Sinologu Iljaz Spahiu prej 50 vjetësh ka lidhje të ngushta me Kinën, në sajë të studimeve të tij në këtë vend, punës si përkthyes që ka sjellë në shqip veprat e Nobelistit Mo Yan dhe të personaliteteve dhe autorëve të njohur kinezë, si diplomat pranë Ambasadës së Shqipërisë në Pekin e në vijim kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, Alb-China.

Iljaz Spahiu në Klan

Iljaz Spahiu në Klan

CMG: Ju keni një lidhje gjysmëshekullore me Kinën. Këtë vit të mbrapshtë, që mund ta quajmë vit pandemik ju keni qenë shumë herë i pranishëm në medien shqiptare, për të komentuar situatën e pandemisë në Kinë. Si i keni përcjellë këto komente?

Iljaz Spahiu: Unë i ndjek zhvillimet në Kinë në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet medies kineze, në kinezisht. Ndaj mund të them se jam më i shpejtë se të tjerët në marrjen e informacionit nga Kina. Prandaj unë e kam kuptuar shumë shpejt se çfarë është Covid 19, kjo falë dhe lidhjeve me miqtë e mi kinezë, të cilët që në fillim ma shpjeguan si një virus shumë të rrezikshëm. Ashtu siç thatë dhe ju, mediet shqiptare kanë qenë të interesuara dhe unë kam dhënë opinionin tim për situatën në Kinë, sipas informacioneve që kisha. Ishte një situatë krejt e panjohur, jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Unë në medien shqiptare kam përcjellë opinionin tim se si populli dhe qeveria kineze kanë përballuar këtë epidemi me një qasje të fortë që në fillim, të vendosur dhe me një impenjim të madh që nga strukturat më të larta partiake dhe qeveritare e deri në njësitë e komunave. Kjo bëri që Kina ta verë shumë shpejt situatën në kontroll dhe sot Kina e ka fituar këtë betejë, por megjithatë janë të kujdesshëm në vazhdimin e masave preventive. Mesazhi që unë kam përcjellë në mediet shqiptare ka qenë që ky është një virus tinzar, nuk është një lojë, por një epidemi reale, e rrezikshme, që duhet marrë me seriozitet, jo me frikë.


Iljaz Spahiu ne televizionin Klan

Iljaz Spahiu ne televizionin Klan

CMG: Tashmë mund ta quajmë Kinën “Covid free”, por masat mbrojtëse vazhdojnë dhe respektohen. Le ta komentojmë këtë, sepse shpesh shqiptarët pyesin se si një vend kaq i madh si Kina “arriti të bënte zap virusin” ?

Iljaz Spahiu: Kjo duhet parë në dy aspekte. E para, në mënyrë të padiskutueshme janë masat drastike që u morën në Kinë për mospërhapjen e virusit dhe vënien në kontroll të tij, në vendet ku ishte përhapur. E dyta, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për këto masa me popullsinë vendëse. E them me bindje se popullsia ka qenë e vetkarantinuar. Përshembull Pekini gjatë valës së parë të epidemisë ka qenë shumë pak i goditur, por pothuasje i gjithë qyteti ka qenë i vetkarantinuar. Shumica punonin nga shtëpia, mbajtja e maskave ishte e padiskutueshme, banorët ishin të kujdesshëm në daljet nga rezidenca dhe të bindur për respektimin e masave. Nga ana tjetër, masat e marra nga qeveria kineze janë të paimagjinueshme, sepse të marrësh masa për miliona banorë është një sipërmarrje e jashtëzakonëshme. Kjo jo vetëm në aspektin social dhe psikologjik, por dhe ekonomik. Për shmangien e burokracisë dhe për rritjen e efikasitetit të masave të marra, qeveria krijoi një drejtim të centralizuar të luftës kundër epidemisë, në krye të të cilit ishte vetë presidenti i Republikës, Xi Jinping.


Iljaz Spahiu ne Top Channel

Iljaz Spahiu ne Top Channel

CMG: Në maj të këtij viti gazeta prestigjioze kineze “Renmin Ribao” i kushtoi një artikull të saj sinologut shqiptar, Iljaz Spahiu. Do të donim të dinim detaje rreth këtij artikulli.

Iljaz Spahiu: Botimin e artikullit të “Renmin Ribao” do ta cilësoja si një ndër kulmet e karrierës sime. Duhet të kemi parasysh që kjo është gazeta më e madhe në Kinë. Intervistën me gazetën në fakt e kisha bërë para pandemisë dhe ata u interesuan për ecurinë e karrierës sime, për njohjen e gjuhës kineze, si dhe lidhjen time me Kinën. Është një artikull shumë interesant, real dhe objektiv ku tregohet si nisi lidhja ime me Kinën e deri në ditët e sotme, ku unë jam konsideruar prej tyre një sinolog dhe përkthyes i suksesshëm i letërsisë kineze. Në artikullin e “Renmin Ribao” flitet dhe për veprimtarinë time si kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë Alb-China, për kontributin që japim si shoqatë për përhapjen e kulturës dhe civilizimit kinez, si dhe për mbajtjen gjallë të miqësisë tradicionale midis popullit shqiptar dhe atij kinez.


Iljaz Spahiu ne medien shqiptare

Iljaz Spahiu ne medien shqiptare

CMG: Si e keni shfrytëzuar qëndrimin mbyllur për shkak të pandemisë?

Iljaz Spahiu: Jam marrë me përkthime. Kam përfunduar përkthimin e librit “Të jetosh” të autorit të njohur kinez Yu Hua, i cili është dhe film, që ka fituar çmimin “Palma e Artë”. Yu Hua është një autor që i përket brezit modern. Gjithashtu përfundova përkthimin e librit “Koncepte të kulturës dhe të mendimit kinez”, vëllimi 5. Gjatë kësaj periudhe, përveç medies shqiptare kam marrë pjesë online në disa simpoziume të zhvilluara në Kinë, në kuadër të nismave kineze “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmit “17+1”. Kam qenë i pranishëm online dhe në simpoziume të zhvilluara në Kinë rreth çeshtjeve ndërkombëtare dhe ballkanike për letërsinë, madje takimin e fundit online e organizoi Lidhja e Botuesve të mekanizmit “17+1”, ku merrnin pjesë dhe botues nga Shqipëria. Unë mbajta një kumtesë për rolin e programit të përkthimeve midis dy vendeve tona. Programi i përkthimeve dhe botimeve të letërsisë shqiptare dhe kineze i ka dhënë një shtysë dhe një impakt të ri shkëmbimeve midis dy letërsive si dhe përkthimit dhe botimit të veprave të tyre. Për më pak se 5 vjet janë përkthyer rreth 40 libra nga kinezishtja në shqip, si dhe disa autorë shqiptarë janë përkthyer në kinezisht. Pra gjatë kësaj periudhe nuk kam qëndruar duarkryq dhe vazhdoj të ndjek zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në Kinë, pa e shkëputur në asnjë moment lidhjen me të.

Intervistoi Eda Merepeza