Intervistë me gazetaren Eglantina Alliaj
Eglantina Alliaj ka një karrierë të lavdërueshme në median shqiptare. Prej vitesh ajo shkruan në gazetat e ndryshme dhe njëkohësisht ka punuar në disa televizione. Eglantina është edhe drejtuese e portalit informativ Vizion.com.al, ku pasqyrohen ngjarjet e ditës nga vendi dhe rajoni. Në vitin 2017 ajo vizitoi Kinën si pjesëmarrëse në një seminar organizuar nga Federata e Gruas Kineze. Eglantina na tregon për eksperiencën e saj kineze si dhe kujtimet gjatë vizitës në Kinë.
Ju keni vizituar Kinën në vitin 2017. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?
Eglantina Alliaj: Në vitin 2017 unë vizitova Kinën për dy javë dhe ishte një organizim nga Federata e Gruas Kineze, ku qëllimi i vizitës ishte roli i grave në vendimarrje. Kishte një pjesëmarrje të gjerë me të ftuar nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore dhe nga Shqipëria ishin tre pjesëmarrës. Në fakt pjesëmarrja ime ishte si përfaqësuese e Rrjetit të Grave për Barazi dhe Vendimarrje në Shqipëri, por që vizitën time e shfrytëzova edhe si gazetare, sepse pas kthimit në atdhe shkrova për përshtypjet e mia nga Kina.
Si e mirëpritët ftesën për të vizituar Kinën? Ndoshta e kishit ëndërruar që të shkonit në Kinë dhe e prisnit një vizitë të tillë. Çfarë emocionesh përjetuat?
Eglantina Alliaj: Menjëherë sapo drejtuesja e Rrjetit më njoftoi që do të isha pjesëmarrëse në këtë seminar të organizuar nga Federate e Gruas Kineze, të them të drejtën u emocionova sepse kisha dëshirë ta vizitoja Kinën, por nuk e dija nëse do të më realizohej ndonjëherë, pasi është vend i largët për ne dhe mundësitë mund të jenë shumë të pakta. Mbërritja në Pekin ku të priste një superaeroport dhe mezi orientoheshe, por organizatorët kishin dërguar njerëz për të na shoqëruar për në hotel dhe ishte një organizim perfekt .
Si ishte dita juaj e parë në Pekin ?
Eglantina Alliaj:Në fakt ndryshimi i orarit ishte pak problem ditën e parë kur shkuam në hotelin që do të akomodoheshim. Pastaj organizatorët na pajisën me materialet e seminarit, dita tjetër filloi direkt me një workshop ku ishin pjesëmarrës edhe nga Federata e Gruas Kineze. Ishte një mikpritje e ngrohtë ku unë u dashurova me çajin jasemin, sepse gjatë gjithë kohës konsumohej çaj. Çdo ditë ne kishim takime edhe me përfaqësues të pushtetit qëndror në Kinë. Pas çdo seminari vizitonim një vend që ishte shumë i njohur si Muri i Madh Kinez, që unë e kisha ëndërruar gjithmonë ta vizitoja.
Kur ngjitët Murin e Madh Kinez çfarë emocionesh përjetuat?
Eglantina Alliaj: Ne sipas dëshirës e ngjitëm aq sa mund ta përballonim për shkak të shpejtësisë apo ecjes. Kishte shumë turistë dhe gjithëkush bënte foto, madje kishte edhe disa çmime stimuluese kur ti arrije një pikë të caktuar, ku mund të të bënin një foto ose picture. Kam marrë suvenire të ndryshme te Muri I Madh Kinez, siç janë mbajtëset e çelësave me shenja dhe karakteristika të ndryshme të cilat tregonin shumë.
Gjatë vizitës suaj në Kinë ju keni vizituar edhe dy qytete të tjera. Cilat janë përshtypjet për këto qytete?
Eglantina Alliaj: Pas përfundimit të vizitës në Pekin, qëndrimi ishte ndarë në dy pjesë ku tre ditë ishim në një qytet të Hangzhout dhe tre ditë të tjera në Shangai. Ashtu sikur në Pekin ku organizatorët na çuan të vizitonim Murin e Madh Kinez, vizituan dhe Shtëpinë e Partisë Komuniste Kineze si dhe monumente tjera historike si banesën e Perandorit e cila më ka habitur nga mënyra se si ishte organizuar me një gjatësi të madhe ku çdo pjesë ishte e ndarë aty ku bëheshin mbledhjet, ndeshjet dhe deri sa arrinte në pikën më të lartë ku përfundonte te shtëpia ku kishte jetuar perandori.
Flasim pak për gatimet tradicionale kineze. Çfarë shijuat më tepër në restorantet në Kinë?
Eglantina Alliaj: Unë i kisha provuar gatimet kineze në restorantet këtu në Tiranë, por aty unë i pashë nga afër sepse kurioziteti të shtynte të provoje çdo lloj ushqimi. Supërat i gatuanin në mënyrë te përsosur, apo edhe prodhimet e detit, sallatat e tyre të veçanta ku gjithmonë na i spjegonin edhe organizatorët të cilët uleshin me ne në tavolinë. Ajo që vura re ishte që konsumohej shumë ushqim, por nuk kishte njerëz të shëndoshë. Kjo do të thotë që ushqimi ishte i shëndetshëm dhe mënyra e gatimit dhe shija që ato i jepnin me gjërat pikante e shijoje vërtetë. Doja të përmendja këtu edhe dy qytetet e tjera si Shangai, që është edhe qendra ekonomike në Kinë. Ishte një super qytet dhe nga ato pak vende që ne vizituam dhe shëtitëm kam ngelur e mahnitur. Kisha dëgjuar shumë për Shangain, por për mua ishte një ëndërr ta prekja Shangain nga afër. Gjatë qëndrimit vizituam edhe qendra të njohura ekonomike dhe të biznesit siç është Alibaba, ku drejtuesit na treguan se si e kishte nisur në fillim dhe si u bë e njohur ndërkombëtarisht. Por më ka bërë përshtypje shumë edhe rëndësia që i jepnin çajit, ku fabrika e çajit më mahniti sepse nuk kisha parë në asnjë vend fabrikë çaji. Aty të gjithë ata njerëz të cilët menaxhonin këtë fabrikë na treguan se si ndikonte përdorimi i çajit ne organizëm, duke na bërë edhe disa eksperimente të vogla, si edhe dhurata me kuti të vogla çaji. Në Hangzhou shkuam në një kompani të prodhimit të shalqirit, ku ndoqëm edhe proçeset se si prodhohej dhe e shpërndanin në të gjithë botën. Aty mes shumë flamujve ishte edhe flamuri shqiptar. Këto janë kënaqësi të veçanta sepse janë vende të pashkelura për njerëz si ne.
Ruani kontakte me miqtë kinezë apo organizatorët e eventit?
Eglantina Alliaj: Ruajmë kontakte me organizatorët ku shkëmbejmë emaile, ndonjëherë edhe informuese sepse ishte një vizitë që përveç seminarit ku shkëmbyem edhe eksperienca kishte edhe vende jashtëzakonisht shumë të bukura që janë të njohura botërisht, por për njerëzit mund të jetë ëndërr që të shkojnë njëherë në Murin e Madh Kinez, Shangai apo ndonjë rajon tjetër sepse Kina është e madhe dhe lëvizja nga qyteti në qytet bëhet me avion.
Do kishe dëshirë të riktheheshe sërish në Kinë?
Eglantina Alliaj: Patjetër që po sepse ishte një eksperiencë e paharruar dhe nëse do të më jepej mundësia do të kthehesha ta vizitoja me kënaqësi dhe ndoshta doja të vizitoja qytete, të cilat nuk i kam vizituar në vizitën time të parë. Më ka bërë përshtypje mëndafshi sepse kishin edhe fabrika të mëndafshit dhe mikpritja mbi të gjitha, jo vetëm për faktin që na kanë bërë dhurata si shall prej mëndafshi apo filxhan prej porcelani që unë e kam ende, por këto dhurata tregonin shumë për mikpritjen dhe miqësinë.
Faleminderit për këtë intervistë që ndatë me dëgjuesit eksperiencën tuaj kineze.
Eglantina Alliaj: Faleminderit shumë dhe gjithkush do ta kishte ëndërr dhe dëshirë ta vizitonte Kinën. Nëse do të më jepëj rasti unë do ta vizitoja sërish.