“Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shumanshme në fushën e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë; njohës i shquar i çështjes shqiptare përgjatë zhvillimit të saj, duke shërbyer si urë për komunikimin e vlerave të dy popujve tek njëri-tjetri. Publicist, përkthyes, autor librash me karakter shqyrtimi për ngjarje e personalitete të botës shqiptare, zotit Wang Hongqi i jepet titulli i lartë “Naim Frashëri”

Presidenti Meta dorëzon medaljen për Wang Hongqi

Presidenti Meta dorëzon medaljen për Wang Hongqi



Ishte fundshtatori, i vitit 2019 kur kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta nderoi albanologun e shquar Wang Hongqi me titullin e lartë “Naim Frashëri”. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni, gazetari i njohur Wang dërgoi një mesazh malli për Shqipërinë, vendin ku jetoi dhe punoi 22 vjet si korespondent dhe shef i Degës së Agjensisë kineze të lajmeve Xinhua.


Në këtë fundshtatori miqtë shqiptarë të Wang Hongqi mësuan lajmin e rëndë të ndarjes së tij nga jeta në moshën 78 vjeçare. Pavarësisht distances gjeografike, miqtë nderohen me kujtimet dhe mbresat e pashlyera për ta.


Wang Hongqi, bashkeshortja dhe Iljaz Spahiu

Wang Hongqi, bashkeshortja dhe Iljaz Spahiu

Sinologu i njohur shqiptar Iljaz Spahiu, na dha lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Wang Hongqi dhe ndan me ne kujtimet për këtë albanolog, studiues, publicist dhe ekspert i njohur i marrëdhënieve shqiptaro-kineze, mik i dashur popullit shqiptar.

“Me shmë dhimbje mësova ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim Wang Hongqi, ose “Vani” siç e thërrisnin shqiptarët. Ai ka pasur shumë miq në Shqipëri dhe njihej si “Vani i Hsinhuasë”. Ishte dhe ka mbetur një mik i mirë, një mik besnik i shqiptarëve. Unë me këtë rast dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen, bashkëshorten e tij, fëmijët si dhe të gjithë të afërmit e tij. Wangun e kam pasur jo vetëm mik, por dhe koleg të trefishtë, sepse dikur dhe unë kam punuar si gazetar, ishim kolegë si përkthyes, sepse ai ka qenë ndër përkthyesit e parë të gjuhës shqipe dhe koleg si albanolog dhe studiues i çeshtjeve të Shqipërisë dhe Ballkanit. Wangu ka botuar dy libra shumë të njohur dhe të mrekullueshëm për Shqipërinë, ku jep përjetimet e tij gjatë 22 vjetëve të punës në këtë vend. Ai gjithashtu ka shkruar mjaft artikuj rreth çeshtjeve të Ballkanit dhe Shqipërisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, u shpreh sinologu Iljaz Spahiu

Wang Hongqi dhe Xhevdet Shehu

Wang Hongqi dhe Xhevdet Shehu

Disa miq të Wang Hongqi e mësuan lajmin e rëndë nga gazeta “Dita”, që i kushtoi një artikull homazh, atij që shpesh në Shqipëri e njihnin si “ Vani i Hsinhuasë”. Autori i këtij artikulli, gazetari Xhevdet Shehu, me emocion sjell për mikrofonin e Radio Ejani, kujtimet e pavdekshme për mikun e tij kinez.

“Ishte vërtet një lajm i trishtueshëm ai që mora para disa ditësh për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar kinez Ëang Hongqi me të cilin kam pasur një miqësi të gjatë. Ndarja para kohe nga jeta e këtij gazetari më trishtoi për faktin se ai ishte një mik i shquar i Shqipërisë. Këtë e them me bindje pasi e kam njohur para 30 vitesh, në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve në Shqipëri dhe bashkë me Wangun ne kemi punuar për agjencitë përkatëse, ai për agjencinë Hsinhua të Kinës dhe unë për Zërin e Amerikës, duke përcjellë një mori ngjarjesh që kanë ndodhur në Shqipëri në këtë periudhë të gjatë tranzicioni. Wang ishte një gazetar perfekt dhe me kualitete të larta i cili e shprehte dashurinë dhe simpatinë për popullin shqiptar në lajmet e tij për agjencinë e madhe kineze Hsinhua. Këtë e them me bindje sepse ai e fliste rrjedhshëm shqipen dhe zakonisht konsultohej me mua nëpër salla apo vende takimesh për kronikat që transmetonte. Ishte një njohës i shkëlqyer i situatës në Shqipëri dhe unë them me bindje se atë e gëzonte çdo sukses i popullit shqiptar në këtë rrugë të demokracisë. Wang Hongqi ishte njohës i shkëlqyer i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës. Kishte njohur kulmin e lulëzimit të tyre në kohën kur Shqipëria dhe Kina udhëhiqeshin nga Enver Hoxha dhe Mao Ce Duni. Ndjeu trishtim kur u ndërprenë marrëdhëniet midis dy vendeve për arsye që dihen dhe u gëzua jashtë mase kur këto marrëdhënie rifilluan dhe çdo përmirësim dhe zhvillim pozitiv në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, atë e gëzonte jashtëzakonisht. Wang Hongqi ishte optimist se këto marrëdhënie do të forcoheshin në të ardhmen dhe ai gëzohej që Shqipëria bënte pjesë në projektet kineze për Rrugën e Mëndafshit dhe që ishte pjesë e një projekti të madh zhvillimesh dhe investimesh. Prandaj unë mendoj se duke kujtuar Wang Hongqi ne i bëjmë një homazh një miku të Shqipërisë dhe do ta kujtojmë atë edhe në të ardhmen, sa herë do të flitet për aspekte të ndryshme të këtyre marrëdhënieve.” u shpreh gazetari shqiptar Xhevdet Shehu.

Wang Hongqi, përveç punës së tij si korespondent dhe shef i Degës së Agjensisë kineze të lajmeve Xinhua është autor i dy librave për Shqipërinë “Jeta ime në vendin e Shqiponjave” (2008) dhe “Shqiponja e rrokullisur- Rruga e Rilindjes së Shqipërisë”, ne të cilët përshkruan historinë rreth gjysmë shekullore të Shqipërisë si dhe zbulon shumë fakte të panjohura në marrëdhëniet kino-shqiptare të asaj periudhe.

Ai u dallua si studiues i marrëdhënieve kino-shqiptare, por dhe çështjeve ballkanike, për të cilat mban autorësinë e disa artikujve studimorë, që hedhin dritë mbi historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës (“Shqipëria,vendi i parë që i dha ndihmë Kinën për rikthimin ne OKB”), si dhe situatën politike e ekonomike në Rajonin e Ballkanit.

Njohës i shqipes, të perfeksionuar në Shqipëri, pas studimit të saj në Pekin Wang Hongqi deri ne fund të jetës së tij mbeti një mik besnik i vendit të shqiponjave. Ai ka dhënë një ndihmesë të shquar aktive për imazhin e Shqipërisë në Kinë si dhe për forcimin e miqësisë tradicionale mes dy vendeve e dy popujve tanë.

Në intervistën e tij dhënë para 5 vjetësh gazetarit Xhevdet Shehu, Wang shpreh mallin për vendin ku jetoi dhe punoi, duke forcuar urat e miqësisë kino-shqiptare.

“Më merr malli për Shqipërinë. Këtu kam kaluar vitet më të bukura të jetës sime si gazetar. Kam shumë kujtime. Ju mund të mos e besoni por çdo ditë pas daljes në pension jetoj me përshtypjet nga Shqipëria. Kam shkruar dy libra me kujtime nga Shqipëria. Unë ndihem i lumtur që në Shqipëri kam shumë miq dhe… asnjë armik”.

U prehsh në paqe mik i nderuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Wang Hongqi!

Eda Merepeza

Gazmend Agaj