Në Tiranë janë dhjetra restorante kineze, që ofrojnë një menu të pasur me gatime tradicionale kineze dhe mjaft të pëlqyeshme nga qytetarët shqiptarë, por edhe turistët e huaj të cilët vizitojnë Tiranën. Menuja e pasur e këtyre restoranteve bën që klientët të kenë një shumëllojshmëri zgjedhjesh kur shkojnë për të drekuar apo darkuar në restorantet kineze. Disa nga restorantet kineze kanë edhe kuzhinierë shqiptarë, që tashmë janë bërë specialistë të gatimeve tradicionale kineze. Ka edhe restorante kineze të cilat ofrojnë shërbimin taksi, duke ua dërguar ushqimin klientëve që porosisin, në shtëpitë e tyre ose në vendet e punës.
Restorantet më të mira kineze në Tiranë, ku ju mund të shijoni këto gatime të mrekullueshme janë:
Tang.China Restaurant
Oriental City Chinese Restaurant
Chinese Garden Restaurant
Kungfu Express
Tirana Chinese Restaurant Mimi
NEST Chinese Restaurant
Lulishte 1 Maji
Doro Restaurant
Në zemër të kryqytetit, Tang China Restaurant është vendi i duhur për ata që dashurojnë ushqimin kinez. Menuja përfshin çdo pjatë të kuzhinës kineze, si pulën e ëmbël dhe të athët, apo supën me vezë.
Në stinën e dimrit, nuk ka gjë më të mirë e më të shijshme se Tava Kineze e mbushur me perime të ndryshme, mish pule, viçi, gici ose me fruta deti.
Nëse doni të jetoni më gjatë dhe shëndetshëm, ushqehuni si aziatikët!
Paola Kanani
Për rubrikën “China Town”, menaxherja e restorantit Tang China restaurant Paola Kanani na tregon preferencat e klientëve në këtë restorant si dhe gatimet kineze, ku edhe muzika tradicionale dhe karaoket janë shoqëruese të menusë së pasur.
Sa kohë keni që punoni në restorantin Tang China restaurant?
Paola Kanani:Unë kam një vit e gjysmë që punoj këtu dhe është një ndër restorantet me stafin më të mirë për mua, ndaj e kam zgjedhur për të punuar.
Keni klientelë të rregullt në restorant dhe çfarë gatimesh preferojnë nga kuzhina kineze?
Paola Kanani: Po, kemi klientë të rrregullt dhe shumë të mirë. Preferencat janë të ndryshme, por veccoj djathin kinez, ose tofu-në, që është pjata e parapëlqyer. Kemi edhe gatime të tjera, por kjo kërkohet më shumë nga klientët e restorantit.
Përveç klientëve shqiptarë vijnë dhe turistë të huaj?
Paola Kanani: Po. Në këtë restorant vijnë më shumë të huaj sesa shqiptarë. Klientët e huaj vijnë nga shtete si Gjermania, Franca, Anglia, por sigurisht që ka dhe shumë kinezë.
Kuzhinieri është kinez?
Paola Kanani: Po, është kinez, por kemi pasur edhe kuzhinierë shqiptarë. Edhe ndihmës kuzhinierët janë kineze.
Shikoj që keni edhe karaoke. Çfarë këngësh këndohen?
Paola Kanani: Karaokja preferohet shumë sidomos nga të huajt. Më shumë këndohet anglisht por edhe kinezçe, kurse muzikën shqiptare nuk e kemi futur akoma, por besoj se në të ardhmen do të përfshijmë edhe muzikën shqiptare.
Ju në restorant gatuani edhe prodhime deti. Çfarë preferohet më shumë nga gatimet e detit?
Paola Kanani: Më shumë preferohet peshku ketër sepse e gatuajmë shumë mirë dhe është pjatancë e madhe, që preferohet shumë nga të huajt. Pastaj kemi edhe frutat e detit si karkalecat, midhjet, por gatimi i preferuar mbetet peshku.
Ju personalisht çfarë preferoni nga kuzhina kineze?
Paola Kanani: Preferenca ime është pula pikante sepse është shumë e mirë pavarësisht se është shumë pikante.