesh që ishim shqiptarë, qytetarë të thjeshtë përloteshin. Nuk do ta harroj dhe jam shumë e prekur për këtë që them, pritja vërtetë emocionale nga Presidentja e Federatës së Grave Kineze e cila ishte edhe nënkryetare e Asamblesë së Kinës, Zv.Presidentja Znj.Song dhe deri te përkthyesi Lin Kai, që më pas erdhi në ambasadën kineze në Tiranë. Kaluam ditë jashtëzakonisht të bukura, ditë malli. Nënshkruam bashkëpunimin në radhë të parë shpirtëror dhe pastaj me shkëmbimin e delegacioneve. Një falenderim edhe për mbështetjen që na ka dhënë Federata e grave kineze për paisjen e zyrës sonë.
Çfarë kujtoni nga ato ditë qëndrimi në Pekin dhe Shangai? Për ju ishte hera e parë që shkonit në Kinë?
Zenepe Luka: E para është pritja e jashtëzakonshme, me shumë emocion. Ato na quanin motra dhe unë i bëja pyetjen vetes: O Zot, si kemi duruar 50 vjet për të takuar motrat kineze! Çfarë faji kishin gruaja kineze dhe gruaja shqiptare, që heshtën kaq kohë? Kujtoj përveç pritjes kur vajta në Shangai dhe vizitat në shumë qytete të tjera dhe në të gjitha institucionet kulturore në Pekin. Unë guxova, siç e kam edhe në natyrë në vizitën e dytë, se pastaj na bënë një ftesë e cila ishte e jashtëzakonshme për ne si Fondacion, për të marrë pjesë në Forumin Botëror të Gruas, ku merrnin pjesë 380 shtete. Përfaqësuese të gruas shqiptare ishim ne, që e rilidhëm këtë miqësi. Më besoni që më vendosën në tavolinën qëndrore dhe unë kam qarë kur më thirrën emrin dhe u vlerësova me çmimin “Gruaja e shquar”, ndër 10 gra nga e gjithë bota. Kur Presidentja e Federatës së Gruas Kineze më dhuroi çmimin, u hutova por kisha një shqiponjë prej druri, dhe u thashë “Ja ku është Shqipëria!”. Nuk do ta harroj kurrë këtë moment. Pastaj kishim takime të tjera me zyrtarë ku kujtoj takimin me Kryetarin e Bashkisë së Pekinit. E ftova në Shqipëri dhe në Vlorë. Pastaj guxova të ngjisja Murin e Madh kinez, ku arrita të marr dhe çertifikatën përkatëse.
Çfarë emocionesh përjetove kur ngjite Murin e Madh kinez?
Zenepe Luka: Ishte një e panjohur për mua, mirë po nuk ishin thjesht qindra shkallë, por shkalla ishte shumë e gjërë. Më shoqëronte përkthyesi dhe kur mbrritëm në majë më dhanë dhe çertifikatën e cila thotë se ju jeni një grua e guximshme që ngjitët Murin e Madh kinez dhe jam e vetmja shqiptare, që e kam ngjitur. Vërtetë ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe zonjat e Federatës Kineze të gruas e mirëpritën, duke thënë se kjo na e shton miqësinë midis nesh.
Ruani Akoma kontakte me miqtë kinezë, shkëmbeni emaile apo kontakte në rrjetet sociale?
Zenepe Luka: Jo thjesht emaile, por ne menjëherë ftuam delegacionin e grave kineze të vinin për vizitë në Shqipëri. Erdhi Zv.Presidentja Znj. Song ku u prit nga ish Presidenti Bamir Topi. Më pas vajtëm në Vlorë dhe në vende të tjera. Kjo ishte vërtetë një ngjarje e madhe, ku ajo u lumturua shumë. Ne e kemi vazhduar miqësinë edhe nëpërmjet Ambasadës kineze në Tiranë. Dua të përmend dhe të vlerësoj duke pasur edhe shumë mall për atë grua intelektuale, ish Ambasadoren kineze Jiang Yu, me të cilën kemi pasur një bashkëpunim të përsosur. Ne e vlerësuam para ikjes nga Shqipëria me Medaljen e Mirënjohjes. Ne tani po bëjmë një program që ta festojmë 10 vjetorin e rilidhjes së miqësisë midis grave kineze dhe shqiptare, një event që do ta organizojmë më 11 nëntor të vitit të ardhshëm.
Falenderoj shumë për këto emocione që solle në rubrikën “Kujtoj”. Uroj të keni bashkëpunime të vazhdueshme me miqtë dhe gratë kineze, në vazhdim.
Zenepe Luka: Unë të falenderoj me gjithë zemër dhe siç më shikon u emocionova sepse i shkon rubrikës suaj kjo. Unë besoj dhe dëshiroj që ne ta vazhdojmë miqësinë patjetër dhe i shpreh mirënjohjen e thellë Federatës së Grave kineze që kishte 650 milion gra në të gjithë Kinën, për respektin që na bënë, për mallin dhe emocionet dhe i presim më 11 nentor të vitit 2021 në Shqipëri dhe në Vlorë. Mirë se të vini të dashura motra!
Intervistoi Gazmend Agaj