“Kam shumë dëshirë të kthehem në Kinë për të realizuar një dokumentar për arritjet në fushën e medias”
Llesh Nikolla është regjisor dhe aktor i njohur. i cili gjatë karrierës së tij artistike ka realizuar disa dokumentarë dhe emisione artistike në Shqipëri. Kohët e fundit ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2008regjizori Nikolla vizitoi Kinën, si pjesëmarrës i një delegacioni të Radio Televizionit Shqiptar.
CMG: Ju keni vizituar Kinën para 12 vitesh. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj?
Llesh Nikolla: Radio Televizioni Shqiptar gjithmonë ka pasur kontakte me Republikën Popullore të Kinës dhe ka marrëveshje dhe marrëdhënie shumë të mira dhe çdo dy apo tre vjet shkonin përfaqësues të tij në Kinë. Grupi ynë qëndroi 25 ditë dhe qëllimi i vizitës ishte njohja e zhvillimeve në Kinë, si dhe shkëmbimet në fushën e medies. Për mua ishte një ngarje njohja me një nga vendet më të mëdha të botës. Ne kishim dëgjuar për zhvillimet në Kinë, por unë e kisha ëndërr të vizitoja Kinën dhe këtë moment e prita me shumë dëshirë. Në atë kohë unë isha edhe Drejtor i prodhimit në TVSH. Ndjesitë janë shumë të mira për shumë arsye, ku e para është mikpritja. Unë kam vizituar shumë vende në formate të ndryshme, por të gjithë ata që shkojnë në Kinë e kanë këtë ndjesi, mikpritje vëllazërore dhe profesionale, pra një mikpritje e përmasave, që unë nuk e mendoja. Kina është një vend i madh ku lëvizin shumë delegacione. Në këtë aktivitet merrnin pjesë 15 shtete. Ishte një botë e panjohur për mua ku që në zbritje në aeroportin e madh të Pekinit kishte një korrektësi dhe një pritje të një niveli të lartë. Kina ka një zhvillim të pakonceptueshëm për ne që jemi në Shqipëri, ose qoftë edhe për vende të tjera të botës. Ky zhvillim është në shumë drejtime, si nga kultura e jetës dhe marrëdhënieve, arkitektura, qytetërimi që unë do ti vija notën 10 Kinës. Mbetemi te qëllimi i vizitës dhe te media, sepse në atë kohë unë jam befasuar nga teknika, performanca dhe të gjitha çfarë ka një televizion. Unë nuk harroj kurrë leksionet që kam marrë në Kinë nga profesionistë e pedagogë shumë të rëndësishëm. Ato leksione që kam marrë para 12 vitesh nga profesorët kinezë sot jo vetëm që janë aktualë, por duhet ti rikthehesh herë pas here. Pra ata paraprinin me zhvillimet dhe gjithë qëllimi ishte se ku është Kina dhe si e mendojnë ata të ardhmen e ekranit botëror.
CMG: Leksionet që ju morët gjatë këtij seminari në Kinë për medien, i keni vënë në praktikë në punën tuaj në Shqipëri?
Llesh Nikolla: Unë jam munduar, por teknika këtu te ne krahasuar me Kinën ndryshon, pasi ne jemi akoma të rinj, por po përpiqemi që të fusim shumë rijësi, që atje ishin aktuale. Ne vizituam shumë ambiente televizive dhe studio, që unë i kujtoj me shumë nostalgji. Studiot që vizituam ishin mahnitëse.
CMG: Çfarë kujtoni nga qëndrimi në Kinë?
Llesh Nikolla: Ne u ambientuam me ato vende që shkuam sepse ishin njerëzit që na afronin që ne të ambientoheshim shpejt. U ndjemë të barabartë edhe pse aty merrnin pjesë personalitete, të cilët na jepnin leksione. Pritja që të bëjnë ata dhe pastërtia që kanë, jo ne por as Europa nuk i afrohet dot. Mënyra se si ata të servirin dhe të respektojnë qoftë në restorante, hotele apo në marrëdhënie dhe vizita të ndryshme, ka perfeksion në çdo gjë.
CMG: Ju përveç Pekinit keni vizituar edhe qytete të tjera në Kinë. Keni ndonjë kujtim të veçantë nga vizita juaj ?
Llesh Nikolla: Kujtimet janë profesionale, por edhe nga imazhi që krijon. Unë mbaj mend ekspozitën në pregatitjet që ishin bërë për Lojërat Olimpike dhe mbetëm të habitur, jo se ishim injoratë, por nuk e dinim se sa përpara kishte ecuar Kina. Për medien ata flisnin se si do të jetë pas 50 viteve, për rolin e medies. Në Kinë çdo rrugë ka pemë dhe lule dhe lulja atje ishte simboli i çdo gjëje. Përballë hotelit ku ne qëndronim ndërtohej një pallat i madh dhe kur dilja në dritare punonin me qindra vetë dhe nuk ndihej asnjë zhurmë dhe në mëngjes sërish shikoje lule.
CMG: Z.Nikolla unë të falenderoj për këtë bisedë të ngrohtë dhe uroj suksese në punën tuaj
Llesh Nikolla: Faleminderit! Unë kam shumë dëshirë të kthehem për të realizuar një dokumentar për madhështinë në fushën e medies në Kinë. Për mua janë krenaria e zhvillimit mediatik dhe vizual. Kam mirënjohje të pakufishme për aq sa unë isha dhe aq sa lexoj për Kinën për çdo gjë që ka arritur.